Deda: Akuzat ndaj meje, mungesë e argumenteve brenda Vetëvendosjes, unë do të jem në VV

Ilir Deda, i cili kohëve të fundit ishte kundërshtuar nga bashkëpartiakët e tij, duke u quajtur njëri pa thellësi mendimi dhe njëri që nuk përfaqëson Vetëvendosjen, ka thënë se nuk e ka ndërmend të bëhet interesant, pasi kohë të gjatë është në skenën politike.




Për Rubikonin ai megjithatë këto veprime i ka quajtur si mungesë e argumenteve brenda Vetëvendosjes, duke thënë se nuk e ka të kuptueshme që gjërat që janë normale në demokraci të sjellin nervozë te kolegët e tij.

Ai ka potencuar se si deputet i zgjedhur askush nuk mund t’ia imponojë qëndrimet e tij.
«Ne në analiza jemi unik, por ne zgjidhje nuk jemi. Për mua nuk është problem që të vazhdoj të jem deputet edhe anëtar i Vetëvendosjes e nëse është për të tjerët problem atëherë le të mblidhet kryesia e VV-së dhe të marrë një vendim tjetër. Unë kurrë nuk kam qenë oportunist politik dhe asnjëherë nuk më bie ndërmend të flas diçka që nuk e mendoj. Ne jemi individë që kemi mendim politik. Në Kosovë janë mësuar njerëzit me një nënshtrim të vendimeve në çdo parti politike dhe kjo nuk ka të bëjë më demokraci perëndimore, por ka të bëjë me një recidivë të sistemeve moniste dhe asaj mendësie».

Deda: Opozita nuk është shpresë, unë s’bëhem pjesë e promovimit të anarkisë

Ilir Deda, ndonëse është pjesë e Vetëvendosjes, ka thënë se është e papranueshme për të që në emër të mbrojtës së pronës publike të dëmtohet ajo, madje edhe në vetë qytetin që VV-ja e udhëheq.

Veprimet e partisë së tij ai i ka quajtur non sens politik, e që sipas tij, janë larg të qenit shpresa e popullit.
«Ne nuk jemi shpresë, përkundrazi ne jemi duke ua gërditur njerëzve edhe shtetin edhe politikën dhe ky si veprim politik është i papranueshëm’, ka thënë Deda.

Megjithëkëtë, ai ka thënë se nuk e di se çka shkoi mbrapsht dhe e prishi shpresën në opozitë.
«Nuk e di çka ka shkuar mbrapsht me opozitën. Unë mendoj se prishja e VLAN-it ishte një kthesë, ne kemi pasur mundësi dhe ende e kemi këtë mundësi që t’ua shtrijmë dorën gjithë njerëzve që janë për ndryshime dhe ta zhveshim çdo parti prej ideologjisë së caktuar që e kanë sepse Kosova nuk ka kohë për ideologji dhe nuk është në gjendje të humbas kohë, kërkohen masa emergjente qeverisëse e jo ideologji».

Deputeti Deda theksoi se marrëveshjet nuk mundë të implementohen si të tilla, por sipas tij, as nuk duhet guxuar të promovohet anarkia në Kosovë, duke u zotuar se të paktën ai nuk e ka ndërmend të bëhet pjesë e veprimeve të tilla që e promovojnë anarkinë.

«Ne duhet tua kthejmë shpresën njerëzve, të bëhet bashkë jo vetëm opozita, por edhe shoqëria civile dhe njerëzit që kanë peshë në shoqëri për një program për qeverisje emergjente që ta dërgojmë vendin në zgjedhje, por në të njëjtën kohë duke ia imponuar qeverisë dialogun me opozitën për këto katër marrëveshjet. Po të ishte e mençur, qeveria vetë duhet ta bëjë këtë, por duke marrë parasysh që janë arrogantë, duhet t’i sjellim para një akti dhe të dalim me një qëndrim të përbashkët dhe t’ua prezantojmë ndërkombëtarëve».

Deda: Marrëveshjet janë duke e shkatërruar shtetin e Kosovës

Shteti i Kosovës është duke u shkatërruar, falë 4 marrëveshjeve të arritura në Bruksel, ka thënë për Rubikon, deputeti i Vetëvendosjes Ilir Deda.

Deda ka numëruar disa arsye të cenimit shtetëror përmes marrëveshjeve, të cilat, sipas tij, janë jokushtetuese.

«Në mënyrë të tërthortë, qeveria mundohet të marrë kompetenca për vete që nuk i takojnë. Me kushtetutë, qeveria nuk mund të ndryshojë rendin kushtetues me dekret, ajo nuk e ka forcën e dekretit. Është i gabuar dhe i pamundur vendimi që me dekrete ta ndryshojë dhe krijojë qeverinë e serbëve edhe autonominë e tyre brenda Kosovës», ka thënë Deda për KTV-në.

Por, sipas deputetit të VV-së, gabimi më i madh dhe cektësia e qeverisë së Kosovës, që ka lejuar të shkruhet se pronat e Kosovës i konsideron edhe Serbia si prona të veta.

«Nuk munden qeveritë gjithë pronën publike të Kosovës ta bëjnë pjesë të bisedimeve me Serbinë. Në marrëveshjen për energjetikë, pjesën ku shkruhet vërejtje e kanë përkthyer qëllimisht gabimisht, ku thonë mohim, andaj me ligj ndërkombëtar Kosova me dy duart e veta ka pranuar se e gjithë prona e Kosovës është e diskutueshme që do të diskutohet me Republikën e Serbisë».

Tutje Deda ka akuzuar qeverinë se e ka shitur Kosovën.

«Ky është gabim shumë i madh dhe nuk e di si kanë mundur ta nënshkruajnë, pos nëse nuk e kanë ditur se çfarë po nënshkruajnë. Kjo është cektësia e qeverisë sepse në momentin kur kanë shkruar se ne i konsiderojmë pronat tonat, e Serbia si të vetat, i kanë barazuar dhe kjo ose duhet të zgjidhet në Gjykatën e Arbitrazhit ose të ketë dialog për të gjitha pronat e Kosovës. Me këtë Serbia bëhet hisedar në të gjitha zhvillimet ekonomike dhe kjo është shitje e Kosovës».