«Demokracitë në Ballkan, nën kërcënim», thotë Freedom House

Një raport i ri nga Freedom House paralajmëroi se disa vende të Ballkanit po hasen me përkeqësim të sundimit të ligjit, nacionalizmin në rritje dhe korrupsion të vazhdueshëm, gjë që po dëmton demokracitë.

Raporti i Freedom House për vitin 2017. Burimi: Freedom House.



Raporti më i fundit i organizatës Freedom House i titulluar ‚Liria në Botë‘ identifikoi të enjten Bullgarinë, Kroacinë, Rumaninë dhe Serbinë si vende të lira, ndërsa Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi, si ‚pjesërisht të lira‘.

«Proceset e drejta zgjedhore dhe sundimi i ligjit u përkeqësuan më tej pasi BE-ja neglizhoi rolin e vet në promovimin e demokracisë mes vendeve aspirante për t’iu bashkuar», thotë raporti i Freedom House.

«Ndërsa ka pasur dallime nga normat e BE-së në të shkuarë, këtë vit liderët në Bosnje, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi kanosën kritikët e shoqërisë civile, penguan hetime mbi shkeljet në qeveri dhe shpërfillën procedura kushtetuese», shton raporti.

Ai gjithashtu shprehu shqetësime se progresi i bërë përkundrejt standardeve demokratike në disa prej vendeve të Ballkanit po zëvendësohej gjithashtu nga një «përzierje toksike e nacionalizmit, korrupsionit, mosfunksionimit qeveritar dhe ndikimit rus».

Më tej, raporti paralajmëroi se mund të ketë një përhapje më të madhe të të ashtuquajturës «demokraci liberale» në rajonin e Ballkanit.

Kosova u rendit vendi më pak i lirë në rajon, ku Freedom House i dha 52 pikë nga 100 të mundshme dhe tërhoqi vëmendje për mangësitë në të drejtat politike dhe liritë civile.

Freedom House i dha Bosnjës  një vlerësim prej 55 pikësh, duke cituar një rënie të lirive të njeriut «për shkak të dështimit të zyrtarëve për të zbatuar vendimet e gjykatës kushtetuese, përfshirë ndalimin e një referendumi në Republika Srpska».

Maqedonia mori 57 pikë, ndërsa Shqipëria 68 dhe Mali i Zi 69.

Serbia arriti 76 pikë por Freedom House paralajmëroi se situata në vend është përkeqësuar.

«Të drejtat politike në Serbi janë në rënie për shkak të parregullsive në zgjedhjet parlamentare të 2016, si dhe përdorimi i qëllimshëm i zgjedhjeve të parakohshme për të ndërhyrë në iniciativat ligjore», thotë raporti.

Bullgaria mori një vlerësim prej 80 pikësh dhe Rumania 84 pikë, ndërsa Kroacia u rendit si vendi më i lirë në rajon me 87 pikë.

Liria e medias në të gjitha vendet në Ballkan u rendit si ‚pjesërisht e lirë‘, përveçse në Maqedoni ku media u përshkrua si «jo e lirë».

Në përgjithësi, raporti i Freedom House ofroi një pamje të zymtë globale.

«Me forcat populiste dhe nacionaliste në rritje në shtetet demokratike, 2016 shënoi vitin e 11-të pasues ku liria globale është në rënie», thotë ai.

«Pati pengesa në të drejtat politike, liritë individuale ose të dyja në disa shtete të përkufizuara si «të lira» nga raporti përfshirë Brazilin, Republikën Çeke, Danimarkën, Francën, Hungarinë, Poloninë, Serbinë, Afrikën e Jugut, Korenë e Jugut, Spanjën, Tunizinë dhe Shtetet e Bashkuara», shton raporti.

(https://www.reporter.al/demokracite-ne-ballkan-nen-kercenim-thote-freedom-house/)