Deputeti gjerman Michael Brand: «Retorika nacionaliste serbe e njëjtë si para luftërave të Millosheviqit»

Ballkani perëndimor po përfshihet nga kriza, nacionalistët po forcohen. Tani qeveria e SHBA-ve ka vendosur sanksione kundër liderit të serbëve të Bosnjës. Edhe Berlini dhe Brukseli duhet të reagojnë, kërkon politikani i CDU-së Michael Brand. «Der Spiegel Online» shkruan mbi zhvillimet e fundit në Bosnjë dhe Kosovë.

Michael Brand.



Nën hijen e krizave të mëdha në Siri dhe në Ukrainë në juglindje të Europës po ziejnë konflikte, të cilat nga pikëpamja e vëzhguesve në çdo kohë mund të kalojnë në ballafaqime të përgjakshme. Sidomos krizat në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë po zgjerohen sërish në mënyrë të rrezikshme.

Politologu boshnjako-austriak Vedran Xhihiq së fundi i bëri një prezantim të errët Ballkanit perëndimor. Demokratizimi i rajonit, sipas tij, qëmoti është vënë në pyetje. «Ndërkohë gjithçka është përsëri e hapur dhe shumë skenarë janë të mundshme», tha ai për «Spiegel Online».

Së fundi lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, injoroi vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës, e cila i kishte shpallur të paligjshëm festimin e 9 janarit si ditë nacionale të serbëve. Arsyetimi: ajo datë përjashton qytetarët kroatë dhe myslimanë të shtetit. Me këtë ditë festive serbët e Bosnjës shënojnë 9 janarin 1992 – tre muaj para fillimit të luftës civile në Bosnjë (1992-1995) ata shpallën Republika Srpskan, e cila sot është republikë përbërëse e Bosnjë-Hercegovinës.

Dodiku – qe shtatë vjet presidenti i republikës së serbëve – nuk respektoi vendimin e gjykatës. Para dhjetë ditësh në Banjallukë, qytet i banuar nga serbët, marshuan policë, zjarrfikës, veteranë lufte dhe studentë. Dodiku tha: «Ne nuk do të heqim dorë nga identiteti ynë, nga shteti ynë dhe nga republika jonë serbe».

Parada në Banjallukë alarmoi qeverinë aktuale të SHBA-ve. Ministria amerikane e Financave vendosi sanksione kundër Dodikut personalisht: pasuria e tij eventuale, e cila i nënshtrohet gjyqësisë amerikane, është bllokuar. Po ashtu qytetarët amerikanë nuk guxojnë të bëjnë biznese me të. Arsyetimi: ai është duke e shkelur marrëveshjen e paqes, e cila ishte arritur në fund të luftës.

Hapi i palës amerikane nga mesi i javës duket se në Berlin deri më tani është vërejtur pak. Së paku këtë përshtypje e ka kryetari i Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Bundestag, Micheal Brand. Politikani i CDU kërkoi të enjten në bisedë me «Spiegel Online»: «Tani kërkohet një reagim efektiv kundër luftënxitësve politikë në Ballkan». Diplomatët në Berlin dhe Bruksel nuk bën «të qëndrojnë indiferentë, koha po kalon».

Brand thotë se nacionalistët në Bosnjë, Kosovë dhe Serbi aktualisht po testojnë se sa larg mund të shkojnë. «Pas sinjalit të fuqishëm nga SHBA-të Gjermania dhe Be nuk duhet të fshihen më tutje – mungesa e reagimit është po ashtu reagim. Politikanët e gabuar do ta kuptojnë shumë mirë këtë mesazh».

Brand merret me Ballkanin më shumë se dy dekada, nga mesi i viteve ’90 ai një kohë ka studiuar në Sarajevë. Ai është i bindur se Dodik, i cili në vitin 2018 ka paralajmëruar një referendum mbi shkëputjen e Republika Srpska, në aspektin afatgjatë do ta ndajë Bosnjën. «Paralajmërimi i Dodik për zhvendosjen e njëanshme të kufijve në Europë është një lojë e rrezikshme me zjarr. Kur të ndizet tërë fuçia, do të jetë vonë», thotë Brand.

Brand kërkon nga ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier një «reagim të shpejtë dhe të qartë». Sipas tij, forcat e moderuara në Ballkan presin përkrahje nga Europa dhe sidomos nga Gjermania.

«Spiegel Online» ka mësuar nga qarqet e informuara mirë në Berlin se tani për tani nuk duket se do të ketë sanksione kundër Dodikut. Qeveria gjermane dëshiron të ndikojë me mjete të tjera. Së fundi në konfliktin e brendshëm në Maqedoni Steinmeier kishte ndërhyrë disa herë – publikisht dhe prapa kulisave.

Sa i ndjeshëm është rajoni për konflikte nacionaliste tregoi së fundi përpjekja e palës serbe për ta dërguar në ish-krahinën e Kosovës një tren të blerë në Rusi dhe të dekoruar me parullën «Kosova është Serbi» (në shqip dhe në shumë gjuhë të tjera). Qerrja hekurudhore – në brendi e stolisur me pamje të kishës serbo-ortodokse – pritej të shkonte nga Mitrovica në veri të Kosovës. Në këtë pjesë serbët përbëjnë shumicën, por janë pakicë në këtë vend kryesisht mysliman. Prej se Kosova më 2008 është shkëputur nga Serbia dhe është pranuar prej më shumë se 100 shteteve, forcat nacionaliste në Beograd duan ta rikthejnë atë.

Udhëtimi me tren dështoi: pas tërheqjes së vërejtjes nga Kosova kryeministri serb Aleksandër Vuçiq qe i detyruar ta ndalë trenin në territorin serb.

Politikani i CDU Brand është i alarmuar nga ky rast. «Kjo s’ndodh rastësisht», thotë ai me shqetësim. «Është e njëjta retorikë nacionaliste si para luftërave të Millosheviqit në vitet ‘90». (-lli)