Dëshmorët, Dhomat e Specializuara dhe Demarkacioni

Përpjekjet për sabotimin e punës së Gjykatës Speciale janë një aventurë e rrezikshme që i bëjnë dëm të madh shtetit të Kosovës. Nëse disa padronë të luftës në radhët tona besojnë se qëndrojnë mbi drejtësinë, gabojnë rëndë – sidomos në raport me bashkësinë ndërkombëtare. Ajo e ka çliruar Kosovën edhe duke u bazuar në parimin e sundimit të ligjit. Shteti i Kosovës është e arritur e madhe e shqiptarëve, veçanërisht e atyre që ranë për liri, dhe e botës perëndimore. Me këtë të arritur nuk luhet kumar – siç nuk luhet as me çështjen epike të demarkacionit, i cili duhet të refuzohet në këtë formë.

Kuvendi i Kosovës.



Këtë fillimvit përkujtohen shumë dëshmorë e heronj kosovarë. Të rinj e të reja, pleq, nëna e fëmijë u vranë, u masakruan, u flijuan për liri. Për lirinë që e kishin ëndërruar që prej 1912, kur edhe filloi urrejtja, përbuzja dhe represioni sistematik serb mbi popullatën kosovare. Sa e sa jetë, sa e sa ëndrra, këngë e vite nëpër burgje iu kushtuan çastit kur Kosova do të përjetonte thyerjen e prangave të robërisë dhe persekutimit. Lavdi të gjithë atyre që lanë më të çmueshmen, jetën e tyre, për këtë vend! Ndonëse, këto ditë ata lehtë edhe mund t’i lakmojmë. Ne po kalojmë nëpër një kohë të çudirave, të befasive çoroditëse dhe iniciativave çorientuese. Dëshmorëve tanë të ndjerë eshtrat ju rrotullohen në varre nga këto babëzi e marrëzi që po i përjetojmë në Kosovë.

Presidenti i shtetit, lëre që dëshiron ta djegë gjithë Kosovën për të shpëtuar bishtin e tij, por edhe paguan 517’198.56 euro (sic!) për ta përmirësuar imazhin e tij. Ato të holla paguhen nga taksapaguesit. Nga goja e bukës e qytetarëve të mjerë, të cilëve nuk iu është rritur as paga minimale. Të cilëve ju shkurtohen bursat studentore, që janë edhe ashtu simbolike me vetëm 900 Euro në vit. Të cilët kanë si kryeqytet qytetin më të ndotur të Europës, ku njerëzit shkojnë në spital me probleme frymëmarrjeje dhe nuk ka barna të mjaftueshme për ta. Por ka barna të palicencuara dhe kancerogjene në treg.

Para 3 vitesh i njëjti president bëri gjithçka që deputetët ta miratojnë Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa tani është penduar. Arsyen po e dimë të gjithë. Nuk është në pyetje dëmi që pëson  imazhi i UCK-së dhe i luftës së kosovarëve për pavarësi, jo. Se po të ishte arsyeja te imazhi i luftës së pastër për liri, apo te fajësimi i viktimës siç po pretendohet, atëherë kjo ka qenë e ditur edhe para 3 vitesh. Pse atëherë nuk u revoltuan ndaj Dhomave të Specializuara, ndërsa tani po? Arsyetimet me imazh të luftës dhe të UCK-së ishin thjesht për t’i hedhur hi syve qytetarëve dhe veteranëve të luftës, të cilët po bien pre e makinacioneve të ulëta makiaveliste të individëve të caktuar. Tani si duket e kanë kuptuar edhe këta obstruksionistë vetë se çfarë ishte qëllimi kyç i këtyre Dhomave të Specializuara.

Qëllimi i Dhomave të Specializuara (apo Gjykatës Speciale siç po quhet zakonisht) është ta çlirojë Kosovën për herë të dytë. Po, po! Ta çlirojë! Kosova edhe pse e hoqi qafe presionin nga një sundues të padrejtë, me ndihmën e UÇK-së dhe të partnerëve ndërkombëtarë, ajo edhe pas lufte nuk gëzoi lirinë e ëndërruar. Sepse ishin pikërisht një numër i caktuar i atyre që luftuan për liri nga sunduesi, të cilët u shndërruan vetë në sundues të rinj. Partnerët ndërkombëtarë, meqenëse hasën në një popullatë në gjendje të traumatizuar, në një popullatë të paarsimuar mjaftueshëm, me vetëm një subjekt politik të organizuar (LDK), një shoqëri pa institucione, pa strukturë shtetërore – atyre nuk u mbeti tjetër rrugëdalje përpos t’i pranojnë edhe partitë e formuara nga ish-pjesëtarë të UÇK-së si akterë politikë. Ne e dimë se veteranët e luftës në shtete tjera nuk vijnë në pushtet. E kemi rastin e Kroacisë, se si ata e kanë zgjidhur këtë çështje. Por Kosova ishte tjetër rast. Nuk kishte asgjë. As shoqëri civile, as shoqëri politike të diferencuar. Prandaj u erdhi rasti disa individëve të caktuar ta shijojnë pushtetin politik, pa pasur ndonjë formim intelektual apo edhe vetëm etik, pa pasur as predispozitat që të krijojnë diçka të tillë. E ishin këta individë që e udhëhoqën shtetin prej pasluftës e deri më sot.

Cilat janë arritjet e Kosovës gjatë kësaj kohe? Përpos atij numri të njohjeve, i cili prapë nuk po është stabil, çfarë kanë arritur kjo kastë politike? Se elitë nuk mund t’i quajmë, dorën në zemër. Për të qenë elitë duhet të kesh një çik nur intelektuali, sado pak që të jetë. Fjala «elitë» në fjalor përshkruhet si pjesa më e zgjedhur e një shoqërie. Por dallimi këtu është se këta individët e kanë zgjedhur veten vetë si elitë. E kanë bërë veten elitë me dhunë. Me dinakëri. Me vrasje. Me vjedhje. Me veprime në dëm të shtetit. Tani edhe me aksione kundër vendit duan të mbesin në pushtet. Se përpos si aventurë të rrezikshme nuk ke si e definon ndryshe tentativën për ta shfuqizuar Ligjin për Dhomat e Specializuara. Është aventurë ndaj shtetit, pikë së pari, sepse po e rrezikon marrëdhënien me partnerët dhe përkrahësit kyç të Kosovës. Është tradhti ndaj qytetarëve, sepse njëherë u bë çmos që ky Ligj të miratohet ne 2015, e tani kur u ka hyrë frika në palcë se duhet të përballen edhe vetë me drejtësinë, duan ta shfuqizojnë. Është edhe mashtrim i qytetarëve sepse mbledhja e nënshkrimeve është bërë për plotësim/ndryshim të ligjit, ndërsa deputetët në bazë të atyre nënshkrimeve e kanë proceduar një nismë në kuvend për miratim të SHFUQIZIMIT, JO TË PLOTËSIM/NDRYSHIMIT.

Këtu në Kosovë, pa asnjë pikë skrupulli, manipulohet haptazi me nënshkrime të qytetarëve, me kornizë ligjore e kushtetuese, me tenderime milionëshe për qëllime meskine personale, me sistem të drejtësisë e me jetë të njerëzve – dhe e gjithë kjo ndodhë meqë i kemi pikërisht këta njerëz në pushtet, që e kanë çliruar Kosovën nga presioni i serbëve për ta okupuar vetë më pastaj.

Të dashur njerëz të mirë të këtij vendi. Ka ardhur koha ta shohim të vërtetën në sy. Nëse ushtarët tanë kanë luftuar për liri, ajo është dhe ka për të mbetur gjithmonë luftë e drejtë. Por nëse ata rrugës kanë bërë edhe ndonjë shkelje të të drejtës ndërkombëtarë humanitare, pra të drejtës së luftës, nëse ata kanë vrarë civil, kanë keqtrajtuar njerëz dhe likuiduar oponentë politikë, atëherë për këto veprime duhet të përgjigjen para drejtësisë. Ne e dimë të gjithë se një numër i vrasjeve politike mbeten ende të pazgjidhura. Ato viktima kanë qenë kosovarë. Ka ardhur koha që në këtë shtet të funksionojë drejtësia dhe sistemi gjyqësor.

Gjersa figurat e përmendura nëpër media dhe në raportin e Këshillit të Europës mbi trajtimin johuman të civilëve gjatë dhe pas luftës nuk largohen nga skena politike, ne në këtë vend nuk do të kemi drejtësi të pavarur as për gjërat më të thjeshta, e lëre me për vrasje e krim të organizuar. Ne duhet t’u themi këtyre se i duam aq sa e duan ata Kosovën. Nëse e duan Kosovën, le të përballen më pasojat e veprimeve të tyre. Nëse dalin të pafajshëm, ne do të jemi këtu t’i presim si heronj. Përndryshe, vetes ia kanë bërë!

Këto figura, siç e kanë manipuluar këtë çështjen e nënshkrimeve për plotësim/ndryshim të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke pasur në mendje ta shfuqizojnë fare, po ashtu e kanë manipuluar edhe një marrëveshje tjetër, po ashtu të dëmshme për Kosovën. Kuvendi do të duhet të votojë edhe për marrëveshjen për demarkacion, marrëveshje kjo që nëse ratifikohet nuk ka shans që të korrigjohet më vonë. Arsyeja: sepse sipas dispozitave të marrëveshjes, të dy palët duhet të pajtohen për një korrigjim apo për ta dërguar në arbitrazh. E pse të pajtohej Mali i Zi? Kjo nuk do të ndodhë. Po u ratifikua, Kosova për herë të tretë në historinë e saj që prej 1878 humb territor ndaj Malit të Zi. Më e keqja është se kësaj here as nuk kishte dhe as nuk ka presion ashtu siç është paraqitur. Presioni ka ndodhur vetëm ngaqë individët që kanë nënshkruar dëshirojnë që ajo marrëveshje të kalojë, sepse iu duket humbje personale. Se janë bërë gabime të pafalshme, ajo është kuptuar tashmë nga të gjithë. E vetmja arsye pse ndonjë qytetar do të donte që ajo marrëveshje të ratifikohet është shkaku i vizave. Ndërsa çështja e vizave është e hapur qëmoti dhe nuk është bërë ndonjë progres. Vizat nuk do t’i marrim as pas ratifikimit të demarkacionit. Por qytetarët janë mashtruar nga deklaratat e po këtyre individëve, të cilët çdoherë demarkacionin e kanë lidhur me çështjen e vizave. Sepse patjetër dëshirojnë që të ratifikohet. Duke marrë parasysh se nëse ratifikohet demarkacioni sipas versionit të komisionit të parë, Kosova humb në vit mbi 300 milionë euro, lehtë mund të mendohet se këtu po bëhet ndonjë biznes i madh. Edhe njëherë: nëse sasia ujore e cila mbetet nën Malin e Zi valorizohet, do të thotë: sa do të ishte përfitimi nga ai ujë nëse përdoret për energji dhe për ujë të pijshëm? Sipas ekspertëve të gjeodezisë dhe gjeografëve, shuma arrin në mbi 300 milionë euro në vit. Ne e dimë se cilët «biznesopolitikanë» kanë qeverisur në të dy vendet për një kohë të gjatë dhe nuk është larg mendsh se grykësinë e tyre dëshirojnë ta ushqejnë edhe pas daljes nga politika. Kështu që, qytetarë e deputetë të dashur, mos ia zgjatni pushtetin këtyre njerëzve që ia kanë zënë frymën këtij vendi që prej pasluftës. Mos e shfuqizoni Ligjin për Dhomat e Specializuara! Deputetë të nderuar, mos e ratifikoni marrëveshjen për demarkacion se do të hyni në histori si shitësit e tokës së Kosovës, për të cilën dhanë jetën aq shumë njerëz. Njerëzit më të mirë që kishim. Rinia më e përkushtuar dhe më e pastër që kishim.

Deputetë të nderuar, të dashur qytetarë, këto ditë kur të përballemi me mundësinë e vendimmarrjes për këto procese, ndaluni njëherë dhe shihni para syve të juaj të brendshëm ata të rinj që ranë për idealet e lirisë së Kosovës. Ndaluni dhe mendoni se si do të na këshillonin ata! T’i kemi si bashkudhëtarë gjatë këtyre ditëve. Na duhet udhëzimi i tyre, ideali i tyre, drita e tyre për të kaluar këto ditë terri e çoroditjeje. Bëni më të mirën për vendin tonë! Për të ardhmen e fëmijëve tanë! Votoni me nder e me përgjegjësi! Ose edhe më mirë: votoni kundër shfuqizimit të Gjykatës Speciale dhe kundër demarkacionit!