Degdisja e trurit nëpër korridore të administratës

Nëse strategjia e institucioneve kosovare për «kthimin e trurit» vazhdon të mbetet maksima folklorike «guri i rëndë peshon në vend të vet», nuk është çudi që ajo çfarë do të mbetet në Kosovë është skrap. Ky i fundit, pavarësisht ku dhe sa peshon, është vetëm ndryshk! Më shumë se sa me ikjen e trurit, problem për akademikët e rinj të Kosovës mbetet degdisja nëpër korridore dhe zyra të agjencisë për akreditim.



I.
Në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Tekonologjisë, thuhet se Qeveria e Kosovës ka përpiluar një program për «kthimin e trurit», në mënyrë që të kthyerit kontribuojnë për zhvillimin e vendit. Nuk po ndalem për të analizuar standardin gjuhësor dhe strukturën e fjalive me të cilat vetë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e prezenton këtë program në faqen e saj. Më shumë se sa program për «kthimin e trurit», ky dukej të ishte thjeshtë një studim për të gjetur arsyet dhe shkaqet që çojnë në «ikjen e trurit».

«Vetëm ata që nuk kanë gjasa të punësohen në universitetet perëndimore kthehen. Ata më të mirët nuk do të kthehen asnjëherë», i pati thënë portalit akademik «SciDevNet», drejtori në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Murteza Osdautaj. Sipas tij, shkollarët kosovarë në Perëndim nuk kanë interes të kthehen për një rrogë një mijë euro në muaj në Kosovë. E megjithatë, shumica e atyre që nuk kthehen, nuk e bëjnë këtë nga droja se nuk do të mund të pasurohen. Mungesa e një librarie të vetme të përditësuar, skriptat e turpshme në vend të librave, librat e dokumentuar për plagjiat që vazhdojnë të jenë pjesë e kurrikulave, mungesa e simpoziumeve, konferencave shkencore serioze dhe mungesa e një ambienti të shëndoshë akademik janë shumëfish më të rëndësishme se sa thjeshtë një rrogë në fund të muajit.

Për t’u punësuar në një universitet në Kosovë, si në shumë vende tjera, të duhet të nostrifikosh diplomat e tua të marra jashtë vendit. Të duhet një javë për të mbledhur të gjitha dokumentet që i kërkon Agjencia për Akreditim e Ministrisë së Arsimit. Pjesa tjetër është një periudhë pritje prej një deri në dy vjet. Nga njëra zyrë në tjetrën. Nga një punonjës adminsitrativ te tjetri. Nga një korridor në tjetrin. Shpeshherë kërkesat e zyrave të ndryshme të të njëjtit institucion janë kundërthënëse. Nga një zyrë në tjetrën për të sqaruar kundërthëniet e brendshme të institucionit në fjalë. Derisa të ikën durimi dhe kërkon takim me mbikqyrësin. Ky i fundit, më shumë se sa procesin e akredimit, e ka problem se si merren diplomat «kaq shpejt n’perëndim». «Nuk ma mur mendja që jeni për akreditim. Shumë e re po dokni», ngulmon zonja në dyshimin e saj.
Ndërkohë ti pret. Tash e një vit e gjysëm.

Ndërkohë mëson sa doktorë shkencash nga Universiteti i Tetovës e Universiteti i Tiranës që aplikuan bashkë me ty janë akredituar. Diplomat tua, bashkë me shumë të të tjerëve, barten nga një mledhje në tjetrën. Nga një dosje në tjetrën. Për ty është vetëm një proces administrativ që do ta bësh. Për të tjerët është pritje për të filluar punë. Për të vënë në punë një diplomë për të cilën kanë punuar me vite të tëra.

Herën tjetër kur kthehesh në Kosovë, përsëri viziton zyrat e ministrisë për akreditim. Nuk ka përgjigje pozitive. Dosja vazhdon të mbetet në shqyrtim. «Shumë keq që nuk paske plane me u kthy në Kosovë. Guri i randë peshon në vend të vet», ka kurajë të më drejtohet një nëpunës administrate që thithë cigaren në korridor.

II.
«Ikja e trurit» i referohet largimit të njerëzve të mirëshkolluar – të diplomuarve, atyre me grada të larta shkencore etj., të cilët mësyjnë vende të ndryshme për të vënë në përdorim kualifikimet e tyre profesionale. Në shekullin e njëzet, kishim ikjen e madhe të hebrenjëve nga Europa para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë listë dallohen fizikanti Albert Einstein, i cili u largua në drejtim të SHBA-ve, dhe psikoanalisti Sigmund Freud, i cili u largua në Mbretëri të Bashkuar. Gjatë viteve ’90, shumë shkencëtarë, mendimtarë dhe profesionistë të fushave të ndryshme nga vende të Europës Lindore, shkuan në vendet e Europës perëndimore dhe në SHBA pas rënies së komunizmit për mundësi më të mira të jetesës dhe të profesionit.

Vende në zhvillim në të katër anët e globit përballen me humbjen e fuqisë punëtore të kualifikuar. Shumë syresh krijojnë programe, strategji dhe politika për të tërhequr kthimin e njerëzve së kualifikuar.

Në bashkëpunim me qeverinë, në dekadën e fundit universitetet e Rumanisë, për shembull, janë foksuar në kthimin e profesionistëve të sektorit të shëndetësisë. Universiteti i Jashit, krejt në lindje të Rumanisë, fillimisht investoi në përditësimin e librarisë dixhitale dhe më vonë krijoi dy drejtime studimi të tëra në anglisht, në mënyrë që studiues, doktorantë dhe profesorë rumunë që punonin jashtë Rumanisë të kishin kushte optimale për t’u kthyer e për të punuar.

Në fillim të vitit 1980 në Turqi u themelua një universitet privat. Universiteti i Bilkentit u fokusua vetëm në tërheqjen e stafit të huaj dhe studiuesve turq të cilët po shkolloheshin nëpër vende të ndryshme të Europës Perëndimore dhe të Amerikës Veriore. Parlamenti turk e aprovoi asokohe themelimin e universitetit, duke i dhënë kështu një status më të avancuar. Për t’i nxitur turqit të linin ambiente akademike me famë botërore për një sektor akademik shumëherë më të vobekët asokohe në Turqi, u krijuan kushte të reja. Pengesat administrative ishin të parat që u mënjanuan, duke i dhënë kështu mundësi të sapokthyerve të fillonin lehtësisht aktivitetin e tyre. Sot Universiteti i Bilkentit është në listën e 50 universiteteve më të mira në botë në një sërë listash ndërkombëtare.

Në Universitetin Teknik të Lindjes së Mesme në Ankara, për shembull, një nga universitetet më të mira në Turqi dhe në top 70 universitetet në botë, kusht për të marrë një pozitë asistenti është një doktoraturë nga jashtë. Të shumtën e kohës kjo nënkupton një doktoraturë nga universitetet e Amerikës Veriore dhe ato britanike jo vetëm për shkak të reputacionit të tyre të mbarëbotëror, por edhe për shkak të mundësisë së mbajtjes së ligjeratave tërësisht në anglisht.

Në të dyja rastet, qeveritë, institucionet arsimore dhe vetë universitetet nuk e ndryshuan Rumaninë as Turqinë. Problemet e ajrit, të transportit, të nepotizmit, të ekonomisë së brishtë vazhduan të mbeten deri edhe sot e kësaj dite, por u krijuan kushte themelore për zhvillimin e profesionit të një profesori universitar. Të paktën një procedurë më pak kafkeske për të vënë në punë një diplomë.