Deputetët nisin të arrijnë në Kuvend

Nga ambientet e Kuvendit të Kosovës raportohet se kanë nisur të arrijnë deputetët, të pozitës e të opozitës, të cilët u larguan nga seanca pak pas fillimit, në orën 11, kur ajo u ndërpre pasi deputetët e opozitës sulmuan me vezë kryeministrin Isa Mustafa, që po raportonte për marrëveshjet e Brukselit.




Por ende nuk dihet nëse do të vazhdojë seanca, meqë deputetët e opozitës kanë deklaruar se do të vazhdojnë ta pengojnë raportimin e kryeministrit, deri sa ai të mos tërheq nënshkrimet nga marrëveshjet, të cilësuara prej tyre si të dëmshme për Kosovën e shqiptarët, raporton Koha.net. Nga ana tjetër deputetët e pozitës presin që ajo të vazhdojë, aq më parë kur nga opozita ishte kërkuar që kryeministri të raportonte për këto marrëveshje.

Puna e Kuvendit, si rendomë, po ndiqet edhe nga diplomatë të akredituar në Prishtinë si dhe nga prania ndërkombëtare në vendin tonë.

Veprimet e opozitës i kanë dënuar, duke i cilësuar si të papranueshme, presidentja e vendit Atifete Jahjaga, dhe Qeveria e Kosovës.

Seanca ende nuk ka nisur, ndonëse ishte ftuar të riniste nga ora 14.