Dëshmi tronditëse në procesin Kumanova: Kosovari dhunohet seksualisht nga policia

I akuzuari për rastin «Lagja e Trimave» para gjykatës së Shkupit ka dhënë një dëshmi skandaloze. Bajram Elshani denoncoi se pas arrestimit, policët maqedonas e kanë dhunuar seksualisht. Avokati i të akuzuarve thotë se ky nuk është rasti i vetëm i dhunës policore ndaj të akuzuarve në incidentin e 9-10 majit në Kumanovë, por më i rëndi dhe çnjerëzori deri më tani.




Dëshmi tronditëse dhe skandaloze kanë dalë të enjten në procesin gjyqësor për rastin «Lagja e Trimave» në Kumanovë. Njëri nga të arrestuarit, Bajram Elshani, për herë të parë denoncoi publikisht se pjestarët e policisë maqedonase kanë ushtruar dhunë seksuale ndaj tij pasi ai ishte dorëzuar. Elshani nuk dha më shumë detaje, pasi ndihej shumë i turpëruar, vetëm tha se nga ajo ditë ai nuk ka më dëshirë për jetë.

«Në stacionin policor në Shkup dy pjesëtarë të policisë më dërguan në WC, ku njëri nga këta është zhveshur dhe më pas më vjen turp të tregoj çka ka ndodhur», tha i akuzuari Bajram Elshani. Në dëshminë e tij para gjykatës së Shkupit, ai tha se disa herë ka pasur mundësi t’i sulmojë policët maqedonas edhe para 9 dhe 10 majit, por nuk e ka bërë këtë. Kjo, sipas tij, dëshmon se ata nuk kishin hyrë në Maqedoni për luftë, por për t’u ndihmuar shqiptarëve pas bisedave që kishin dëgjuar nga të ashtuquajturat bomba të Zaevit.

Duke folur për mënyrën e dorëzimit, Elshani tha se ata ishin dorëzuar pas garancive që kanë marë nga Artan Grubi, deputet i BDI-së, se gjoja grupin e pret OSBE dhe pjestarët shqiptarë të policisë së Maqedonisë. Torturat e shumta ndaj të arrestuarve në incidentin e 9 dhe 10 majit të vitit të kaluar në Kumanovë i konfirmoi edhe avokati mbrojtës Naser Raufi. Por, sipas tij, rasti i Elshanit është më i rëndi dhe më çnjerëzori që ka ndodhur deri më tani.

«Jo vetëm i akuzuari Bajram Elshani, por deri tani 22 apo 23 sa kanë dëshmuar prej të akuzuarve, të gjithë janë ankuar, që është një masë enorme, një mënyrë çnjerëzore që civilizimi nuk e mban mend ndoshta. Domethënë, mund të them lirisht që terrori është bërë praktikisht nga ana e njësive speciale në një mënyrë të egër, johumane dhe këto lëndë janë të procesuara te prokuroria e rregullt… Dhe, u vërtetua edhe ajo punë që deri tash përsëritet tërë kohën: prej periudhës së paraburgimit, praktikisht prej 10 majit, deri ndoshta para një muaji kur u ndërpre, dhuna ka qenë në kontinuitet», tha avokati mbrojtës Naser Raufi.

I akuzuari tjetër që u paraqit para gjykatës në seancën e së enjtes ishte Nexhmedin Lika. Ai tha poashtu se në Maqedoni nuk kishte ardhur për të luftuar, por për një rast krejtësisht personal. Lika tha se në Prishtinë ishte takuar me Xhafer Zymberin dhe Beg Rizajn, të cilët i kanë premtuar se do mund t’ia zgjidhnin një problem që ai e kishte në Maqedoni. «Ata më thanë se kanë një person të fortë në Maqedoni, edhe atë në shërbimin sekret, që mund të më ndihmojnë në zgjidhjen e problemit tim dhe kështu së bashku me Xhaferin dhe dy djem të tjerë erdha në Maqedoni duke ndjekur rrugën malore. Pastaj shkuam në një hapësirë që ishte shumë e madhe, takuam shumë njerëz, por nuk u bisedua për çështjen time, pastaj edhe dy herë të tjera më thanë do të takohemi tek një rrugë më poshtë, do takohemi tek një rrugë tjetër dhe nuk u takuam aspak me personin për të cilin kisha ardhur këtu», sqaroi Lika.

Kur e kishte kuptuar se nuk do të zgjidhet problemi i tij, Lika tha se kishte tentuar të kthehet në shtëpi, por Beg Rizaj, Xhafer Zymberi dhe Mirsad Ndrecaj nuk e kanë lejuar. «Pashë që kisha ardhur gabim këtu dhe kështu vendosa të kthehesha, por Mirsad Ndrecaj më tha se nëse shkon, atëherë për çfarëdo që të na ndodh neve, do të jesh i përfshirë edhe ti, si tradhtar dhe si bashkëpunëtor, kështu vendosa të qëndroj», dëshmoi i akuzuari Nexhmedin Lika.

Në prononcimin para mediave pas përfunimit të seancës, avokati Naser Raufi, tha se të gjithë të akuzuarit në deklaratat e tyre para gjykatës kanë dëshmuar se në Maqedoni nuk kanë ardhur për para. Ata, siç tha Raufi, kishin ardhur për diskriminimin e vazhdueshëm që u bëhet shqiptarëve të Maqedonisë, si dhe për implementimin  e Marrëveshjes së Ohrit.