Dëmtohet asfalti i Shkabajve i shtruar tre vjet më parë

Megjithëse fshati Shkabaj është bërë me infrastrukturë rrugore të re, para më pak se rreth 3 vjetësh, banorët e fshatit shprehen mjaft të pezmatuar me gjendjen e sotme të tij. Ata thonë se, për shkak të mungesës së cilësisë së punimeve, që është si rezultat i papërgjegjësisë, rruga është dëmtuar tej mase për mungesë të kanalizimit atmosferik.




Ahmet Guri, njëri nga banorët e fshatit, shtëpia e të cilit gjendet midis këndit të dy rrugëve të asfaltuara, që të dyja të ndërtuara para më pak se tre vjetësh, thekson se sa herë bie shi, oborri i tij vërshohet, shkruan sot «Koha Ditore».

«Kur e kanë asfaltuar rrugën, ne si banorë ua kemi tërhequr vërejtjen organeve komunale, duke u thënë që ta rregullojnë kanalizimin atmosferik, por as që na e kanë vënë veshin», ka thënë Begu, për të shtuar se në hall nga ujërat e rrugëve nuk është vetëm familja e tij, por edhe shumë familje të tjera që janë të renditura në drejtim të shtëpisë së tij, rrugës teposhtë. Një gjë të tillë, të dielën e pohonte edhe bashkëfshatari i tij, Fatmir Nimani, teksa tregonte asfaltin e dëmtuar, i shtruar prej më pak se tre vjetësh.