Deputetët ftohen që ta votojnë ligjin për Obiliqin

Komunës së Obiliqit po mendohet të i ofrohet trajtim i veçantë përmes një ligji, për të cilin pritet që të enjten të diskutohet në Kuvendin e Kosovës.




Këtij diskutimi i parapriu vizita e kryetarit të legjislativit, Kadri Veseli në këtë komunë.

Veseli deklaroi se projektligji për Zonën e Rrezikuar mjedisore të Obiliqit është i mirëpritur dhe kërkoj nga deputetët që të votojnë pro këtij ligji, raporton Tv Arta. Sipas Veselit një ligj i tillë është i nevojshëm për shkak se kësaj komune dhe qytetarëve të saj do t’u ofrohej përkrahje financiare, e në veçanti në projektet ambientale, shëndetësore dhe në fushën e punësimit.

Edhe kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi pohoi se një ligj i tillë është tejet i nevojshëm, pasi sipas tij, kur banorët janë në gjendje të përballojnë një ambient të tillë do të duhej edhe të trajtohen ndryshe. Gashi njëherit ftoj deputetët të votojnë këtë ligj.