Deputetja Vjosa Osmani-Sadriu denoncon shpifësit pas lajmit të rrejshëm se nuk është lejuar të takojë Joe Bidenin

Deputetja më e votuar në historinë politike të Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, i ka quajtur analfabetë, kriminelë dhe servilë të gjithë ata që hodhën në portale dhe media sociale shpifjen se emri i saj qenkësh fshirë nga lista e politikanëve që do takonin nënpresidentin amerikan Joe Biden.

Vjosa Osmani-Sadriu, deputete e LDK-së.

Pas njoftimeve spekulative në portale të ndryshme dhe në media sociale se deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, i është pamundësuar takimi me nënkryetarin amerikan, Joe Biden, ka reaguar vetë deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ajo i ka quajtur njoftimet e tilla shpifje të rënda, të orkestruara nga kriminelë e servilë, të cilët operojnë me metoda komuniste. Në reagimin e saj Osmani-Sadriu shkruan: «Mbrëmë vonë, pasi morën urdhërat e tyre nga persona tashmë të njohur, disa analfabetë që të vetmën gjë në CV-në e tyre jetësore e kanë servilizmin e jargavitjen pas kriminelëve, e paskan dezinformuar opinionin se emri i Vjosa Osmanit është larguar nga Ambasada Amerikane nga lista e të ftuarve. Këto të ashtuquajtura portale, që nuk dua t’ua përmend emrin sepse edhe ashtu thuaja askush nuk i lexon e as nuk ju beson, marrin guximin të gënjejnë në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke ua mveshur një veprim me të cilin ky shtet, e as Ambasada në vendin tonë, nuk ka asgjë të bëjë. Po si nuk ju shkoi mendja, në emër të gazetarisë profesioniste, të pyesnit Ambasadën nëse ajo vërtetë e ka bërë një gjë të tillë, por u mjaftuat me gënjeshtrat e analfabetëve-kriminelë sikur ju, të cilët nuk e njohin as punën, as parimin e as interesin shtetëror sepse janë ngritur aty ku janë vetëm nëpërmjet gënjeshtrave e shpifjeve ndaj të tjerëve. Natyrisht, metodat e tilla komuniste të shpifjes e denigrimit personal ka kohë që kanë zënë vend në skenën tonë politike dhe në disa pseudo-portale që i kontrollojnë ose i kanë krijuar rishtazi».

Deputetja Vjosa Osmani-Sadriu thekson se listat dhe ftesat për deputetët për inaugurimin e rrugës me emrin e djalit të nënpresidentit Biden janë përgatitur nga Qeveria e Kosovës e jo nga Ambasada Amerikane. «Për të konfirmuar këtë, mund t’i drejtoheni vetë me pyetje Ambasadës. Për dallim nga Qeveria e Kosovës (e cila më bënë nder sa herë më largon nga listat që i përgatitë), Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shumë mirë e njoftuar për relacionet e mia me këtë shtet mik. Tekefundit, jam e vetmja deputete që ligjëroj në një Universitet në SHBA, paguaj taksa në SHBA, kam kryer edhe Master edhe Doktoraturë në SHBA dhe kam fituar bursa nga Departamenti i Shtetit Amerikan (e asnjë cent nga Qeveria e Kosovës), kam marrë pjesë në disa prej programeve më prestigjioze të financuara nga shteti amerikan, por mbi të gjitha, kam kaluar vite të tëra duke njohur popullin amerikan: profesorët, studentët, punëtorët, të papunët, grupet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, diplomatët, senatorë e kongresmenë, e shumë e shumë të tjerë. Parimet e demokracisë i kam mësuar në atë shtet, dhe nëse mund t’ju siguroj për një gjë, ajo është që çdo veprim i imi politik dhe çdo votë e imja do të jetë në përputhje të plotë me ndërgjegjen time dhe me argumentet që i kam përpara. Kështu më ka mësuar Amerika dhe kështu do të veprojë. Këtë ia kam borxh jo vetëm qytetarëve të Kosovës e votuesve të mi, por edhe qytetarëve të Shteteve të Bashkuara, me taksat e të cilëve jam shkolluar për 7 vite me rradhë».

Në fund të reagimit të saj deputetja më e votuar në historinë politike të Kosovës u ka rikujtuar shpifësve se gjatë karrierës së saj ka takuar gati të gjithë politikanët e nivelit më të lartë në Washington dhe këtë e ka arritur falë punës së saj, pa ndihmën e politikës apo të partisë.