Deputetët Blushi dhe Hafizi shpallin zyrtarisht divorcin me Ramën

Në fjalën e tij të largimit, Blushi e akuzoi Ramën se e ka kthyer PS-në në një ndërmarrje private dhe se nuk ka mbrojtur asnjë ditë interesin publik, ndërkohë që Balla i kërkoi të dorëzojë mandatin.

Deputeti i PS Ben Blushi | Fot nga : LSA

Deputeti Ben Blushi-i njohur si një ndër figurat veterane të së majtës në Shqipëri shpalli zyrtarisht divorcin me Partinë Socialiste pas një serie përplasjesh publike me kryeministrin Edi Rama. Blushi tha të enjten në Kuvend se ai dhe deputetja tjetër e PS, Mimoza Hafizi nuk do të jenë më «deputetë të Rilindjes».

«Rilindja është një fatkeqësi kombëtare që duhet ndëshkuar me votë. S’mund të jemi në një qeveri me banditë, përdhunues, trafikantë dhe injorantë», tha Blushi gjatë fjalës së tij.

Aktor i politikës aktive prej dy dekadash, Ben Blushi ka pasur një marrëdhënie personale plot ulje-ngritje me kryetarin e PS, Edi Rama. Megjithatë, viti i fundit shënoi thyrjen përfundimtare të marrëdhënies së tyre, pasi Ben Blushi ashpërsoi tonet dhe kritikoi pjesën dërrmuese të politikave të Ramës-veçanërisht sponsorizimin që ai u ka bërë disa figurave me të shkuar të errët, duke i katapultuar ata në politikë.

Në fjalën e tij, Blushi e akuzoi Ramën se e ktheu Partinë Socialiste në një ndërmarrje private, që nuk respekton asnjë normë përveç pasurimit të ortakëve. Ai iu rikthye sërish procesit të diskutueshëm të zgjedhjes së kryetarit të PS në kundërshtim me statutin, në fillim të vitit, duke e quajtur atë eliminim të zgjedhjeve të lira.

«Ne besojmë se Rilindja nuk ka mbrojtur asnjë ditë interesin publik, përkundrazi ka thelluar traditën e qeverisë së vjetër, duke mbështetur të pasurit kundër të varfërve, të fortët kundër të dobtëve, të ligjshmit kundër të paligjshmëve, duke nxitur kësisoj pabarazinë dhe polarizimin social…», tha ai.

Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Taulant Balla e akuzoi Blushin se «nuk u soll kurrë si socialist», ndërsa i kërkoi atij që të dorëzonte mandatin.

«Në emër të PS kërkojmë që socialistëve t’u kthesh mandatin që u ke marrë padrejtësisht», i tha Balla Blushit.

Pas largimit nga Partia Socialiste, deputeti Ben Blushi ka lënë të hapur mundësinë e themelimit të një partie të re politike, së bashku me deputeten Hafizi. Në fjalën e tij në Kuvend, ai theksoi se vendi ka nevojë për një projekt të ri politik që garanton barazi, drejtësi dhe mbrojtje të interesit publik.

«Ne besojmë me bindje se Shqipëria sot është më e gatshme se kurrë t’i bashkohet një iniciative politike, e cila ju jep mundesi njerëzve të zakonshëm ta drejtojnë Shqipërinë. Dhe kjo është ajo që do bëjmë: një projekt për njerëzit e zakonshëm…», përfundoi ai.

(reporter.al: http://www.reporter.al/deputetet-blushi-dhe-hafizi-shpallin-zyrtarisht-divorcin-me-ramen/)