‹Dëshmitari moral›

«dialogplus» promovoi librin «Në strofullën e djallit» të autorit Shpëtim Pollozhani. Numri i dashamirëve të librit të pranishëm në ambientet e Bibliotekës Pestalozzi Hardau në Cyrih ishte rreth njëqind. Lartë momente nga promovimi, poshtë recensioni.




Libri «Në strofullën e djallit» i Shpëtim Pollozhanit si krijimtari bën pjesë në atë që quhet letërsi e burgut. Si e tillë ajo nuk është e panjohur për lexuesin e interesuar. Dhe kjo nuk është aspak çudi kur ke parasysh numrin e të burgosurve politik shqiptarë dhe kur konsideron formimin dhe vullnetin e këtyre njerëzve. Ndërkohë kjo letërsi është bërë objekt studimesh letrare dhe temash magjistrature e doktorature. Ajo është karakteristike për shoqëritë e Europës jugore dhe lindore. Me përpunimin e temës që trajton, ajo është ngjitur në majat e letërsisë botërore dhe i ka dhënë asaj kryevepra të mirëfillta.

Në parathënien e tij, redaktori i librit konstaton me keqardhje se libra si ky i Shpëtim Pollozhanit nuk parapëlqehen nga rinia. Kjo është vetëm gjysma e së keqes, druaj që fatkeqësia është ende më e rëndë: Letërsia e burgut mjerisht nuk parapëlqehet edhe nga kategori të tjera shoqërore. Konsideratat për veprën e të burgosurve politik, fare, nuk janë më të ndershmet. Ngushëllon vetëm fakti që refuzimi, apo indiferenca ndaj kësaj krijimtarie nuk u referohet vlerave letrare, publicistike dhe dokumentare që ka, por paragjykimeve.

II.

«Të të jap ditë nga jeta ime!», thotë një mirënjohje shqiptare, që është më shumë një përgjërim dhe një dedikim – shprehje që i karakterizon vetëm njerëzit fisnikë dhe bujarë. Pyetje: Çfarë bënë më pak këta të burgosur politik me sakrificën e tyre në dobi të kauzës së tyre – kauzës shqiptare? Dhjetë vite jetë në pjesërisht më pakë se 1,5 metra katror hapësirë. Ku çdo pranverë është një vit burg më pak, por edhe pesë vite më pak jetë. Sepse një vit burg është i barabartë me pesë vite «jashtë». 700 deri 800 vlera kalorifike në ditë përmbante ushqimi i tyre, ndërkaq vetë rregullorja e burgut parashihte 2’500 të tilla. Nga 72 orë pa gjumë dhe tortura të parreshtura, të cilave autori nuk u hy në detaje. Një gjë e tillë nuk është në dinjitetin e këtyre njerëzve, apo sepse është më mirë t’ja lërë në dorëzim imagjinatës së lexuesit, sepse nuk ka njeri që është i zot t’i përshkruajë ato. Ai e ka më të lehtë të rrëfejë për jehonën e klithmave të tre kosovarëve të rënë në tortura dhe gjurmët e thonjëve të tyre që nuk shlyhen dot në muret e qelisë së skëterrës…

Sakrifica e të burgosurve politik nuk ishte një vrull adrenaline, për të cilin bëhesh pishman sakaq. Ata ishin të vetëdijshëm për rebelimin e tyre dhe rrezikun që i priste nga kuraja që treguan. Shpëtim Pollozhani personalisht nuk kishte asnjë zor të ngihej kundër sistemit. Gjyshin e tij e thërrisnin Idriz beu. Familja e Pollozhanit kishte çifligun e vet. Por, mësuesi i gjuhës dhe letërsisë angleze 16 viçave të tij u kishte vënë emrat e 16 anëtarëve të Këshillit Ekzekutiv Federativ të Jugosllavisë, në analogji me «Farmën e kafshëve» të Xhoxh Oruellit. Pollozhani nuk u magjeps kurrë nga karizma e atij që ai e quan Nastradin Hoxha i Jugosllavisë, Josip Broz Tito. Një ndër akuzat për të cilat u dënua Shpëtim Pollozhani ishte fyerja e kësaj perëndie të Jugosllavisë, luftimi i vëllazërim-bashkimit etj. etj. Të gjitha këto së bashku, Shpëtim Pollozhanit i kishin dhënë 13 vjet burg të rëndë. Por, edhe sikur të ishin 130, kjo nuk do të ndryshonte diçka, ai e kishte ndarë mendjen. Derrit dajë nuk i thuhet. Shpëtim Pollozhani e ndërroi çifligun dhe familjen me shokë të idealit, sepse, siç citon ai: «Një mik vlenë sa një çiflig». Dhe bashkë me shokët e tij në burg u betuan që të mos u drejtoheshin kurrë autoriteteve të burgut a të shtetit për amnesti, falje, zbritje të dënimit, apo ndonjë nder tjetër!

Ku shkuan pra vitet e burgut të Shpëtim Pollozhanit me shokë? Ato u investuan në jetëgjatësinë popullatës shqiptare në Jugosllavi përmes ngritjes së vetëdijes kombëtare. Sakrifica e tyre lidhet drejtpërdrejt me moralin e popullatës së shtypur në ish Jugosllavi. Me qëndresën. Ajo i frymëzoi brezat e rinj për kryengritje ndaj rendit të imponuar politik në viset shqiptare në Jugosllavi. Ish të burgosur politik u bënë vet pjesë e luftërave të fundit të shqiptarëve. Disa prej tyre ranë dëshmorë në këto beteja. Më shumë nuk ka ç’të japë njeriu, ky është investim kapital në komunitetin që i takon. Me këtë, kjo plejadë njerëzish u bënë aksionarët mazhoritar të atyre benefiteve që fituan shqiptarët jashtë Shqipërisë.

Secili mat me metrin vet, pohon shpesh autori në libër. Dhe kuti i të burgosurve politik ishte shumë i lartë për politikën – si atë të përfaqësuesve politik shqiptarë, ashtu edhe për atë ndërkombëtare. Për sistemin gjithsesi. Frikë partitë shqiptare, frikë sistemi politik. Ata ngelën barriera e fundit e atyre që s’e kishin me gjithë mend miqëqenien e shqiptarëve, apo ia kishin me hile asaj. U krijuan gjitha ato parti shqiptare në Maqedoni dhe të gjitha përfunduan në prehërin e sistemit. Për kapital politik ato afruan edhe të ish të burgosur politik, të cilët i asimiluan në struktura të tyre, ku ata nuk gjetën kurrë rehat.

III.

Çfarë është në thelb libri «Në strofullën e djallit» i Shpëtim Pollozhanit? Kujt i drejtohet dhe kujt i shërben ai? Me siguri që libri nuk është një stërvitje e kujtesës së autorit. Ai nuk rezulton të ketë karakter promovues dhe nuk shërben për të përkrahur një ambicie komerciale a politike që autori do ta shpallë. Libri nuk është një polemikë me libra të tjerë të kësaj kategorie letrare që demanton, apo përforcon pohime dhe fakte të botuara më herët. Libri nuk është për asnjë moment një faturë që autori i lëshon komunitetit për sakrificën e tij. Këtë ai e ka hallall! As dëshpërimi për vajtjen e punëve keq më vonë, as cinizëmi i njerëzve të veçantë për idealin e tij, nuk e bën atë të pendohet për sakrificën e tij. Libri, në radhë të parë, është përvoja e rëndë prej një dekade e Shpëtim Pollozhanit në dhëmbëzorin më të egër të sistemit totalitar jugosllav, e komprimuar për mirëkuptimin e lexuesit të paduruar në rreth 370 faqe.

Në fakt libri vjen pas dhe para ngjarjesh dramatike në vendlindjen e autorit, të cilat i valorizojnë më shumë kujtimet e tij. Si të tilla rrëfimet e Pollozhanit në libër, në një farë mënyre, janë jo vetëm kujtime të së kaluarës, por edhe të së ardhmes. Ato paralamërojnë një të ardhme të përjetuar. Përmes rrëfimit të tij, Shpëtim Pollozhani tregon fatin e popullit që i kishte rënë hise. Pa dashur ta falsifikoj idenë e autorit, në librin e tij shoh edhe fatin e njeriut në një sitem të përshëndetur me vlerat njerëzore. Dhe veshi që kërkon zëri i Shpëtim Pollozhanit, në gjykimin tim, është një komunitet i gjërë që i kalon kufinjtë e popullit të tij – një opinion i sensibilizuar njerëzor. Sepse edhe vuajtja e tij, në radhë të parë, është njerëzore.

Personalisht, një pjesë të mirë të aktivitetit tim modest publicistik e kam shpenzuar duke afirmuar tezat e një filozofi, të cilat në këtë kontekst më duken më të qëlluara se kurrë. Ato i japin kornizat e asaj se si do të duhej të kundrohej ligjërimi i autorit «Në strofullën e djallit».

Duke marrë shkas nga idiferenca që i karakterizon njerëzit rë raport me fatin e të tjerëve dhe nga një marrëdhënie midis kujtesës dhe sensibilizimit, Margalit Avishai mendon se një etikë e kujtesës, një normë e saj, do të shpiente në një minimum të solidaritetit me të tjerët. Kujtimet që do t’i bashkojnë njerëzit e panjohur janë në parim ato që i bashkojnë pjesëtarët e një grupi etnik. Filozofi afirmon faktin që më shumë se kujtimi në një prejardhje të përbashkët, është kujtimi në një armik të përbashkët që i saldon pjesëtarët e një komuniteti. Atëherë motivi i cili mbërrinë t’i solidarizojë njerëzit, pavarësisht përkatësisë etnike, është armiku i njerëzve: çnjerëzorja. «E keqja radikale» – thotë filozofi. Ngjarja në të cilën do të duhej të kujtoheshim konkretisht është ajo që na rrëfen «dëshmitari moral»! Dhe dëshmitar moral është ai njeri, i cili jo vetëm e ka parë çnjerëzoren, por edhe e ka përjetuar atë. Dëshmitar moral nuk është një njeri që dëshmon për një akt çnjerëzor dhe është i moralshëm në vetvete, por ai i cili konfrontohet me të keqen radikale dhe dëshminë e tij e bën për arsye ekskluzivisht morale. Ai sakrifikon të jetojë, vetëm e vetëm që një ditë t’i dëshmojë një opinioni të interesuar për të keqen e përjetuar. Dëshmitari moral nuk i bindet as dhunës më mizore dhe nuk beson që regjimi i cili e ka pllakosur është zhvillimi i natyrshëm i ngjarjeve. Ai beson fort në një botë tjetër jashta dhunës dhe terrorit. Më tepër se vërtetësia, është njëmendësia që e karakterizon rrëfimin e dëshmitarit moral.

Jam i bindur që në rrëfimin e Pollozhanit lexuesi do të gjejë gjurmë autentike të dëshmitarit moral të Margalit Avishait dhe një histori e cila sensibilizon këdo që e njeh atë.

IV.

Filozofia nuk është e huaj për Shpëtim Pollozhanin. Përsiatjet e tija në burg shoqërohen vazhdimisht me mendime filozofike. Sokrati, Platoni, Seneka, Rusoi, Shopenhaueri, Niçe etj. janë bashkëbiseduesit e tij më seriozë në burg. Ai nuk nguron nganjëherë të polemizojë me to. Libri është jo vetëm një rrëfim i rrjedhshëm biografik, ai shpeshherë merr dimenzionet e një enciklopedie. «Enciklopedi e vuajtjes», e ka quajtur dikush atë. Kompetenca terminologjike me të cilën Pollozhani u referohet gjërave një herë të krijon përshtypjen se autori është mjek, herën tjetër se kemi të bëjmë me një gjeograf, ai her shfaqet si linguist, her si usta… Burgu nuk ishte vetëm privimi nga liria e jashtme, por edhe kufizimi i qëndrimit me shokët në pavjon. Burg jashtë – burg brenda. Burg në burg! Kulminacionin e përbënte patjetër ndalimi pas një kohe e literaturës politike dhe shkencore-shoqërore. Atëherë Pollozhanit iu desh të mjaftohej me literaturë për përpunimin e hekurit, drurit, pëlhurave…

Shpëtim Pollozhani nuk rrëfen vetëm përvojat e tija në burg. Ai analizon fenomene nga më të ndryshmet – delikuencën, nacionalizmin; shqyrton karakteret e të burgosurve, sjelljet e tyre, prejardhjen dhe perspektivën, inteligjencën. Një çoban nga Shkupi e bën atë kurreshtar me analogjitë që tërhiqte ai midis deleve të tija dhe të burgosurve të Idrizovës. Ai secilit të burgosur i kishte dhënë emrin e një deleje, sjelljet e të cilave i kishte studjuar me vëmendje dhe në fund hipotezat e tij i kishte përforcuar me autopsinë që u kishte bërë atyre.

Libri i Shpëtim Pollozhanit është një zhgënjim i madh për atë që nga ai pret vetëm fakte, vuajtje, urrejtje, mburje, politizim… Autori befason jashtëzakonisht këndshëm jo vetëm me temat që zgjedh, por edhe me imagjinatën, lirikën, njerëzoren që rrjedh në rreshtat dhe faqet e librit. Shpëtim Pollozhani e ka vrojtuar për pesë vite me radhë një çift trumcakësh – si e ngrenë folenë e tyre, arkitekturën e saj, sa duhen ata, si dashurojnë, si shumohen, si tradhëtojnë… dhe në fund mërgojnë. Edhe autori arratiset me mendime. Ku tjetër, pos në liqenin e Strugës…, sepse ai ishte betuar të mos e brakstiste kurrë vendlindjen. Kjo ishte pjesë programit të tij politik. Ai vrojton aeroplanët që kalojnë në qiellin mbi burg. Çfarë ndodh në kokën e një të burgosuri kur sheh një aeroplan në qiell, e di vetëm ai…, siguron Pollozhani. Autori rëfen si tingujt e pikave të shiut në çatinë e llamarintë të burgut hetues në Ohër ia miklojnë plagët… Histori, politologji, poezi…

Rrëfimi i Pollozhanit është psikologjik – njerëzor, shumë njerëzor. «Menschlich allzu menschlich», thotë Niçe. Bie në sy mungesa e një keqardhjeje për gardianët, hetuesit, prokurorët, gjykatësit…, që disa ish-të burgosur politik nga perspektiva e sotme u referohen me mirëkuptim dhe gati me respekt. Përshkrimi i Pollozhanit për to mund të bënte minimumi një punim seminarik në fakultetin e letërsisë. Respektin autori ua ka rezervuar miqve të tij, me të cilët ka dergjur në burg dhe patjetër familjes.

Një trishtim të kaplon kur e lexon librin «Në strofullën e djallit» të Shpëtim Pollozhanit. Ai gati të duket i huaj për faktin se për gjithçka përdor shprehje shqipe! Sidomos për shkak të familiarizimit me fjalë të huaja në komunikimin tonë publik. Por, Pollozhani nuk vendos arbitrarisht për fjalën shqipe, ai e kërkon atë me ngulm dhe e gjenë foljen dhe emrin më të pikërishëm për një situatë, veprim, a send.

Libri, në gjykimin tim, meriton një kujdes më të mirë formal dhe teknik. Gjithsesi, për fillim, do kishte qenë interesant një përkthim i rrëfimit në gjuhën maqedonase .