Dervish Cara, një figurë e heshtur

Ndër ngjarjet më të rëndësishme të shekulliti XX në mesin e shqiptarëve ishte kryengritja e Dervish Carës. Epiqendra e saj ishte Pollogu. Të dhënat më të sakta për personalitetin e Dervish Carës janë shënimet e diplomatit anglez Henry Layard.




Kryengritja e Dervish Carës ishte njëra ndër kryengritjet me shtrirje më të gjerë në Ballkan gjatë shekullit të XIX. Megjithatë, asaj shumë pakë i është dhënë hapësirë në trajtesat historike. Autori i parë i cili është marrë më gjerësisht me këtë temë është historiani nga Shkupi Alenksandar Matkovski, i cili asaj i kushtoi një monografi me titull: «Kryengritja e Dervish Carës» të cilën e botoi «Flaka e Vëllazërimit» në Shkup në vitin 1985, të përkthyer në shqip nga dorëshkrimi në maqedonisht. Vepra e njëjtë është ripërkthyer nga dorëshkrimi origjinal i autorit dhe është botuar në vitin 2012 nga shtëpia botuese «Brezi», Tetovë. Në vitin 1994 në Tetovë Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni organizoi një simpozium kushtuar ngjarjeve të ndërlidhura me kryengritjen e Dervish Carës. Kumtesat e këtij simpoziumi u botuan po këtë vit në një libër të veçantë me titull «Pollogu Gjatë Shekujve». Në Historinë e Popullit Maqedonas në tre vëllime në vitin 1969 për kryengritjen është shënuar vetëm ky resht: «Myslimanët e Malit të Zi të Shkupit dhe nga Tetova, u çuan në kryengritje nën udhëheqjen e një dervishi…»

Në lidhje me figurën e Dervish Carës dhe kryengritjen të cilën e udhëhoqi ai ekzistojnë burime të ndryshme, kryesisht raporte konsullore. Përveç raporteve osmane që dërgoheshin në kryeqendrën e Perandorisë Osmane në Stamboll, ngjarjet ndiqeshin edhe nga qarqet tjera, si nga diplomatët britanikë e francezë, organet e shtetit serb, murgjit e manastireve etj. Njëri ndër personalitetet që pati mundësi të takohet me Dervish Carën gjatë kryengritjes, dhe pas saj, ishte diplomati britanik Austen Henry Layard i cili në atë kohë shërbente në Perandorinë Osmane.

Për origjinën e Dervish Carës kanë shkruar autorë të ndryshëm, mirëpo ata shpesh edhe e kanë ngatërruar dhe shkruar në variante të ndryshme emrin dhe mbiemrin e tij, në disa raste edhe duke e quajtur dervish. Në xhaminë e vjetër të Vrapçishtit gjendet një mbishkrim, i cili flet për ndërtimin e xhamisë, me këtë përmbajtje: «Këtë xhami e ndërtoi bamirësi Carenli Iljas-aga, i biri i Sulejmanit, kurse muret i ndërtoi Sulejmani. Viti 1271». Viti 1271 është sipas kalendarit të hixhrës, ai përket me periudhën mes viteve 1854-1855. Sipas këtij mbishkrimi del që prejardhja e mbiemrit Cara është nga vendbanimi Caren.

Shkaqet e kryengritjes

Arsyet e shpërthimit të kryengritjes ishin të ndryshme, ato ndërlidheshin me reformat të cilat po zbatonte Perandoria Osmane, e që reflektoheshin me tatime më të larta për popullsinë dhe përjashtimin e formës së deriatëhershme të organizimit të shtetit. Me reformat e reja, edhe pashallarët lokalë i humbnin pozitat e tyre udhëheqëse dhe gjithsesi edhe privilegjet, andaj ata gjithashtu kishin interes të mbështesnin kryengritjen. Megjithëse reformat hapnin rrugën e modernizimit, ato mes tjerash impononin edhe rekrutimin për shërbim ushtarak, i cili zgjaste rreth 15 vite dhe kryhej në vise të largëta të perandorisë. Deri atëherë shërbimi si ushtar bëhej pranë njësiteve të parregullta dhe rekrutët paguheshin. Zbatimi i reformave të këtilla për shkak të reagimit të popullsisë vendase u bë pjesë-pjesë në hapësira të ndryshme. Pikërisht zbatimi i tyre përputhet me viset e shtrirjes së kryengritjes, respektivisht rreth pesë-gjashtë vite pasi ata u zbatuan. Rezistenca ndaj rekrutimit zbatohej në forma të ndryshme, përfshirë edhe dezertimin dhe bashkëngjitjen me kryengritësit.

Në lidhje me kërkesat e kryengritësve një gazetë ditore në Petersburg kishte shkruar: «Prijësit e kryengritjes e lajmëruan komandantin e forcave turke se mund t’i dorëzojnë armët, por me kusht që edhe atyre t’u jepen të drejtat e ngjashme me ato të Serbisë».

Ndër arsyet vendimtare për shpërthimin e kryengritjes ishte likuidimi i pashallarëve të Tetovës, respektivisht vëllezërve: Hivzi-pasha që sundonte në Shkup, Hysein-pasha në Qustendil dhe Abdurahman-pasha që sundonte në Tetovë, të cilët që për nga forma e qeverisjes ishin gjysmë të pavarur. Vëllezërit mes veti i acaruan marrëdhëniet dhe për këtë arsye Porta e Lartë i thirri në Stamboll, me ç’rast ata u burgosën, e më pas Husein-pasha dhe Abdurahman-pasha u internuan në Anadoll, ndërsa Hivzi-pasha vdiq në burg. Arritja e lajmeve të këtilla e acaroi popullatën e këtyre pashallarëve. Në vend të Hivzi-pashës si i dërguar i sulltanit në Shkup u emërua Qorr Mehmed-pasha, ndërsa Abdurrhaman-pashën e trashëgoi vëllai i tij, Xheladin-beu. Likuidimin e pashallarëve të Tetovës si shkak për shpërthimin e kryengritjes e përmendin edhe diplomatët e huaj – ai rus Hitrov, konsulli francez Grie si dhe konsulli anglez në Selanik, Blant.

Shtrirja e kryengritjes

Para se të fillojë kryengritja e Dervish Carës e tërë situata në mesin e shqiptarëve ishte e tensionuar dhe marrëdhëniet mes autoriteteve osmane dhe popullsisë shqiptare ishin acaruar tej mase. Megjithëse Porta e Lartë në forma të ndryshme ishte munduar ta qetësonte gjendjen, ajo nuk ia kishte arritur të vendos qetësinë, për shkak se çështjet me rekrutimin e shqiptarëve në ushtri nuk ishin ndalur.

Në bazë të të dhënave të konsujve, kryengritja e Dervish Carës pikënisjen e ka në Gostivar, ku udhëheqësi i saj Dervish Cara ishte drejtues dhe zëvendës i Xheladin Beut. Dervish Cara ishte nga Pallçishti. Data e saktë e fillimit të kryengritje nuk dihet, mendohet të ketë qenë nëntori i vitit 1843. Konsulli francez nga Selaniku më 12 dhjetor të vitit 1843 raportonte se një korpus osman i përbërë prej rreth 32’000 ushtarësh kishte arritur në Manastir, me qëllim që të luftojë kundër kryengritësve të udhëhequr nga Dervish Cara, i cili pas Gostivarit, në janar, e kishte shtënë në dorë edhe Tetovën. Duke e parë se është e pamundur të ndal vrullin e kryengritësve, Xheladin-beu vendosi ta rrënojë Tetovën me topa. Thuhet se për këtë gjë e ka penguar nëna e tij. Tetova më pas u bë qendër e kryengritësve dhe aty, por edhe në Gostivar, Dervish Cara shpesh ka mbajtur fjalime. Qendra e kryengritësve ishte Teqeja Harabati Baba në Tetovë. Më pas qendër e veprimeve të tyre u bë Shkupi, ku numri i kryengritësve sillej nga 6’000 deri në 10’000. Në fillim të shkurtit të vitit 1844 edhe shqiptarët e Kumanovës iu bashkëngjitën kryengritjes, me ç’rast edhe ata e çliruan Kumanovën, e më pas trupat kryengritëse morën në dorë edhe Kriva Pallankën.

Kryengritësit që hynë në Shkup më pas iu drejtuan grykës së Kaçanikut dhe në mars shtinë në dorë Prishtinën. Kryengritja u shtri edhe në Shkodër dhe në Vranjë. Nga gjysma e janarit në rrethinën e Vranjës ishin paraqitur rreth 3’000 deri 4’000 kryengritës të armatosur të udhëhequr nga Dervish Cara, Selim Markoja dhe Sulejman Toli. Gjatë rrethimit të Vranjës ishte vrarë Selim Markoja. Kryengritësit e morën Vranjën në prill të vitit 1844 dhe e zgjodhën Nesim-beun si pasha të Vranjës. Në fund të gushtit të vitit 1844, për shkak të pakënaqësive të akumuluara, kryengritja shpërtheu edhe në rrethinën e Dibrës dhe të Matit.

Porta e Lartë bëri përpjekjet e saja për shuarjen e kryengritjes duke e vendosur një pjesë të ushtrisë në Tetovë, nën komandën e Hajredin-pashës. Këta trupa u drejtuan drejt Mavrovës për t’u ndeshur me kryengritësit dhe më 23 shtator 1844 u futën në Dibër. Forcat osmane njëkohësisht bënin edhe rekrutimin me forcë të ushtarëve për në ushtrinë osmane.

Masat për shuarjen e kryengritjes

Meqenëse kryengritja ishte zgjeruar në masë, edhe pushteti osman i kishte marrë masat e nevojshme për shuarjen e saj, duke bërë grumbullimin dhe pozicionimin e forcave ushtarake në afërsi të krahinave kryengritëse. Plani osman ishte sulmimi i kryengritësve rajon pas rajoni, e jo të gjithë menjëherë. Njëkohësishtë Porta e Lartë u mundua që me anë të bisedimeve t’i bindë kryengritësit të tërhiqen. Në Manastir filloi të vërehet grumbullimi i forcave të mëdha ushtarake që vinin nga limani i Selanikut, ku komandën nga 10 prilli i vitit 1844 e kishte marrë Hajredin-pasha, ndërsa si komandant i pararojës osmane ishte emëruar Omer-pashë Llatasi.

Ky i fundit ishte lindur në Ogulin të Kroacisë, në familje të krishterë. Më vonë kishte kaluar në Perandorinë Osmane dhe ishte konvertuar në mysliman, duke u futur në radhët e ushtrisë. Me ardhjen e pranverës forcat osmane filluan lëvizjet e tyre. Kryengritësit kishin arritur deri në grykën e Katllanovës. Hajredin-pasha kishte hyrë në negociata me kryengritësit në Shkup për të provuar përfundimin e kryengritjes me mjete paqësore. Si ndërmjetës në bisedime hyri Lejardi, i cili njëkohësisht ka dhënë përshkrimin më të përafërt të kryengritësve dhe të vet Dervish Carës. Lejardi udhëtoi nga Stambolli me kërkesë të ambasadorit të Anglisë në Stamboll Straford Kening, i cili i kishte premtuar një vend të përhershëm pune në ministrinë e punëve të jashtme nëse e kryente me sukses këtë mision.

Takimin me Dervish Carën e ka përshkruar në këtë mënyrë: «Prijësi i kryengritësve dallohej prej tyre vetëm përmes palltos së zbukuruar në mënyrë të veçantë, me jelekun karakteristik të gegëve dhe me armën e zbukuruar me argjend… Edhe pse njeri i pashkolluar, pa asnjë epoletë, i cili, vetëm në saje të guximit dhe ndikimit të tij, morri mbi vete komandën e kryengritjes antiturke, më priti me urtësi. Ngjashëm si njerëzit e tij, edhe ai mbante qëndrim krenar dhe ishte çuditërisht gjakftohtë. Kur e kuptoi se nuk kam ngrënë, porositi ushqim që përbëhej nga buka e zezë dhe orizi i zier… Pasi i dëgjova ankimet e gegëve kundrejt Portës, Dervisha Cara deklaroi se ata kanë vendosur të mos e pranojnë pushtetin turk në malet e tyre, të mos u nënshtrohen ligjeve të reja të Tanzimatit dhe të mos e pranojnë rekrutimin si nizamë…

Kur u afrua mbrëmja, sollën për prijësit enë të mëdha të mbushura me oriz të zier, të përzier me mish. Kjo haje me bukë të zezë përbënte ushqimin e tyre të zakonshëm. Kur u errësua plotësisht, të gjithë u përgatitën për lojë. Shkuam te një vend i hapur e i gjerë në mes të pyllit, ku ishin tubuar edhe luftëtarët. Disa qindra prej tyre u kapën për duarsh dhe nisën të rrotullohen, duke i lëvizur hapat me ritmin e tupanëve, tingujt e një borie dhe të zurlës piskatëse, duke prekur dheun me thembra e duke i luhatur krahët para dhe pas…

Fustanellat e bardha të shqiptarëve, armët e tyre të ndritshme, shprehja e tyre e egërsuar dhe e ndriçuar me një dritë të kuqe dhe të pasigurt – gjithë kjo ofronte një skenë të paharrueshme, të egër dhe piktoreske. Të nesërmen vazhdova bisedat me Dervish Carën, i cili i shtroi argumentet e njëjta. Ishin të gatshëm të pajtohen me të gjitha përveç rekrutimit. Misioni im te Dervish Cara u tregua i pasuksesshëm, prandaj u ktheva te Omer-pasha, të cilit i raportova për gjithçka që ndodhi. Darkova me të, kurse pastaj u tërhoqa që të pushoj në një tendë të vogël që gjendej pranë tendës së tij…»

Meqë ndërmjetësimi nuk dha fryte, forcat osmane filluan aksionin. Së pari trupat osmane nga Manastiri, të përbëra kryesisht nga shqiptarë, u dërguan në Kërçovë për të ndihmuar garnizonin osman që ishte i rrethuar në kala dhe që i kishte përfunduar rezervat. Trupat osmane të udhëhequra nga Hajredin-pasha pas konfrontimit me kryengritësit hynë në Kërçovë. Pas Kërçovës ato u përballën me kryengritësit në grykën e Katlanovës. Duke pasur parasysh që ushtria osmane kishte futur në përdorim edhe artilerinë, epërsia kaloi në anën e tyre. Nga Katllanova deri në Shkup kryengritësit u ndeshën në disa vende me ushtrinë osmane, e cila hyri në Shkup, duke i ardhur në ndihmë garnizonit osman që qëndronte i ngujuar në kala.

Me arsyen se dëshiron të hyjë në bisedime, Hajredin-pasha, i cili posa ishte emëruar kajmekam i Shkupit, i arrestoi të gjithë prijësit e kryengritjes që ishin ftuar për bisedime dhe u dërguan në pranga në Selanik e më pas në Stamboll.

Pas depërtimit të forcave osmane në Shkup, ata ndërmorën veprime të mëtejshme për shuarjen e kryengritjes. Kryengritësit u ndanë në tre drejtime dhe pas tyre edhe forcat osmane vijuan ndjekjen, duke iu drejtuar Tetovës që llogaritej si epiqendra e kryengritjes. Pas kundërshtive dhe ndeshjeve me kryengritësit, më 25 maj 1844 forcat osmane hynë në Tetovë, të udhëhequra nga Dali-beu, Hakif-pasha dhe Ali-beu. Pas marrjes së Shkupit Omer pasha u nis drejt Kumanovës dhe Vranjës. Kryengritësit e Vranjës udhëhiqeshin nga Suliman Toli. Pas marrjes së Vranjës Omer-pasha u kthye në Shkup, prej nga u nis në drejtim të Kaçanikuit dhe Prishtinës, ku pas rezistencës së kryengritësve e vendosi autoritetin e Portës edhe në këto vise.

Pas shuarjes së kryengritjes së Dervish Carës shumë bejlerë, agallarë dhe pashallarë shqiptarë u zhdukën nga skena duke u internuar, vrarë apo iu marrë pasuria. Dervish Cara u zu rob më 19 maj 1844 nga trupat e Omer-pashë Llatasit në betejën e Katllanovës. Më pas ai ishte dërguar nga Shkupi në Selanik, e më pas në Stamboll. Në burgun e Selanikut për ta takuar Dervish Carën shkoi edhe konsulli francez. Nga fundi i vitit 1844 në Stamboll u organizua procesi gjyqësor, ku i akuzuar kryesor ishte Dervish Cara, i cili kishte marrë mbi vete të gjithë përgjegjësinë e kryengritjes. Ai dënohet me vdekje, por më pas dënimi u zëvendësua me burg të përjetshëm. Rreth fundit të jetës së Dervish Carës nuk dihet gjë. Nga gojëdhënat thuhet që ka vdekur në Stamboll.

Ndër të dhënat e fundit të shkruara që hasen për Dervish Carën janë ato të diplomatit anglez Lejard, i cili e kishte takuar personalisht Dervish Carën. Në Kujtimet e tij ai ka shkruar për takimin e fundit me të në vitin 1845 në një lagje të Stambollit: «Dervish Cara, i mbetur pa përkrahjen e shumë prijësve kryengritës të cilët u burgosën dhe i braktisur nga ithtarët e tij, u dorëzua shpejt. Një vit më vonë, kur udhëtova nga Pera në Bujukdere, takova një grup të burgosurish të lidhur me zinxhirë të cilët e riparonin udhën. Njëri prej tyre m’u afrua dhe duke ma dhënë dorën më kërkoi para për të blerë duhan. M’u duk sikur e njihja. Ai ishte Dervish Cara, prijësi i Gegëve. Fola pak me të dhe i dhashë para për të blerë duhan. Më nuk e takova kurrë dhe nuk kuptova asgjë për fatin e tij».