Demolohet Muzeu i Alfabetit me rastin e 108-vjetorit të Kongresit të Manastirit

Një grup vandalësh në qytetin e Manastirit i kanë vënë një njollë të zezë ditës festive të 108-vjetorit të alfabetit të gjuhës shqipe, duke demoluar shtëpinë muze të alfabetit. Ngjarja nuk i ka ndalur aktivitetet e mëtejme, siç ishte edhe hapja e dhomës përkujtimore të Komisionit të Alfabetit, ku u ekspozuan edhe skulpturat nga dylli të delegatëve të Kongresit.



Në qytetin e Manastirit, në Shtëpinë Muze të Alfabetit, të martën u shënua 108-vjetori i caktimit të alfabetit ship përmes disa manifestimeve të organizuara nga Sekretariati për Implementimin e  Marëveshjes së Ohrit i Qeverisë së Maqedonisë. Por, dita festime filloi me një akt të zymtë: disa vandalë, orët e mëngjesit të djeshëm, kishin sulmuar objektin e Muzeut të Alfabetit, duke thyer derën dhe zhgaravitur grafite antishqiptare të llojit «Vdekje shqiptarëve», si dhe vizatuar simbolin e fashizmit në murin e objektit.

Zyrtarët shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë disa orë më vonë njoftuan se forcat e rendit janë vënë në kërkim të vandalëve, të cilët janë kapur nga kamerat e sigurisë në Shtëpinë e Alfabetit. Në orët e pasditës, manifestimet filluan me hapjen e dhomës përkujtimore të Komisionit të Alfabetit. Ndërsa në orët e darkës, po në Manastir, u mbajt një koncert gala «E nji gjuhë t’gjith na bashkon». Në këtë koncert u paraqitën me pika artistike violinisti i njohur shqiptar Shkëlzen Doli, Orkestra Filarmonike e Fakultetit të Arteve «Ibrahim Madhi» me dirigjent Olsi Qinami. I ftuar special ishte Çun Lajçi.

Organizatori i manifestimeve për shënimin e 108-vjetorit të Ditës së Alfabetit, zëvendëskryeministri Festim Halili, pasi foli për rëndësinë e kësaj date, u zotua se objekti i Shtëpisë së Alfabetit dhe vetë data e cila tanimë është festë zyrtare për shqiptarët e Maqedonisë, do të jenë prioritet i angazhimit të institucioneve shtetërore dhe zyrtarëve shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë. «Sot e 108 vjet më parë, në këtë shtëpi u mblodhën delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe nga mërgata, me qëllim që të gjithë së bashku të hartojnë Abetaren e unifikuar shqiptare, respektivisht njësimin e shkronjave shqipe. Kjo shtëpi ka shpirtin e dëlirësisë, ka shpirtin e arsimimit shqip, edhe pse herë pas here kjo shtëpi sulmohet me gurë e guralecë, por shpirti i kësaj shtëpie do të ngadhënjejë gjithmonë dhe ABC-ja shqipe çdo herë do të përdoret për të dërguar përpara shkencën, arsimin, popullin tonë, por edhe gjithë njerëzimin», theksoi Halili.

Zotime të ngjashme për mirëmbajtjen dhe ngritjen e Muzeut në një institucion të lartë dhe me rëndësi për historinë kombëtare dha edhe drejtori i Shtëpisë së Alfabetit, Nuer Arsllani: «Do të kisha thënë që është vështirë të jetohet si shqiptar në Manastir, mirëpo ne nuk ndalemi këtu, ne do t’i çojmë vlerat tona kombëtare shqiptare dhe do ta çojmë përpara këtë institucion, Muzeun e Alfabetit të gjuhës shqipe», u shpreh ai. Në emër të Qeverisë së Shqipërisë, shënimin e 108-vjetorit të shkronjave shqipe e përshëndeti edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Halit Hyseni. Ai foli për angazhimin e shtetit shqiptar për datat e rëndësishme historike, si dhe për shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë. Kultivimit dhe bashkimit të kulturës dhe shkencës shqiptare – tha ai – duhet t’u paraprijnë institucionet arsimore dhe universitare. «Realisht nuk di të them cili është angazhimi i shtetit shqiptar, mirëpo nga diskutimet vërejta një ide shumë të bukur. Ideja që rektorët e universiteteve shqiptare kudo që ato ndodhen në trevat shqiptare, mund të bashkohen për një platformë të përbashkët dhe këtë platformë t’ua paraqesin qeverive të tyre. Në këtë këndvështrim, atë do ta përcjellin të udhëhequr nga shkenca, nga institucionet e dijes edhe veprimet politike», u shpreh Halit Hyseni, zëvendësministri i Jashtëm i Shqipërisë.

I pranishëm në shënimin e këtij përvjetori ishte edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Marjan Dema. «Më lejoni që në emër të Universitetit të Prishtinës ‹Hasan Prishtina›, për këtë datë të madhe të historisë sonë t’u drejtohem me respektin e shumë gjeneratave që mbi supet e tyre mbajtën peshën dhe përgjegjësinë e alfabetit, shkronjave, gjuhës dhe letërsisë sonë kombëtare. Veprimtaria kombëtare, në veçanti ajo kulturore e arsimore, sikuse edhe veprimtaritë e tjera, kanë pasur momente kur janë lartësuar dhe kanë qenë të çmuara e të domoosdoshme për kohën, ndonëse kanë pasur momente kur kanë pësuar rënie dhe zbehje», deklaroi rektori i universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, në fjalën e tij para mysafirëve të shumtë nga Prishtina, Tirana dhe viset e tjera shqiptare.

foto