Deçani një javë në grevë, proteston për Ditën e Çlirimit

Pas marrashit paqësor të mbajtur javën e kaluar me 26 maj, ku është kundërshtuar fuqishëm Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Komuna e Deçanit po vazhdon kundërshtimin e këtij vendimi.




Komisioni i dal; nga Kuvendi Komunal në seancën e mbajtur më dyer të mbyllura të datës 27 maj 2016, ka marrë vendim që kjo javë të jetë Javë e grevës.

Kështu, nga sot deri në fund të javës, institucioni i Komunës nga ora 08:00 deri në ora 12:00 do jetë në Grevë.

Në konferencën për media të Komisionit, Kryetari i Komunës, Rasim Selmanaj ka bërë me dije se më 16 qershor 2016 (e enjte), pikërisht në ditën e çlirimit të qytetit, do të mbahet edhe protesta e radhës.

«Fillimisht i kemi marr dy vendime, që komuna nga ky moment është në grevë nga ora 8:00 deri në ora 12:00 dhe kjo grevë mbahet në shenjë revolte ndaj Gjykatës Kushtetuese që ia ka fal pronën Manastirit si dhe po ashtu veprimi i dytë që kemi marrë vendim është organizimi i një proteste gjithëpopullore e cila jo pahiri do të mbahet më 16 qershor, pikërisht në ditën e çlirimit të Deçanit», tha kryetari i komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, i cili shtoi se do të koordinojnë veprimet e veta varësisht nga zhvillimet duke bërë thirrje edhe institucionet vendore që të mos heshtin duke e lënë vetëm Deçanin në veprimet e veta, raporton Koha.net.

«Unë e shfrytëzoj të them në këtë konferencë se heshtja e cila po mbretëron nga institucionet qendrore të mos vazhdojë kështu se ata janë njerëz me përgjegjësi dhe duhet ta thonë fjalën e vet», shtoi ai.

Sipas tij, nuk do duhej që Deçani të mbetet i vetëm në veprimet e veta.

«Edhe ne nuk jemi njerëz të çmendur ta kundërshtojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese sikur të mos i kishim argumentet. Argumentet janë në anën tonë. Në fakt, vendimi i shkallës së dytë i Gjykatës supreme ka marrë vendim që kjo lëndë të rikthehet në Gjykatën Komunale dhe këtu ka ndërhyrje të Gjykatës Kushtetuese e ndikuar nga politika», tha Selmanaj.

Ai theksoi se tokat janë të Deçanit dhe ne jemi përfaqësues të qytetarëve dhe fuqishëm do të kundërshtojmë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, «nuk do të dorëzohemi para asnjë presioni vendorë apo ndërkombëtarë».

Përfaqësuesit e Subjekteve Politike në Deçan, pjesë të këtij Komisioni, Xhevdet Hasanmetaj –PDK dhe Selmon Shabanhaxhaj-LDK, thanë se Deçani do të jetë këtu në të gjitha format për ta kundërshtuar këtë vendim, që sipas Komisionit është kryekëput vendim politik.