Deputetët e Malit të Zi përgatiten të votojnë për anëtarësimin në NATO

Opozita dhe grupet anti-NATO në Malin e Zi kanë lajmëruar protesta masive të premten, kur parlamenti do të mblidhet për të ratifikuar protokollin e anëtarësimit.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, ish-presidenti amerikan Obama dhe ish-kryeministri malazez Milo Gjukanoviq. Foto: NATO



Parlamenti i Malit të Zi pritet të ratifikojë traktatin e anëtarësimit në NATO të premten, në një seancë festuese të mbajtur në kryeqytetin e vjetër mbretëror Cetinje.

Votimi do të shënojë një nga hapat përfundimtar të procesit afatgjatë të pranimit të vendit.

Ligji ka shumë mundësi të kalojë pasi kërkon një shumicë të thjeshtë prej 81 deputetësh dhe koalicioni qeverisës mban 42 vende.

Shumica e partive opozitare do ta bojkotojnë votimin në Cetinje, duke cituar kërkesën e tyre të zemëruar për një referendum për këtë çështje.

Megjithatë, ish-partia në koalicion, Partia Social Demokrate, në opozitë që prej tetorit, ka lajmëruar se do të marrë pjesë në seancë dhe se do të votojë pro anëtarësisë në NATO.

Duke lajmëruar një tubim masiv kundër NATO-s në Cetinje, Fronti Demokratik në opozitë, një parti pro-ruse u zotua të ngrijë anëtarësimin në aleancë nëse fiton zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Fronti tha se miratimi i parlamentit të traktatit të pranimit do të qe i paligjshëm, pasi një shumicë e madhe malazezësh janë kundër saj.

«I bëjmë thirrje të gjithë malazezëve të na bashkohen nesër në tubimin masiv në Cetinje… nga ku do të dërgojmë mesazhin te parlamenti se vendimi që ata do të votojnë nuk është i të gjithë vendit dhe se nuk i takon shumicës së malazezëve», tha lideri i frontit Milan Knezeviq të enjten.

Fronti dhe parti të tjera opozitare anti-nato, në një seancë parlamentare «hije» të mërkurën mbajtur në fshatin verior Murino, që u sulmua nga bombat e NATO-s në 1999, tha se do të mbanin një referendum për statusin e Malit të Zi në NATO nëse merrnin pushtetin.

Kryeministri Dushko Markoviq i hodhi poshtë deklaratat e opozitës si një «shou» dhe e quajti eventin në Murino si të papërgjegjshëm nga ana e opozitës.

«Le të luajnë, le të festojnë, të organizojnë një asamble, të shkruajnë një deklaratë… le të pinë edhe nga një birrë», tha Markoviq duke deklaruar masa të rrepta sigurie në seancën parlamentare të të premtes.

Mali i Zi iu bashkua programit të NATO-s për Partneritetin e Paqes në 2006.

Ai pritet të bëhet anëtar i NATO-s në samitin e Brukselit në maj.

(https://www.reporter.al/deputetet-e-malit-te-zi-pergatiten-te-votojne-per-anetaresimin-ne-nato/)