Deponitë ilegale s`i pastron askush

Deponi ilegale të mbeturinave janë krijuar në disa lagje në Gjilan.




Xhelal Haziri, banues në afërsi të lumit Mirusha, thotë se nuk ka një kujdes nga autoritetet komunale për një ambient më të pastër.

«Nuk janë vetëm qytetarët e pandërgjegjshëm të cilët e kanë krijuar këtë situatë. Kjo ka qenë edhe më herët edhe në kohën kur ka qenë ish-qeverisja dhe është ndërmarrë shumë pak në pastrimin e lagjeve që janë bërë deponi. Secili njeri voton për ndryshime, mirëpo këto nuk po ndodhin. Këtu është bërlloku më i madh që ekziston vetëm për një moment shmangu nga qendra e qytetit edhe hin nëpër lagje dhe rrugë dytësore e sheh sa bërlloku është», ka thënë ai, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas tij, Komuna me publikimin e fotove të zgjedhura po bën marketing, porse në fakt gjendja nuk është kësisoj.

«E vetmja lëvdatë që e bojnë ata është qysh po kujdesen për parkun e qytetit. E vetmja pamje e mirë që nuk ka mbeturina është ai vend. Mirëpo kjo është si lloj mashtrimi sepse mjafton që të bësh një xhiro me veturë dhe i sheh deponitë e egra në zemër të qytetit», ka thënë ai

Ndërsa Fisnik Mehmeti e vlerëson Gjilanin ndër komunat më të papastra.

E drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korça, ka refuzuar të flasë me arsyetimin se është vikend. «Jam qitu, jam kah pushoj, jam në mal. Sot është ditë e diele, është pushim dhe nuk muj m’u prononcu»,ka thënë ai.

Ndërsa Senad Ramaj, kryeshef ekzekutiv i kompanisë «Eko Higjena», ka vlerësuar se problemi më i madh i mospastërtisë është tek mospagesa që nuk bëjnë qytetarët ndaj kompanisë rajonale të grumbullimit të mbeturinave.

Në raportin e fundit të Instituti GAP thuhet se ndër problemet më akute të Gjilanit janë deponitë e egra.