«Demokracitë po shndërrohen në vetokraci»

Publicisti nga Venezuela dhe ish-kryeredaktori i revistës amerikane «Foreign Policy», Moisés Nam, thotë se nuk duhet pasur shumë pritje nga udhëheqësit politikë. Sot, sipas tij, është më vështirë të ushtrohet pushteti. Në demokraci po mbretëron një ndikim i madh i fuqisë së vetos. Njëkohësisht energjia e qytetarëve të mllefosur nuk po konvertohet në pushtet qeveritar. Përse?

Duhet të shpjegohen më mirë përparësitë e integrimit europian. Një befasi e madhe e Brexitit ishte që rajonet të cilat përfitojnë më së shumti nga Europa, kanë votuar kundër BE-së. Kjo tregon, fatkeqësisht, një keqinformim masiv. Kështu s’arrihet entuziazmi: Moisés Nam.

Të gjithë po i ndjekin zgjedhjet amerikane, sepse bëhet fjalë për postin më të rëndësishëm të botës. Apo jo?

Varet. Krahasuar me shefat e tjerë të shteteve presidenti i SHBA-ve mbase nganjëherë është më i pushtetshmi. Por krahasuar me pasardhësit? Një gjë është e qartë: presidenti i ardhshëm do të ketë edhe më pak opsione për të vepruar se presidentët para tij. Kështu ka qenë me Barack Obaman dhe me George W. Bushin. Presidenti i SHBA-ve gjithnjë e më shumë po i vëren kufijtë në ushtrimin e pushtetit.

Jeni të sigurt? Pulla e kuqe është pullë e kuqe.

Do të ishte marrëzi të mohohet se SHBA-të kanë ushtrinë më të fuqishme në botë, se ato ushtrojnë ndikim të jashtëzakonshëm ekonomik dhe kulturor. Por njëkohësisht duhet të pranojmë se sa pak mund të ndikojë sot kjo fuqi. Shikoni Sirinë, luftërat në Irak dhe Afganistan. Shikoni Shtetin Islamik. Dhe shikoni ndryshimet klimatike! Presidenti Obama është i bindur se ndryshimet klimatike janë ndër kërcënimet më të mëdha për SHBA-të dhe mbarë njerëzimin. Megjithëkëtë, ai është tepër i kufizuar për të vepruar sipas këtyre bindjeve.

Atij i duhen partnerë. Përherë ata kanë qenë të nevojshëm. Sa është e re kjo paralizë e politikanëve të pushtetshëm?

Është një proces i gjatë, por që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë ai po përshpejtohet. Nxitëse janë tri revolucione: more, mobility dhe mentality. Së pari: jetojmë në një botë të bollëkut, gjithçka ka më shumë: më shumë shtete, më shumë njerëz, me shumë armë, më shumë ilaçe, më shumë filantropi dhe më shumë terroristë. Merrni çfarëdo aktiviteti njerëzor – do të gjeni më shumë prej tyre në botë. Kjo e bën shumë më të vështirë të ushtrohet pushteti i vërtetë. Së dyti: gjithçka është në lëvizje. Paratë, ideologjitë, njerëzit, OJQ-të, fetë. Dhe së treti: mundësitë tona po ndryshojnë, pritjet tona, vlerat, prirjet. Domethënë: more-revolucioni po u ndihmon atyre që sfidojnë pushtetin e etabluar. Mobility-revolucioni po u ndihmon atyre për të rrëzuar barriera, të cilat pushteti i vjetër i ka ngritur rreth vetes. Dhe, në fund, mentality-revolucioni po i bën të lëkundshme barrierat e vjetra. Jetojmë në një botë në të cilën pushteti sigurohet më shpejt, por është më vështirë të ushtrohet dhe shumë më lehtë të humbet.

Pak a shumë ky ka qenë paralajmërimi në kapakët e librit tuaj «The End of Power». Kah po shkon pushteti? Shefi i Facebookut Mark Zuckerbergu propozoi të lexohet libri juaj – dhe pas pak çastesh libri u shit. A është ky pushtet?

Gjithsesi. Por Zuckerbergu do t’ju thoshte po ashtu se pushteti i tij për të vepruar është i kufizuar. Ai po përjeton goditje sa i përket privatësisë në Europë, dhe ai duhet të jetojë me censurën në Kinë. Por, ju lutem, a mund të sqaroj diçka? Unë s’po them se nuk ka më përqendrim të pushtetit. Facebooku dhe Google, Deutsche Bank dhe Goldman Sachs, Merkeli dhe Putini, Vatikani dhe Pentagoni: këto janë institucione dhe njerëz shumë të fuqishëm. Askush nuk e konteston këtë. Por akterët e rëndësishëm po hasin në vështirësi në ushtrimin e pushtetit të fuqishëm, në realizimin e gjërave. Nga kjo jetojnë popullistët si Donald Trump: nga pritjet e mëdha nga të pushtetshmit, të cilat përherë dështojnë të jetësohen.

A po e kuptojnë të pushtetshmit humbjen e pushtetit? Më 2008 Obama ka premtuar se do ta mbyllë burgun në Guantanamo – dhe ka dështuar.

Obama ishte i detyruar të mësojë këtë leksion. Që nga fillimi ai duhej të jetonte me politikën e sabotimit nga ana e republikanëve, me rezistencë ndërkombëtare kundër ideve të tij. Gjatë betejës për t’u rizgjedhur ai më 2012 e pyeti një gazetar: A po e shihni tarracën e Shtëpisë së Bardhë atje jashtë? Atë e ka ndërtuar Ronald Reagani. Një ditë Reagoni mendoi: një verandë do të ishte e bukur. Mori telefonin dhe pas pak u ndërtua ai send. Sikur unë, Obama, të bëja sot këtë gjë, ky do të bëhej projekt që do të më merrte shumë kohë. Do të duhej t’i mbroja publikisht harxhimet. Fox News do të zhvillonte debate mbi këtë ndryshim të Shtëpisë së Bardhë nga ana ime, mbi ndërhyrjen në substancën ndërtimore historike. Për këtë arsye nuk do ta bëj.

Cili është morali i kësaj anekdote? Në fund nuk ka verandë?

Nuk ka pushtet të vërtetë për të vepruar. Nëse Trump fiton zgjedhjet, ai shumë shpejt do të vërejë se nuk mund t’i bëjë ato gjëra që i ka premtuar. Ai s’mund të ndërtojë mur; Kongresi dhe gjykatat do ta pengojnë. Ai nuk mund t’i dëbojë 11 milionë njerëz, të cilët jetojnë ilegalisht në vend. Ai kurrë s’do të mund t’ua ndalojë myslimanëve hyrjen në SHBA. Liderët si Clintoni apo Trump e kanë të qartë këtë realitet ose së shpejti do të marrin vesh për të. Kush nuk e kupton janë ata që përherë e kanë përshtypjen se dikush e mban timonin e kësaj bote. Mbështetësit e Trumpit në SHBA dhe zgjedhësit e popullistëve të djathtë në Europë kërkojnë dikë që kujdeset për ta. Ata duan dikë, i cili është përgjegjës, i cili i mbron dhe i ruan nga të gjitha të këqijat. Nga emigrantët ilegalë dhe terroristët, nga politika ekspansioniste e Putinit dhe nga kinezët. Shumë njerëz besojnë se këto gjëra nuk do të ndodhnin nëse do të ishte udhëheqës të vërtetë. Ky është iluzion. Ne nuk jemi duke jetuar më në një botë në të cilën dikush e mban timonin.

Liderët e Kinës dhe Rusisë do të kundërshtonin. Ata po kultivojnë një kult të udhëheqjes dhe po i përqeshin demokracitë që ngurrojnë të veprojnë.

Publikisht ata po qeshin. Privatisht ata e dinë se edhe pushteti i tyre është i kufizuar. Këto ditë u dha lajmi se presidenti kinez Xi Jinping po përpiqet të ndryshojë procesin gjatë së cilit caktohet pasardhësi i tij. Duket se ai kështu po përpiqet të zgjasë mandatin e tij. Pra, ai po tenton të manipulojë sistemin që kufizon pushtetin e tij – dhe kësisoj ai po shkakton tollovi brendapartiake. Vladimir Putini po vëren se në Rusi ka një ekonomi shumë të dobët. Ai mund të jetë i gëzuar me aventurat ndërkombëtare në Siri, Ukrainë, Gjeorgji, sepse këto ua largojnë vëmendjen shumë rusëve nga zahmetet e përditshme. Por kjo nuk zgjat përgjithmonë kështu. Në Pekin dhe në Moskë kemi diktatorë të pushtetshëm, por ata i vërejnë kufijtë e pushtetit të tyre dhe rrjedhimisht shfaqin pasiguri.

A nuk është ky iluzion? Nëse një qeveri europiane dëshiron të ndërtojë një aeroport, kjo zgjat me vite, ndërsa janë trajtuar të gjitha ankesat. Pekini thjeshtë e ndërton, brenda pak muajsh. Kjo është fuqi, udhëheqje.

Jo, ky është iluzioni i infrastrukturës. Diktatorët mund të realizojnë më shpejt ndërtime të mëdha. Por shikoni njëherë numrin e protestave në rrugë në Kinë. Shifrat po eksplodojnë. Relativisht shpesh njerëzit po demonstrojnë pikërisht kundër infrastrukturës së mangët. Shtëpi të banimit të cilat nuk janë të sigurta, trena që dalin nga binarët. Demokracitë janë të ngadalshme, por kanë përparësi.

Përse nuk mbretëron atmosferë gëzimi në demokracitë perëndimore?

Sepse performansa e ulët e demokracive po shkakton shqetësime. Gjithkund në botë demokracitë po shndërrohen në vetokraci. Kështu i ka quajtur politologu Francis Fukuyama. Ekziston një tepri e fuqisë së vetos. Demokracitë janë plot e përplot me organizata, shoqata, madje edhe individë, të cilët kanë mjaft pushtet për të bllokuar tërë procesin – por s’kanë mjaft fuqi të krijojnë diçka, të realizojnë një projekt. Kjo i frustron shumë qytetarë në shtetet demokratike.

Aq shumë, saqë demokracia vihet në dyshim. Një politolog belg ka propozuar që zgjedhjet të zëvendësohen me vendime me short. Sa është nën presion demokracia?

Është nën presion të madh. Shumë njerëz kanë humbur iluzionet. Kriza financiare që filloi më 2008 dhe ende është mes nesh, është fajtore për këtë. Ashtu si humbja e besimit gjithkund: njerëzit gjithnjë e më pak po i besojnë qeverive të tyre, drejtësisë, sektorit privat, madje edhe ushtrisë dhe kishës. Kjo e bën demokracinë të vështirë.

Nëse qytetarët kanë aq shumë fuqi vetoje, përse po ndihen të pafuqishëm? A nuk është pushteti gjithnjë e më shumë te ta, te «koalicioni i të zemëruarve», siç e quani ju?

Energjia politike në rrugë rrallëherë shndërrohet në fuqi të vërtetë politike. Është bërë tepër e lehtë të organizohet një marsh. Dhe tepër vështirë që kjo energji të konvertohet në pushtet qeveritar. Rrjetet sociale e bëjnë të lehtë të mblidhesh në një cep të rrugës, të gjithë me t-shirt të njëjtë dhe me banderola. Gjithkush mund ta bëjë dhe jo të jep një ndjenjë autorizimi. Nganjëherë kjo vërtet kryen punë si në Pranverën Arabe, në Brazil, në Guatemalë, në Ukrainë. Por shumë shpesh nga kjo nuk rezulton asgjë.

Si në rastin e lëvizjes Occupy Wallstreet?

Ajo nuk pati konsekuenca praktike. Edhe lëvizja Tea-Party dhe Indignados në Spanjë nuk çuan askund. Këto protesta janë si motori që ecën me xhiro të lartë, por nuk është i kapur për rrota. Kështu nuk shkon askund.

Si mund të lidhen rrotat me motorin?

Lidhje do të ishin partitë politike. Ata tani gjithkund në botë kanë një emër të keq. Njerëzit më shumë duan të kenë lëvizje të reja, OJQ, u qëndrojnë larg partive. Partitë nuk janë më vatër për idealistë, por një habitat i oportunistëve. Një vend për figura të vjetra, të korruptuara, të ngadalta. Ky është një problem. Duhet t’u japim energji të re partive politike, t’i ribrandojmë, të rishpikim.

A ka gazetaria ende pushtet?

Po dhe jo. Lojtarë të mëdhenj si «New York Times» apo «El Pais» në Spanjë po çalojnë në mbrojtje të pushtetit që e kishin një kohë të gjatë. Ato po sfidohen nga mikro-pushtetet – organizata të reja, të shkathëta, të cilat punojnë me shpejtësi më të madhe dhe strategji të reja. Por sa më shumë që po copëzohen rrethanat e pushtetit, aq më e madhe është nevoja në mesin e konsumuesve të lajmeve për një ciceron të besueshëm, një sherpa, i cili udhëheq nëpër cunamin e madh të informatave. Njerëzit duan burime të besueshme. Shumë shpesh ata mbështeten në individë, kolumnistë të veçantë, autorë kryeartikujsh, të cilëve u besojnë.

Shteti kombëtar i shpallur shpesh i vdekur po mbetet i fuqishëm. Në krizën e refugjatëve ai lëshon pasaporta dhe dokumente, ngrit gardhe me tela me gjemba.

Shtetet do të jenë me neve edhe një kohë shumë të gjatë. Dhe me nacionalizmin në rritje do të kemi gjatë punë. Shtetet janë e kundërta e pashmangshme ndaj tregut. Kemi parë ekscese gjatë së cilave tregu i lirë kishte tepër pushtet – por edhe ekscese gjatë së cilave shteti kishte tepër pushtet. Të dyja ekstremet janë të gabueshme dhe të këqija për shoqërinë. Duhet një balancë e vërtetë, jo tejkalimi i njërës apo tjetrës. Unë u besoj shteteve. Shumë probleme të mëdha që kemi janë pasojë e shteteve të dobëta.

Kërkesa për udhëheqës të fuqishëm është e parealizueshme, por shtetet e fuqishme do të ishin opsion?

Ashtu është. Unë në të vërtetë nuk besoj se Europa sërish do të shndërrohet në kontinent të shteteve nacionale, se integrimi është gjë e gabuar. Përkundrazi: shumë probleme mund të zgjidhen vetëm së bashku. Por shtetet brenda Bashkimit Europian do të duhej të bëheshin më të fuqishme, në mënyrë që BE të jetë më e fuqishme. Për këtë duhet një entuziazëm i ri për Europën.

Prej nga duhet të vijë ky entuziazëm?

Nuk ka recetë për këtë. Por duhet të shpjegohen më mirë përparësitë e integrimit europian. Një befasi e madhe e Brexitit ishte që rajonet të cilat përfitojnë më së shumti nga Europa, kanë votuar kundër BE-së. Kjo tregon, fatkeqësisht, një keqinformim masiv. Kështu s’arrihet entuziazmi.

Moisés Nam, i lindur më 1952, është autor librash dhe gazetar. Në atdheun e tij, në Venezuelë, ai nga viti 1989 deri më 1990 shërbeu si ministër për tregti dhe industri, më vonë ishte drejtor i Bankës Botërore. Nga viti 1996 deri më 2010 ai ishte kryeredaktor i revistës amerikane «Foreign Policy». Tani shkruan kolumne, mes tjerash për «El Pais» dhe «Financial Times». Libri i tij «The Ende of Power» (2013) ishte bestseller. Intervista u botua në gazetën zvicerane «Tages Anzeiger». (-lli)