Deri 15 vjeç të mbarë, pastaj të mbrapshtë

Analiza më e re e shprehive të varshmërisë paraqet një gjendje joideale. Sidomos te të rinjtë e rritur.

Foto: Antonio Guillem / Shutterstock.com



Dëmet nga shprehitë e varshmërisë të zviceranëve janë 11’000 të vdekur dhe 10 miliardë franga. Kështu e transmeton «20 Minuten» raportin më të ri të «Sucht Schweiz» («Varshmëria Zvicër»). Kjo është një analizë e trendeve të konsumit. Ajo nxjerr që 25 për qind e qytetarëve pin cigare, 20 për qind pin shumë ose shpesh alkohol, ndërsa tre për qind e tyre në muajt e fundit kanë marrë kanabis. Këtyre iu shtohet edhe një përdorim problematik i internetit.

Në total, shprehitë konsumatore nuk kanë ndryshuar esencialisht. Ajo që bie në sy janë ndryshimet te 15 deri 19-vjeçarët, të cilët po konsumojnë më shumë cigare, alkohol e kanabis dhe nuk dihet saktësisht përse. Në fakt, 11 deri 15-vjeçarët janë bërë më të përmbajtur, kurse 15 deri 19-vjeçarët po konsumojnë më shumë substanca narkotike.

Një fenomen i tillë duket edhe te duhanpirja – te 11 deri 15-vjeçarët ajo po bie, kurse te 15 deri 19-vjeçarët po rritet. Njëlloj ngjet edhe me kanabisin. Një lajm i mirë është se të rinjtë e rinj tregojnë një vetëdije më të lartë shëndetësore ose për parandalimin e varshmërisë. Pastaj është vërejtur një «ngujim» i të rinjëve nëpër shtëpi, që i mban ata larg nga substancat që krijojnë varshmëri.

Përhapja e internetit sidomos përmes telefonëve inteligjentë, po bëhet një problem. 95 për qind e 12 deri 19-vjeçarëve disponojnë me një ‹smartphone› dhe i kalojnë disa orë në ditë në internet – në mesenxher, me lojëra dhe filma. Për pasojë, të rriturit kanë depresione ose frikëra; të rinjtë kanë probleme familjare, nuk kanë hobi, kanë pengesa në vëmendjen apo edhe hiperaktivitet.

Të dhënat e raportit nganjëherë janë shqetësuese. 1 për qind e popullatës po e humb kontrollin mbi konsumin. Tek 15 deri 19-vjeçarët janë 7,4 për qind. Në 300’000 shkon numri i atyre që manifestojnë një përdorim të rrezikshëm. ks