«Debat i gjallë dhe i thellë»

Rreth 50 sindikalistë shqiptarë në Zvicër u tubuan në një seminar në Bernë. Ata nuk dinë të flasin për gjëra të vogla. Konkluzionet e debatit do t’u paraqiten institucioneve dhe opinionit të gjerë.




Shenjtëria e fundjavës nuk është e tillë për një grup sindikalistësh në Zvicër. Pikërisht ata që janë angazhuar më së shumti për dy ditë pushim në javë. Në fakt, për dy ditë të lira të punëtorëve nuk kanë mjaftuar shtatë ditë punë në javë. «Sindikata ofron zgjidhje, por ajo është e gatshme edhe të luftojë», është temperamenti i të gjitha sindikatave. Ato kanë edhe shumë për të bërë.

43 përfaqësues shqiptarë të seksioneve të Unias dhe personalitete të tjera të emigracionit shqiptar në Zvicër u vendosën të shtunën dhe të dielën në Hotel Bern të kryeqytetit zviceran si në një konferencë ndërkombëtare. Me tema dhe orar të caktuara fiks. Diskutime në plenum, diskutime në grupe pune, ligjërata – ishte agjenda e seminarit të sindikalistëve. Organizator: Osman Osmani, sekretar për emigracionin në sindikatën Unia. Temat bosht të programit të punës – të rënda, sikurse dinë vetëm ata ta sfidojnë veten dhe të tjerët: Kontrata Kolektive, Marrëveshja për Sigurimet Shoqërore Zvicër-Kosovë, Participimi politik, roli i gruas…

Kontrata Kolektive – çfarë është kjo?

Kontrata Kolektive kështu, Kontrata Kolektive ashtu – dëgjohet vazhdimisht. Jo e mirë, jo e keqe. Po çfarë është ajo në të vërtetë? Në seminarin e fundjavës në Hotel Bern hisen të referojë për këtë çështje e kishte Hilmi Gashi, një eksponent shqiptar i Unia-s në Thun.

Kontrata Kolektive është një marrëveshje për të drejtat e punëtorëve, të cilën sindikata e ka negociuar me punëdhënësit dhe e kujdestaron me kujdes zbatimin e saj nga ndërmarrjet. Pa të nuk do të kishte rrogë minimale në ndërtimtari. Në fakt Kontrata Kolektive e Ndërtimtarisë zyrtarisht njihet me emërtimin Kontrata Kombëtare e Punës – LMV, sqaron Gashi. Shqetësimi i sindikalistëve është se ajo është e afatizuar deri në fund të 2015-tës dhe duhet të rinegociohet. Ndërsa punëdhënësit nuk janë të gatshëm për ruajtjen e kondicioneve të deritanishme, sindikata kërkon më shumë të drejta për punëtorët. Ajo insiston në më shumë mbrojtje për punëtorët në rast të motit të keq: «Të ndalohet puna, kur rrezikohet shëndeti, edhe atë pa reduktim rroge dhe punëtorët e ndërtimtarisë nuk duhen ngarkuar me orë shtesë pune», shpall Gashi. Sindikata kërkon respektimin e kualifikimeve të emigrantëve në branshën e ndërtimtarisë përmes njohjes së diplomave të huaja. Ajo ku sindikata nuk bën asnjë kompromis është kufiri i moshës së pensionit prej 60 vjeç në ndërtimtari, çka është arritur me shumë përpjekje në vitin 2002 përmes programit «Far», i cili ndryshe njihet si pensionimi fleksibël.

«Kontrata kornizë Kombëtare është një garanci për punëtorët në sektorin e ndërtimit», siguron Gashi. Ai thërret për një pjesëmarrje masovike në demonstratën e ndërtimtarëve me 27 qershor në Cyrih.

Përse kosovarët nuk i marrin pensionet e Zvicrës?

Sindikata në angazhimin e saj për mirëqenie të përgjithshme dhe paqe sociale është e mallkuar të konfrontohet me kundërshtarë të fortë. Njëherë ishin koncernet, tani janë shtetet. Dhe këtu tonin e jep Osman Osmani, sekretari vet.

«Ka pesë vite që Zvicra ka anuluar në mënyrë të njëanshme Marrëveshjen e trashëguar për Sigurimet Shoqërore midis saj dhe Kosovës», konstaton me keqardhje Osmani. Ky vendim i ka rënë komunitetit kosovar si një damlla. Me këtë shtetasit e Kosovës, të cilët dalin në pension të moshës, apo të invaliditetit nuk i marrin kontributet e tyre të derdhura në sistemin e sigurimeve shoqërore në Zvicër nëse e lëshojnë atë. Troç: «Ata kosovarë që kthehen në vendlindje kur mbërrijnë moshën e pensionit nuk marrin pension!»

Unia, sindikatat e tjera në Zvicër dhe organizata të ndryshme të shoqërisë civile, të sensibilizuar edhe nga sindikalistët shqiptarë, i kanë tundur sheshet e Zvicrës në demonstrata kundër kësaj padrejtësie. Ata kanë organizuar edhe një peticion që u është dorëzuar autoriteteve zvicerane dhe kosovare për zgjidhjen e këtij problemi, rekapitullon Osmani. Sipas Sekretarit, për deregjenë ku janë katandisur pensionistët kosovarë të Zvicrës «nuk janë fajtore vetëm autoritetet zvicerane, ende më të thirrur ta rregullojnë këtë çështje janë institucionet e Kosovës». Për të arritur një marrëveshje të re për Sigurimet Shoqërore, ato duhet të sjellin ligjin për to dhe të krijojnë infrastrukturën e nevojshme për administrimin e tyre. Lista e kushteve zvicerane u është dorëzuar me kohë autoriteteve të Kosovës. Ndërkaq Zvicra, sipas Osmanit nuk ka treguar vullnetin më të mirë për ta kaluar këtë ngërç. Sapo autoritet kosovare i kuptojnë detyrat tyre, pala zvicerane ua pret këmbët me një listë të zgjeruar të kushteve. Kulminacioni është ndoshta fakti që serbët vazhdojnë t’i marrin jo vetëm pensionet e tyre të pleqërisë, invaliditetit dhe trashëgimtarëve në vendlindje sipas marrëveshjes së trashëguar, por edhe shtesat familjare dhe të fëmijëve deri sa të ratifikohet marrëveshja e re, e cila është negociuar nga dhjetori i 2010-tës. «Zvicra zyrtare edhe përkundër njohjes së Kosovës vazhdon të marrë në konsideratë pretendimet serbe karshi Kosovës si pjesë gjoja integrale e saj», shton Osmani.

Nga kamerieri në deputet

Pjesëmarrja e shqiptarëve në politikë është një merak i moçëm i Osman Osmanit. Ai i pari ka dhënë shembullin e tij në angazhimin politik. Osmani ka emigruar si përndjekur në Zvicër dhe e ka filluar nga e para. Suksesi i tij i parë ishin kredencialet si kamerier, asistent në trenat e Zvicrës. Rekordi tjetër i Osmanit: zgjedhja në Parlamentin Kantonal të Schaffhausen-it, si deputeti i parë shqiptar në Zvicër. Osmanit nuk i mungojnë ambiciet dhe idetë… Njëherë për njëherë ai i inkurajon të rinjtë shqiptarë për pjesëmarrje në jetën politike dhe shoqërore të Zvicrës.

Seminari i ofroi një platformë për t’u prezantuar nënkryetarit të SP-së në St. Gallen, Arbër Bullakaj. Ai paraqet një shembull të mirë edhe për faktin se kalkulohet si kandidat me shanse reale për në Parlamentin Federal. Jo vetëm për nder të nikoqirit, Bullakaj mirënjohu kontributin e sindikatave dhe të partisë së vet për shanset që u ka hapur njerëzve si ai, që vijnë nga shtresa jo të privilegjuara të shoqërisë. Kauza e Bullakajt është avancimi i statusit të tyre. Lajmi i tij i keq: «Përfaqësimi i shqiptarëve në Zvicër është zero!»

Çfarë do të ishin gratë pa sindikatat? Liri Lushi, e cila është mësuar t’i referohen si aktorja që luan Shotë Galicën, lëshon kushtrimin: «Ata që kanë barrën kryesore dhe mundësinë për një edukim të mirëfilltë të fëmijëve janë prindërit!». Punëtorja socio-kulturore me këtë referon thelbin e diskutimeve të grupit të punës së grave për rolin e tyre në edukimin e fëmijëve.

Fundja, sindikatat janë një instancë e cila i adreson të gjitha problemet e shtruara në seminar. Dhe përfaqësimi i shqiptarëve në sindikata është një formë e participimit publik, si të tjerat. Hilmi Gashi, si një sindikalist i regjur, prezanton statusin e shqiptarëve në Unia. Gjendja, sipas tij, paraqitet e zymtë. Ai ia vjedh spektaklin ish-aktores me improvizimin e forcës së një rrjeti duke ‹i lidhur› pjesëmarrësit në seminar me njëri-tjetrin përmes fijeve të një lëmshi. Mesazhi i tij: «Nëse dëshirojmë të jemi faktor duhet më shumë angazhim dhe solidaritet. Edhe atë jo vetëm në shërbim të interesave partikulare, por edhe atyre të përgjithshme, sepse benifitet vlejnë edhe për secilin».

Për Osman Osmanin, puna përbën pjesën më të rëndësishme të kohës së njeriut, prandaj edhe angazhimi rreth saj është plotësisht i ligjëruar. Ai, si edhe Hilmi Gashi, është i kënaqur nga vajtja e seminarit. Osmani është i befasuar këndshëm nga disiplina dhe përpikëria e pjesëmarrësve në seminar. Sidomos nga pjesëmarrja e të rinjëve dhe grave, të cilat përbënin rreth një të tretën e panelit. «Debati ka qenë i gjallë dhe i thellë», e konfirmon Osmani – Gashin. Ai ndërkohë do të nxjerrë një dokument të shkruar dhe në formë të një rezolute, konkluzionet e seminarit do t’i paraqiten organizatës dhe opinionit.