Demokratë të ligës së tretë

Kërcënimet për mospranim të rezultateve zgjedhore, kërkesat për rinumërim të të gjitha votave, shpifjet për «vota të porositura», shpallja e fitoreve pa e konfirmuar këtë Këshilli Qendror i Zgjedhjeve tregojnë se në Kosovë, si në shumë vise shqiptare, politikanët udhëheqës mbesin ende demokratë të ligës së tretë.

Foto: Shutterstock



Të dielën në mbrëmje Partia Demokratike e Kosovës në Prizren së pari festoi duke pretenduar se kandidati i saj për kryetar të komunës fitoi garën. Pastaj entuziazmin e mbuloi heshtja, sepse kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje doli i pari me pak vota, andaj kjo parti e pa të udhës të fluturojë nga gëzimi. Ende nuk dihet se kush do të jetë fituesi, ndonëse sipas rezultateve, përvojës nga raundi i parë i zgjedhjeve lokale, trendeve dhe logjikës së gjërave duket se kandidati i LVV-së do të jetë kryetari i ri i Prizrenit. Sidoqoftë, deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar të dy partitë do të duhej të heshtnin për t’i dhënë rast KQZ-së të kryejë punën si duhet.

Sot PDK është kërcënuar se nuk do të pranojë rezultatet në Prizren dhe ka kërkuar rivotim dhe rinumërim në disa qendra të votimit. Ky është një paralajmërim se PDK do ta ketë të vështirë të akomodohet me një humbje eventuale në Prizren. Mbetet të shihet si do të sillet LVV, e cila garën e konsideron të përfunduar – me kandidatin e saj si fitues.

Në Prishtinë që nga e diela po zhvillohet një betejë me llafe, një kakofoni e paparë mes krerëve të LDK-së dhe atyre të LVV-së. Për këtë të fundit nuk ka dilemë: kryetari i deritanishëm do të jetë edhe ai i ardhshmi. LDK është mobilizuar me një fushatë, e cila ka për qëllim të vë në dyshim legjitimitetin e procesit zgjedhor, ndonëse të dielën nuk kishte ndonjë ankesë mbi pastërtinë e procesit elektoral. Në të vërtetë asnjëra palë nuk ka arsye të festojë. Sepse pa marrë parasysh kush do të ngadhënjejë në fund, rezultati do të jetë ekstrem i ngushtë, një fitore në teh të thikës, dhe kandidati fitues duhet të ballafaqohet me faktin se nuk e gëzon besimin e gjysmës së elektoratit. Po aq sa ishte e panevojshme festa e LVV-së të dielën në mbrëmje – njëjtë e panevojshme ishte edhe konferenca për media e një zyrtari të lartë të LDK-së sot, i cili belbëzoi diçka mbi «votat e porositura», «votave me postë» etj. Nëse me votat me postë mendohet për votat e ardhura nga diaspora, atëherë çdo parti duhet të ketë të qartë se gjatë fushatës e ka pasur rrugën e hapur për të mobilizuar mbështetësit edhe në diasporë. Si LDK ashtu edhe VV kanë degë apo pika në diasporë. VV është treguar më aktive në mërgatë, ndërsa LDK në shumicën e degëve ka probleme dhe kjo kryesi pothuaj ia ka kthyer shpinën diasporës, e cila dikur ishte një shtyllë qendrore e funksionimit të LDK-së.

Partitë do të bënin mirë të mos brohorisnin tone luftarake ndërsa procesi i numërimit nuk ka përfunduar ende. Kjo formë presioni që i ngjan më shumë një ndeshjeje të futbollit të ligës së tretë rajonale të Kosovës tregon se politikanët udhëheqës të Kosovës mbesin ende demokratë të ligës së tretë. Prej demokratëve të tillë nuk mund të pritet ndërtimi i një shteti me demokraci funksionale.

Përballë situatës së tensionuar Këshilli Qendror i Zgjedhjeve, një institucion që shpeshherë ka lënë dyshime me punën e vet, do të duhej të punonte me efikasitet dhe profesionalizëm, në mënyrë që të hiqen të gjitha dyshimet. Në fund humbësi duhet të urojë fituesin edhe në qoftë se ky ka marrë një votë më shumë. Alternativa është një betejë me sharje të ndërsjella, me kërcënime e me beteja juridike, të cilat mund të përfundojnë në një dramë populliste. Të gjitha partitë duhet ta kenë parasysh se viti 2017 – për fajin e tyre – është vit i humbur për Kosovën. Në pothuaj asnjë çështje të rëndësishme Kosova nuk ka bërë asnjë përparim. Në nivel lokal shumë punë kanë mbetur të pakryera, në nivel nacional Kosova mbetet në qorrsokak me tema si demarkacioni e bashkësia e komunave serbe, ndërkohë që për çdo ditë shtohet numri i zëvendësministrave dhe skandaleve të tjera, por çuditërisht LDK dhe VV, të cilat së bashku do të përbënin një opozitë të fuqishme, heshtin.