Demaçi, një legjendë e Ballkanit

Sonja Biserko, aktiviste për të drejtat e njeriut nga Beogradi, vlerëson figurën e Adem Demaçit, me të cilin bashkëpunoi sidomos gjatë viteve ’90.

Sonja Biserko.



Adem Demaçi është pa dyshim ndër mbrojtësit më të spikatur të të drejtave të njeriut në Ballkan, me një prej karrierave më të gjata për promovimin e të drejtave të njeriut, gjë për të cilën u burgos për një kohë tejet të gjatë – plot 28 vjet. I quajtur Mandela i Ballkanit dhe lider ideologjik i shqiptarëve të Kosovës, Demaçi ka qenë mishërimi i qëndresës kombëtare të Kosovës.

Raporti im me të ka qenë shumë personal: kemi punuar bashkë përgjatë kohërave më të rënda për shqiptarët e Kosovës, gjatë periudhës së aparteidit, thënë ashtu, të grushtit të hekurt të regjimit të Millosheviqit. Për mua ai gjithmonë do të jetë lider romantik që ka magjepsur të gjithë me çiltërsinë dhe një lloj mospërvoje politike. Ishte thjesht simbol i qëndresës së shqiptarëve të Kosovës.

Filluam të punonim së bashku në vititn 1997 kur përgatisnim dialogun e parë serbo-shqiptar në Ulqin. Asokohe, shpresonim se konflikti shumëvjeçar mes dy vendeve do të zgjidhej përmes dialogut. Pavarësisht përpjekjeve të forta të autoriteteve serbe për ta ndaluar konferencën tonë, e cila fillimisht u planifikua të mbahej në Pejë, në fund ne ia dolëm ta mbajmë atë në Ulqin.

Demaçi solli me vete dyzet shqiptarë, përfshirë figura të shquara sikur Mahmut Bakallin, Azem Vllasin, Pajazit Nushin dhe Behlul Beqajn. Autobusi i tyre u prish kushedi ku në Mal të Zi. Ata mbërrinë në katër të mëngjesit. I prisnim në ballkon të hotelit bashkë me përfaqësuesit serbë, ndër ta Novak Pribiqeviq, Ivan Gjuriq, Zhika Berisavljeviq dhe Zharko Koraq. Për mua ishte një ndër takimet për prekëse mes njerëzve të brezave të ndryshëm, që diskutonin gjithçka qetësisht dhe arsyeshëm. Më vjen keq që nuk kishim kamerë me vete për ta incizuar këtë takim.

Pastaj, Demaçi tha: «Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se regjimi nuk do që ne të zhvillojmë dialog. Sidoqoftë, mendoj se pala shqiptare nuk duhet ta injorojë regjimin serb në po të njëjtën mënyrë si ai na injoron neve. Duhet t’i themi regjimit serb çfarë mendojmë, edhe nëse është në formë të monologut». Ai nuk i besonte opozitës serbe. Ai besonte se qëllimi historik i takimit ishte «të mos humbej kjo sfidë historike por të shfrytëzohet tërë energjia dhe urgjentisht të bëhej ajo që duhej bërë – t’ua kthente mendjen serbëve ende të manipuluar».

Ai besonte se vetëm duke i kthyer rrethanat para heqjes së autonomisë së Kosovës në vitin 1989 do të jetë e mundur të gjendet një zgjidhje afatgjate për konfliktin mes shqiptarëve dhe serbëve. Ai madje mbështeste një «konfederatë ballkanike» e përbërë nga Serbia, Kosova dhe Mali i Zi. Në vitin 1997, Shtetet e Bashkuara të Amerikës propozuan diçka të ngjashme: RSJ-në federale. BE-ja po ashtu e mbështeti, por Serbia e hodhi poshtë propozimin.

Demaçi po ashtu ishte për negociata të drejtpërdrejta mes serbëve dhe shqiptarëve. Sipas tij, Konferenca e Rambujesë në vitin 1999 dështoi të përmbushte këtë parakusht themelor dhe nuk ishte e përgatitur mirë.

Demaçi u shfaq si një politikan gjatë valës së frustrimit të shqiptarëve të Kosovës ndaj politikave të qëndresës pasive, dhe u bë kreu i krahut politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Tani, pas «shtegut paqësor që nuk na shpiu askund» shqiptarët kanë të drejtë të rezistojnë, thoshte ai. Dhe, mos të ishte UÇK çështja e Kosovës nuk do të ndërkombëtarizohej.

Adem Demaçi ishte politikani i parë shqiptar që erdhi në Beograd pas intervenimit të NATO-s. «Nuk besoj në liri vetëm për njërën anë, as për shqiptarët e as për serbët», tha ai në Qendrën për Dekontaminim Kulturor, duke shtuar: «Pas të gjitha atyre gjërave i pllakosën, do të jetë vështirë që shqiptarët të binden që bashkëjetesa është e mundur, madje e domosdoshme, dhe me interes të përbashkët».

Pas intervenimit të NATO-s, Demaçi punonte që serbët të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë. Ai organizoi një numër konferencash, gjithmonë duke insistuar që të flitej serbisht në ato raste. Pas gjithë këtyre viteve, ne u takuam edhe disa herë. Gjatë vizitës sime të fundit në Kosovë në maj të këtij viti për një debat rreth shtetësisë së Kosovës, i organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, më thanë se ishte i sëmurë. Jo diçka serioze, më thanë. Më vjen keq tani që e kam humbur mundësinë ta shihja atëherë. Ai vdiq në shtetin për të cilin kishte avokuar. Ai ishte, dhe gjithmonë do të jetë, një legjendë e Ballkanit. (BIRN)