Demi: Me këto politika nuk mund të realizohen premtimet

Agron Demi ka argumentuar se si koalicioni PDK-LDK ka hequr dorë nga parimet dhe premtimet, mbi bazën e të cilave të dyja partitë veç e veç kishin fituar shumicën e votave në zgjedhjet e fundit. Ka folur edhe për heqjen dorë nga premtimi më kapital – vendet e punës.




Në një intervistë dhënë «Kohës Ditore», Demi ka rikujtuar se PDK-ja ka premtuar 200 mijë e LDK-ja 120 mijë vende pune. Por ka theksuar se me politikat aktuale qeveritare dhe me këtë ritëm të qeverisjes, realizimi i këtij premtimi është i pamundur. Ka thënë po kështu se me politika të këtilla nuk do të ketë as rritje ekonomike e as rritje buxheti, çfarë është proklamuar nga subjektet politike në pushtet.

Demi është drejtor ekzekutiv i Institutit GAP, një organizatë joqeveritare që për synim ka të mbushë hendekun në mes të qeverisjes dhe qytetarëve, në mes të problemeve dhe zgjidhjeve, me qëllim të avancimit të shoqërisë kosovare. Organizata e bën këtë duke avokuar për një qeverisje më të mirë, duke monitoruar punën e institucioneve publike, dhe duke rekomanduar zgjidhje konkrete mbi politikat publike.

Në këtë intervistë Demi ka folur edhe për vendin që kanë zënë në programin qeverisës premtimet e dhëna në fushatë, për mungesën e interesit për të shkatërruar monopolet ekonomike, e edhe për vazhdimin e kapjes së shtetit. Ai ka treguar se çfarë duhet bërë, në mënyrë që brenda tre vjetësh të mbërrihen objektivat e deklaruara nga Qeveria në fillim të mandatit.