Demitizimi i Vetëvendosjes i bën mirë skenës politike të Kosovës

PDK dhe satelitët e saj duhet të shkojnë në opozitë. Mesazhi i votës së qytetarëve është i qartë: një qeveri tjetër, një qeveri e prirë nga VV, sepse vetëm kështu përbetimet e mëdha, planet e mëdha, premtimet e mëdha që i ka bërë kjo parti do t'i nënshtrohen testit të realitetit.

Foto: Shutterstock



Nëse një lider merr rreth 120 mijë vota, siç i ka marrë Albin Kurti si prijës i listës së Lëvizjes Vetëvendosje (VV) në zgjedhjet e së dielës dhe kur VV merr gati 200 mijë vota, atëherë mesazhi nga një shumicë impozante e popullit pjesëmarrës në procesin demokratik është i qartë: një qeveri tjetër, një qeveri e prirë nga VV, me Albin Kurtin kryeministër. Meqë Kosova fatmirësisht nuk është Kore e Veriut (ndonëse ka njerëz në VV që ëndërrojnë që partia e tyre t’i fitojë 99,9 për qind të votave), kabineti i ri qeveritar s’mund të themelohet pa një partner koalicioni.

Lëvizja e Kurtit e ka përjashtuar me këmbëngulje një aleancë me PDK-në, andaj do të ishte një befasi, madje edhe tallje e madhe me votuesit nëse liderët e VV bëjnë ndonjë kthesë prej 180 shkallësh dhe ulen në prehërin e Kadri Veselit. Në masë të madhe vota për VV ka qenë votë proteste; nëse një qeveri VV-PDK apo PDK-LDK do të qeverisë vendin në të ardhmen, duket real rreziku i një eksodi të ri masiv nga Kosova, por edhe i trazirave sociale. Nëse partitë e tjera nuk janë shquar për qëndrime konsekuente, nëse brenda 24 orësh i kanë ndërruar mendimet dhe qëndrimet, nëse në një kongres me shumë balona dhe muzikë, kanë vendosur të shndërrohen në parti të djathta pa zhvilluar debat brenda partisë për këtë, Vetëvendosje në këto zgjedhje ka marrë besimin e shumë qytetarëve edhe për shkak të këmbënguljes në parime.

Ka shumë analistë qymezesh të Prishtinës, të cilët vazhdimisht terrorizojnë opinionin duke thënë se në politikë nuk duhet të ketë moral. Nëse nuk ka moral në politikë, atëherë s’duhet të ketë as në sfera të tjera të jetës. Pikërisht mungesa e moralit në politikë e ka sjellë Kosovën këtu: shikojeni skenën si e tërhiqte zvarrë Ramush Haradinaj shefin e Nismës Fatmir Limaj për t’iu bashkuar Kadri Veselit në një tubim partiak. Limaj është i bindur se shumica e procesve gjyqësore me të cilat po ballafaqohet janë pasojë e kurtheve dhe intrigave të SHIK-ut të Kadri Veselit. (Kuptohet vetvetiu se Limaj nuk është engjëll). Haradinaj është djegur disa herë në skarën politike të Prishtinës me premtime për t’u bërë kryeministër, është pritur në aeroport nga Hashim Thaçi me qilim të kuq – për t’u shndërruar pastaj në objekt të talljes nëpër kafehanet e Prishtinës.

Por, meqë mënyra se si bën politikë Haradinaj nuk është larg asaj të PDK-së, edhe bashkimi i tij me PDK-në para zgjedhjeve nuk qe ndonjë befasi shumë e madhe. Në histori ai do të hyjë si politikan që beson vetëm në makiavelizëm (për të arritur qëllimin lejohet çdo mjet – qoftë ai edhe përtej të drejtës dhe moralit) dhe në narcizëm («Unë kam lindur për të qenë kryeministër, pa marrë parasysh a i fiton partia ime AAK tre apo gjashtë deputetë»).

Kështu s’bëhet politikë. Kështu s’bëhet as pazar. Kështu vetëm vazhdohet loja e intrigave të sokakut politik të Prishtinës në stilin «kush kujt ia nguli». Kësaj loje votuesit i dhanë fund të dielën duke e ngarkuar VV-në me shumë përgjegjësi. Porosia është e qartë: PDK dhe satelitët e saj duhet të shkojnë në opozitë. Mesazhi tjetër i votës së qytetarëve është ky: një qeveri tjetër, një qeveri e prirë nga VV, sepse vetëm kështu përbetimet e mëdha, planet e mëdha, premtimet e mëdha që i ka bërë kjo parti do t’i nënshtrohen testit të realitetit.

Deri më tani VV ka qenë në opozitë dhe kryesisht ka atakuar. Edhe në komunën e Prishtinës, të cilën VV e drejton me kryetarin Shpend Ahmeti, Vetëvendosje shpesh është sjellë si opozitë për shkak të pengesave që ia krijonin LDK dhe PDK në Kuvendin Komunal. Ëndrra e PDK-së për të pushtuar Prishtinën me gjasë do të mbetet e parealizuar për disa dekada. VV dhe LDK së bashku në Prishtinë kanë 77 për qind të votave, ndërsa «koalicioni i komandantëve» vetëm 20 për qind. Kjo tregon dramën e vërtetë të koaliconit të territ: krerët e tij janë të padëshiruar në qytetin ku jetojnë e sundojnë qe së paku 20 vjet, ku kanë bërë pasurinë, kanë thurur intriga, ngritur kurthe, fshehur gjurmë krimesh, kurdisur tenderë, blerë gazetarë, akademikë analfabetë dhe çervishpërzierës të shoqërisë civile të pacivilizuar.

Arroganca e krerëve të koalicionit të natës ishte e paparë. Ata mendonin se më 12 qershor 1999 e kanë marrë licencën për të qeverisur përgjithmonë Kosovën. Shikoni emrat e kandidatëve që kanë futur në lista: teze, halla, vëllezër, djem e çika të vëllezërve, djem që zëvendësojnë në zgjedhje etërit e tyre të dënuar me burg – e kështu me radhë. Ata mendonin se fuqia financiare dhe «mediale», fotografitë me politikanë të huaj dhe spotet elektorale do të bindnin miletin t’ua falë sërish besimin për 4 vjet.

Një shumicë larg mbi absoluten tha jo. VV dhe koalicioni i LDK-së përfaqësojnë në mënyrë të bindshme shumicën e shqiptarëve të Kosovës. Këtij koalicioni mund dhe duhet t’i bashkohen të gjithë ata politikanë e deputetë të pakicave, të cilët janë të interesuar që jeta e tyre të përmirësohet dhe jo çdo problem në këtë vend të shihet nga prizmi etnik apo rajonal.

Ja çfarë pasoja ka tani në politikën e Kosovës arroganca rajonale: gjatë fushatës elektorale kreu i PDK-së tha se Drenica do t’i ketë tri pozitat kryesore në shtet – presidentin, kryeministrin dhe kryeparlamentarin. Përgjigjja erdhi menjëherë në formë të një shpulle të nxehtë elektorale: në Ferizaj Vetëvendosje shënoi rritje prej 19 për qind; në Han të Elezit plus 19 për qind; në Gjilan plus 15 për qind; në Kaçanik plus 20 për qind; në Kamenicë plus 24 për qind. Kamenica është komuna ku VV ka shënuar rritjen më të madhe. Edhe LDK kaloi relativisht mirë në rajonet ku tradicionalisht gëzon përkrahje.

Ardhja e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet do të ndihmojë në demitizimin e kësaj partie. As VV nuk është tempull i çiltërisë së pakufishme, por në rrethanat e tanishme politike organizata e vetme që ushqen idealet më të besueshme për shtetin dhe për Republikën e Kosovës. Grupi i pronto-politikanëve nuk ka më ideale për Kosovën, pushteti për ta është qëllim në vetvete, sepse garanton ruajtjen e privilegjeve, qasjen në arkën e shtetit, kënaqjen e ambicieve personale. Si parti politike Vetëvendosje ka një rol edhe emancipues për skenën politike shqiptare në Ballkan: nëse në Prishtinë zgjidhet kryeministër një personalitet si Albin Kurti, atëherë ky është edhe një mesazh ndaj opinionit publik në Shqipëri, i cili në 4 vitet e ardhshme do ta ketë president Ilir Metën, emri i të cilit përmendet gati në çdo tender, një politikan i incizuar duke bërë pazare mbi pasuritë e Shqipërisë. Edhe në vitet ’90 Kosova me një lider si Ibrahim Rugova i dërgoi një mesazh Shqipërisë, e cila përpëlitej nën Sali Berishën. Kur ky filloi të përzihet edhe në Kosovë për interesa të politikës së brendshme shqiptare, Rugova ndërpreu komunikimin me të.

Albin Kurti si çdo shqiptar e do Shqipërinë, pa masë. Dhe këtu s’ka agjë kontestuese, por Kurti duhet t’i qëndrojë larg asaj klase politike të Tiranës që e ka futur vendin në qorrsokak. Nëse Kosova duhet të marrë shembull nga një vend se si nuk qeveriset, atëherë ai vend është, për fat të keq, edhe Shqipëria. Nëse VV arrin të ofrojë shembull pozitiv në qeverisje në Kosovë, atëherë ndoshta edhe në Shqipëri ndizet zjarri i entuziazmit për të krijuar një parti që qeveris Shqipërinë, duke tejkaluar ortakërinë në krim e korrupsion të partive që bartin etiketa «socialiste» apo «demokrate».

Nëse VV vjen në pushtet, atëherë për këtë parti fillojnë vështirësitë e ecjes nëpër rrafsh. Nëse je në opozitë, mund të ngjitesh në një kodër dhe të gjuash me gurë, të kritikosh, të bësh premtime të mëdha, të shpallësh luftëra, të ndryshosh kufij, të denoncosh çdo rival si tradhtar, të brohoritësh parulla populliste. Pushteti, ndërkaq, është shans për të dëshmuar se je i aftë të japësh shembuj pozitivë të qeverisjes, administrimit dhe konsolidimit të shtetit. Me potencialin e sotëm që ka VV mund ta bëjë këtë. VV ka premtuar se nuk do t’i hakmerret askujt dhe ka bërë mirë që ka bërë këtë paralajmërim, por VV po aq mirë do të bënte të thoshte se do të burgosen të gjitha ata për të cilët drejtësia gjen dëshmi se kanë vjedhur nga arka publike. Dhe për t’i hapur rrugë pastrimit të skenës politike nga hajdutët, duhet të pastrohet së pari sistemi i drejtësisë. Atëherë prokurorë të aftë dhe të pandikuar politikisht do të ndjekim kriminelët pa ngurrim dhe gjykatësit do të gjykojnë pa u trembur nga thirrjet apo mesazhet e komandantëve.

Një auditim i të gjitha ministrive duhet të jetë hapi i parë që duhet të bëjë një qeveri e prirë nga VV. Duhet hetuar urgjentisht shumë privatizime të dyshimta, por edhe shumë vrasje të dyshimta – duke filluar nga koha e luftës dhe duke vazhduar me rastet më të rënda të pasluftës. Në Kosovë nuk mund të ketë qetësi nëse familjet presin gati dy dekada përgjigje nga drejtësia se kush ua vrau më të dashurit e tyre. Në një vend ku nuk zbulohen dhe ku nuk dënohen vrasësit, aty s’ka hair, as ardhmëri.

Albin Kurti duhet të angazhohet për fatin e të gjitha viktimave – pa marrë parasysh nacionalitetin apo përkatësinë partiake. Sa i përket orientimit perëndimor të Kurtit, qytetarët nuk duhet të kenë asnjë frikë apo dilemë. Frikë duhet pasur nga ata politikanë apo poterexhi që ekstremizmin islamik duan ta luftojnë duke i hedhur në një kosh krejt myslimanët – nga Somalia në Stamboll e deri në Sarajevë. Problemi i ekstremizmit fetar nuk do të zgjidhet pa filluar zhvillimi ekonomik i Kosovës. Në atë çast që njerëzit shohin perspektivë për mirëqenie në vendin e tyre, do të mendojnë më shumë se dy herë për të shkuar në fronte të luftërave të huaja. Natyrisht secila shoqëri ka ekzistenca të dështuara, narkomanë që duke dashur të largohen nga varësia mbështetjen e vetme e gjejnë në ndonjë organizatë terroriste. Krahas mirëqenies ekonomike ilaçi më i mirë për të luftuar ekstremizmin është një sistem cilësor arsimor dhe jo si deri më tani – një sistem që prodhon analfabetë funksionalë.

Shpifjet shumëvjeçare të suflerëve të PDK-së nëpër Ambasada mbi «Albin ekstremistin», «Albin demagogun», «Albin luftënxitësin» kanë pasur efekt. VV duhet të jetë e vetëdijshme për këtë. Dhe pa marrë parasysh nëse do të jetë në pushtet apo në opozitë, ajo duhet të sillet në përputhje me rolin e ri që ia ka dhënë elektorati: partia më e madhe politike në vend me përgjegjësinë më të madhe për të bërë shkëputjen e Kosovës nga politikanët që e shihnin këtë vend si një pulë që duhet ndukur pamëshirshëm.