Del në dritë koka e fshehur e Leninit




Shtatoret e Vladimir Leninit me dekada të tëra i kanë ruajtur fshatrat e vogla të Ukrainës. Në dy vitet e fundit aktivistët kaluan net të tëra duke çmontuar qindra monumente të liderit të Revolucionit Rus, dhe tani ligji i ri që ndalon simbolet komuniste ka ndarë në dysh popullatën.

 

Nëse kjo çështje është shumë e ndjeshme në një shtet të përfshirë në konflikt me Rusinë, atëherë Berlini do të kishte mundësinë të merrej me versionin e saj të Leninit, 25 vjet pas rënies së Murit. Kështu së paku supozon Andrea Theissen, drejtoreshë e «Spandau Citadel», e cila ka vendosur ta përfshijë shtatoren e Leninit në ekspozitën e saj «Univeiled. Berlin and its Monuments», transmeton «Koha Ditore» shkrimin e Deutsche Welle. Për këtë ekspozitë ajo është dashur të përballej me shumë probleme, të cilat, sipas saj, nuk do të duhej të ndodhnin. Duheshin vite për të zhvarrosur këtë monument dhe u zhduk shpejt, shkruan sot Koha Ditore.

Gërmime në kërkim të shtatores

Në filmin e shkurtër «The Book of Lenins» të realizuar në vitin 1996, një fotograf amerikan nënshkruan kontratë për të bërë një libër me fotografi të shtatoreve të Leninit. Por çdo herë që udhëtonte diku, ishte shumë vonë për të. Statujat rrëzoheshin para se të vinte ai. Për regjisorin amerikan Rick Minnich, dokumentari i tij i rrejshëm ishte një shpërfaqje e transformimeve që po ndodhnin në vitet ’90 në ish-bllokun sovjetik. Historia po ndryshonte para se ai të arrinte atje. Në Berlin, shtatorja 19-metra e lartë e Leninit ishte aty gjatë vitit kur Minnichu ishte kthyer në Shtetet e Bashkuara. Me gjithë protestat dhe debatet e ashpra kundër shkatërrimit, monumenti ishte ndarë në 129 pjesë. Pjesa më fizike dhe simbolike e shtatores, koka 3.5-tonëshe e Leninit, ishte larguar më 13 nëntor të vitit 1991. Me ndihmën e fotografit që dokumentoi vendin e varrosjes së monumentit në një pyll të Kopenickut në Berlin, Ricku dhe ekipi i tij gërmuan në shumë vende derisa e gjetën lokacionin e kokës, me të cilën krijojnë një skenë për filmin e tij.

Ekspozimi i monumenteve të zhdukura

Ishte viti 2009 kur Andrea Theissen dhe ekipi i saj filluan hulumtimet për ekspozitën e monumenteve të zhdukura që do ta mbanin në «Spandau Citadel» në Berlin, njërën nga fortesat ushtarake më së miri të ruajtura nga periudha e Renesancës.

«Ne këto monumente i konsiderojmë interesante, sepse ato tregojnë historinë politike të qytetit tonë dhe të Gjermanisë. Ne po i shpërfaqim ata me gjurmët e lëna nga historia», ka thënë Theissen. «Këto nuk janë vetëm simbole të një periudhe të caktuar; ato tregojnë se si është marrë shoqëria me ta pas kësaj periudhe», ka shtuar ajo.

Në zemër të ekspozitës janë seritë e monumenteve që rrethuan «Siegesalle» (Sheshin e Fitores) gjatë pjesës së parë të shekullit XX. Shumë nga këto statuja që shpërfaqnin figura mbretërore nga Bradenburgu dhe Prusia, ishin dëmtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ekspozita që ende është e hapur, gjithashtu përfshin monumente të realizuara nga nazistët. Organizatorët nuk patën nevojë për debate lidhur me ekspozimin e shtatores së Hitlerit. Skulpturat e Rajhut të Tretë do të promovonin idealet kombëtare socialiste në vend se të ekspozonin figurat e udhëheqësve. Vepra «The Decathlete» e Arno Brekerit, e përfshirë në ekspozitë, është shembull tipik i kësaj.

Në mesin e këtyre monumenteve, busti i varrosur i Leninit ishte më i dalluari, sepse, siç ka thënë Theissen, «simbolizon politikën shtetërore të monumenteve të Gjermanisë Lindore».

Për më shumë se dy dekada pas zhdukjes, monumenti i Leninit është ende i lidhur me emocionet e shumë njerëzve. Nëpërmjet hulumtimeve të tyre për ekspozitën, ata intervistuan njerëz që jetonin afër saj, në Friedrichshain të Berlinit. Disa thonë se ende e ndiejnë që po mungon diçka, derisa të tjerët lidhen me Leninin vetëm për represionin që përjetuan ata në Gjermaninë Lindore. Prapa sjelljeve emocionale të popullatës për figurën e Leninit, Theissen papritur ishte ngarkuar me vitet e pengesave politike.

Ndarja e kokës nga trupi

Në gusht të vitit 2014, drejtori i Zyrës së shtetit për mbrojtjen e monumenteve historike, Jörg Haspel, pohoi se koka nuk duhej të ishte e ndarë nga pjesa tjetër e monumentit.

Nuk do të ishte e mundur që të bashkoheshin të gjitha 129 pjesët e shkëputura të Leninit. Një rindërtim i monumentit kolosal nuk do të përshtatej me veprën.

Një rezistencë e tillë e projektit ishte bazuar në keqkuptime, thotë Theissen. Disa njerëz «frikësoheshin se ata do ta vendosnin Leninin në piedestal». Por ajo beson se monumentet do të prezantohen në mënyrë të matur, duke shfaqur vetëm kontekstin historik të këtyre monumenteve.

Zyrtarët e shtetit thanë se më nuk mund ta lëviznin statujën. «Gjithçka nisi një vit më parë. Senati tha se nuk ishin të sigurt se ku ndodhej koka. Si me shaka, unë nisa një letër te bashkiaku, [Klaus] Wowereit dhe i ofrova ndihmën time për ta gjetur», thotë Rick Minnich. «Pak javë më vonë unë mora një përgjigje të sjellshme: ‘Faleminderit për ofertën tuaj, ne do të thërrasim nëse kemi nevojë për ndihmë’. Unë mendoj se ata gjatë gjithë kohës e dinin se ku ishte fshehur koka».

Problemi me hardhuca

Duke reaguar për një shqetësim të madh, grupet për mbrojtjen e mjedisit gati sa nuk i bllokuan punimet në gërmime. Në janar të vitit 2015, organizatorët e ekspozitës zbuluan se një koloni e rrezikuar e hardhucave të rërës jetonte mbi kokën e varrosur të shtatores së Leninit. Në këtë problem u përfshin edhe biologët. U vendos që hardhucat duhej të zhvendoseshin pas periudhës së çiftëzimit dhe më pas të nisnin gërmimet.

«Ligjet për ruajtjen e natyrës ndoshta janë shumë të rrepta», thotë Theissen. «Por ne asnjëherë nuk i kundërshtuam ato».

Lenini të enjten është dërguar në kala. Theissen beson se procesi i gjatë gjashtëvjeçar dhe debatet publike e «bëjnë ekspozitën edhe më interesante».

Seria e pengesave për kokën e Leninit do të shfaqet në një ekspozitë të përkohshme që do të shoqërojë rihapjen e «Unveiled. Berlin and its Monuments».

Kineasti Rick Minnich, i cili shmangu gjithë procesin burokratik për të gjetur kokën para dhjetë vjetësh, është i mahnitur nga fati i Leninit i punuar në granit të kuq.

«Fillimisht mendoj se ishte qesharake varrosja e kokës. Por është mirë, sepse ata zyrtarisht gërmuan për të gjetur kokën dhe tani do ta ekspozojnë. Koka është e varrosur në një anë, prandaj mendoj se ai po fle tani dhe kështu edhe do të ekspozohet. Prandaj mendoj se është vetëm mbetje e socializmit».