Dëshmitari: Policia më detyroi të dëshmoja kundër Sekiraçës

Driton Hajdari ka mohuar të ketë pasur ndonjëherë konflikt me Enver Sekiraçën.




Gjatë dëshmisë, të dhënë të enjten në gjykimin kundër Sekiraçës, i cili po akuzohet për nxitje të vrasjes së ish-policit Triumf Riza, Hajdari ka thënë se me të akuzuarin nuk ka pasur asnjëherë kontakt, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo deklaratë dallon shumë nga ajo që Hajdari kishte dhënë më 7 dhjetor të vitit 2007 në polici, kur kishte thënë se pas një mosmarrëveshjeje për një borxh të një personi në të cilin kishte ndërhyrë edhe Sekiraça, ai ishte përleshur fizikisht me të dhe me personat e tjerë prezent.

Deklaratën në polici, dëshmitari ka thënë se e kishte dhënë nën presion nga disa policë, të cilit, siç ka thënë ai, e kishin detyruar të dëshmonte kundër të akuzuarit.

Hajdari është i dënuar me 7 vjet burg në rastin «Bllaca 2», në vitin 2013, për vrasje të rëndë të Ibush Kllokoqit dhe vrasje të rëndë në tentativë të Adem Salihajt. Nga ky rast, fajtorë ishin shpallur edhe Shpresim Uka, Sadik Abazi, Shaban Syla e Fahredin Gashi. Ky grup në total ishte dënuar me 54 vjet burgim. Shpresim Uka është ende në arrati.