Dënohet me 1 vjet e 6 muaj burgim efektiv kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku

Kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku është dënuar me 1 vjet e gjashtë muaj burg efektiv nga Gjykata Themelore në Prishtinë.




Këtë e ka konfirmuar për TV Arta, Hamdi Ibrahimi, kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndërkaq, bashkë me Demakun, i akuzuari tjetër Mehdi Kurumeli është dënuar me 1 vit ndërsa Shefqet Morina është liruar nga akuzat.

Demaku akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e një parcele toke prej 4 hektarësh të cilën komuna e Drenasit e konsideron të veten, ndërsa Gjykata Supreme e vlerësoi private. Në këtë pronë është ndërtuar një shkollë publike.

Mehdi Kurumeli është drejtor në Shërbimin Kadastral të Komunës së Drenasit ndërsa Shefqet Morina, referent për ndërrime kadastrale në këtë komunë.

Demaku është kryetari i katërt i një komune që qeveriset nga PDK që dënohet me burg.

Para tij, dënim nga gjykata kanë marrë edhe ish-kryetari i komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemajli, kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, dhe kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku.