Debakli i një superfuqie

Turqia po e propagandon Perandorinë Osmane si faktor rendi – por në Ballkan ajo dukej zi e më zi. Përtej romaneve të Ismail Kadaresë mungon dija mbi atë se si dukej Ballkani në kohën e sundimit osman. Prezantimi zbukurues siç po e bën Turqia e sotme nuk i përgjigjet realiteteve: dështimi i atëhershëm shtetëror osman është barrë e rëndë për rajonin deri në ditët e sotme.

Përkundër të gjitha paralajmërimeve Karl Detroiti alias Mehmet Ali Pasha shkoi në qytetin e Gjakovës në veriperëndim të Kosovës. Me urdhër të Sulltanit ai duhej të impononte shkëputjen e trevave kufitare të Perandorisë Osmane dhe dhënien e tyre Malit të Zi, siç ishte vendosur në Kongresin e Berlinit. Një pjesëtar i parisë, shqiptar mysliman, i cili e kishte pranuar në kullën e tij, e dinte se kështu ia kishte nënshkruar vetes dënimin me vdekje. Sepse sipas zakonit shqiptar të mikpritjes i zoti i shtëpisë duhet ta mbrojë mysafirin edhe atëherë kur e hedh poshtë qëndrimin e tij politik. Mijëra luftëtarë rrethuan kullën. Trupat qeveritare osmane e braktisën myslimanin e ri gjerman me arsyetimin se «myslimani nuk hap zjarr ndaj myslimanit». Të rrethuarit i mori etja dhe i zoti i shtëpisë vrau pëllumba për ta gostitur me gjakun e tyre pashën e rraskapitur. Kulla u mor dhe pasha, i cili iu kundërvu turmës, u vra.

Me shikim esëll

Skena të kujton vdekjen e gjeneralit Charles Gordon në Kartum shtatë vite më vonë, kur kryengritja e mahdiut (kryengritje e popullsisë afrikane kundër kolonializmit, vër. e red.) tronditi Sudanin më 1885. Për dallim nga Gordoni skena ngjashëm dramatike në Gjakovë nuk është xhiruar nga Hollywoodi. Por ajo është simbolike për sundimin osman në territoret periferike të perandorisë në Ballkan.

Aktualisht me glorifikimin e të kaluarës perandorake po bëhet politikë e madhe. Turqia zyrtare me qejf po e propagandon kujtimin e Perandorisë Osmane si faktor rendi. Andaj është edhe më shumë e domosdoshme të hidhet një shikim esëll mbi atë se çfarë ka lënë pas Perandoria Osmane në një rajon prej të cilit u dëbua më 1912 përmes Luftës së Parë Ballkanike. Këtu është fjala për potencialin e shtetit, për institucionet shtetërore, për sundimin dhe masat shtetërore për zhvillimin ekonomik dhe sidomos infrastrukturor të krahinave të rëndësishme, por jo për trashëgiminë kulturore, ta zëmë, në kuzhinë dhe muzikë.

Në shekullin e 19-të Perandoria Osmane ndodhej nën presionin në rritje për të zhvilluar reforma. Ushtria dhe administrata u modernizuan (me të ashtuquajturat reformat e Tanzimatit) për t’iu përgjigjur shteteve kombëtare rajonale dhe fuqive të mëdha. Integrimi i popullsisë shumicë të krishterë në Ballkan nuk u provua pothuaj asnjëherë në mënyrë serioze. Myslimanët në rajon, nga Bosnja në Kretë, ishin prej shekujsh të mësuar me pozitën e tyre të privilegjuar ndaj të krishterëve dhe nuk ishin të gatshëm të zbatonin politikën e qeverisë qendrore të trajtimit të njëjtë – jo barazisë. Kur shpalleshin reforma përkatëse paria shqiptaro-myslimane në Kosovë thoshte me zemërim se Sulltani duhet të jetë çmendur.

Ide panislamike

Humbja e territoreve të tjera në Ballkan pas Kongresit të Berlinit më 1878 çoi në ndryshimin e politikës së Sulltanit. Sulltan-kalif Abdylhamiti angazhohej për ide panislamike për t’i mbrojtur myslimanët nga nacionalizmi, i cili kishte përfshirë të krishterët në rajon. Duke reaguar kundër Krizës Lindore qeveria në Stamboll themeloi krahinën e re të madhe të Kosovës (vilajetin), që krahas Republikës së sotme të Kosovës përfshinte edhe Sanxhakun e Novi Pazarit dhe pjesë të Maqedonisë dhe Serbisë së sotme jugore. Kjo ishte një krahinë pa kufij të natyrshëm, por me një popullsi të madhe myslimane (në radhë të parë shqiptare), e cila duhej të kontrollonte një sërë bashkësish të krishtera. Pas vitit 1878 në mesin e ortodoksëve u kristalizuan identitete bullgare, serbe dhe arumune, katolikët e paktë flisnin si shqip ashtu edhe sllavisht. Numri i konsullatave të huaja u shtua shpejt: Austro-Hungaria, Britania e Madhe, Rusia, Italia, Franca, por edhe Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia ndikuan në mënyrë masive në politikën rajonale. Të drejtën e sundimit në Ballkan Perandoria Osmane duhej ta legjitimonte ndaj Fuqive të Mëdha, ta mbronte ndaj shteteve rajonale dhe ta zbatonte në mesin e nënshtetasve të vet. Më 1912 ajo kishte dështuar në të tri këto fusha, si pasojë e politikës së saj shtetërore.

Në gjysmëshekullin e fundit të sundimit osman në Ballkan munguan ndryshimet e reja strukturore, ndonëse zhvillimi politik ishte jashtëzakonisht i përshpejtuar: si më 1870 ashtu dhe më 1912 Perandoria Osmane nuk qe në gjendje të mbledhë taksat në Vilajetin e Kosovës, të marrë rekrutë, të imponojë monopolin shtetëror të forcës apo të zhvillojë madje regjistrimin e popullsisë. Kështu ishte përkundër faktit se përdorte të gjitha mjetet e pushtetit që kishte në dispozicion – nga integrimi dhe korruptimi i politikanëve rajonalë deri te ushtrimi më masiv i dhunës. Debakli i pushtetit osman u bë i qartë në prag të Luftës së Parë Ballkanike. Diktatura ushtarake e xhonturqve, të cilët kishin ardhur në pushtet më 1908 si reformatorë, më 1910 i shkatërroi me artileri qindra kulla, simbole të rezistencës shqiptaro-myslimane. Një vit më vonë Sulltani erdhi vetë në Kosovë: një ceremoni festive te varri i Sulltan Muratit të vrarë më 1389 duhej t’i bashkonte myslimanët rreth Sulltanit dhe mitit serb për Kosovën t’i kundërvihej miti osmano-mysliman. Para së gjithash Sulltani shpërndau dëmshpërblime për pronarët e tokave të shkatërruara. Ky kapitullim i shtetit osman para shqiptarëve myslimanë nuk i ndali këta të fundit që në verën e vitit 1912 të marrin kryeqytetin e Vilajetit, Shkupin, dhe kështu të nxisin intervenimin e shteteve fqinje të krishtera, lexo: Luftën e Parë Ballkanike.

Kërkesat e shqiptarëve myslimanë e bëjnë të qartë edhe më shumë debaklin politik të Perandorisë Osmane: futjen në fuqi të Kanunit, të drejtës zakonore mesjetare shqiptare, vetëqeverisje, por edhe masa për zhvillimin e ekonomisë. Në fakt Perandoria Osmane me dekada të tëra kishte investuar kryesisht vetëm në një fushë: në aparatin (disfunksional) të sigurisë. Më 1912 në tërë Vilajetin nuk kishte rrugë moderne dhe vetëm një linjë hekurudhore nga Selaniku deri në Mitrovicë. Krahas kësaj sundonin çifligarët myslimanë të tokave mbi çifçinjtë në të shumën e rasteve të krishterë, të cilët punonin tokën me metoda mesjetare. Teknologji moderne pothuaj nuk kishte fare. Përjashtim bënte sharra e një dinastie vendore shqiptare në Mitrovicë, e cila simpatizonte me Serbinë. Sistemi shkollor ishte i strukturuar sipas përkatësisë fetare dhe përfshinte shumë pak fëmijë. Në malësinë e Kosovës së sotme perëndimore dhe në Maqedoninë perëndimore fshatra të tëra shqiptaro-myslimane tradicionalisht merreshin me grabitje dhe rrëmbime – kjo ishte një lloj zeje.

Në asnjë çast ushtria dhe xhandarmëria nuk ishin në gjendje të garantojnë sigurinë publike në territorin e provincave të mëdha. Porse duhej që prijës bandash si Bajram Curri, i cili nga shqiptarët glorifikohet si hero (dhe një qytet i vogël bart emrin e tij në Shqipëri), të emëroheshin oficerë policie – një zakon i vjetër osman, i cili përherë derrin e bënte dajë. Modeli i kundërt i angazhimit të dinjitarëve jashtërajonal si Mehmet Ali Pasha apo i oficerëve dhe ushtarëve me prejardhje nga Anadolli po ashtu nuk e përmirësonte sigurinë. Qeveria osmane gjendej para një dileme sa i përket politikës së sigurisë dhe asaj shtetërore: autoritetin shtetëror e kundërshtonte më së shumti ai grup, pra myslimanët, për të cilët Perandoria kishte nevojë urgjente për mbrojtjen e kufijve kundër shteteve fqinje të krishtera.

Shqiptarët myslimanë ishin shtylla kryesore e luftëtarëve të paligjshëm, por edhe të shumë njësive të ushtrisë osmane. Politika e sigurisë nënkuptonte demonstrimin e monopolit shtetëror të forcës. Armë mund të bartnin legalisht vetëm myslimanët, për të cilët, sipas të drejtës zakonore shqiptare, arma ishte zgjatim i personalitetit të tyre – çarmatosja shihej si formë e zhburrnimit dhe për arsye sociokulturore pothuaj s’mund të zbatohej. Por gjyqësia shtetërore do të gëzonte respekt vetëm nëse do të bëhej çarmatosja e popullsisë. Perandoria nuk e gjeti udhën të dalë nga kjo dilemë. Pasojat qenë fatale, sepse hendeku i pushtetit mes myslimanëve të armatosur dhe të krishterëve, të cilët në rastin më të mirë mbanin armë ilegalisht, ishte tepër i thellë.

Dhunë fizike dhe strukturore

Raportet e konsujve austriakë, dokumente kyçe të epokës, sa i përket kësaj çështjeje nuk ndryshojnë pothuaj fare për pesëdhjetë vjet. Në prag të Luftës së Parë Ballkanike një konsull – që në fakt ishte proshqiptar, konstatoi se maltretimi dhe terrorizimi i të krishterëve ishte «sport kombëtar» i shqiptarëve myslimanë. Dhuna fizike dhe strukturore nga ana e myslimanëve janë karakteristikë kryesore e përditshmërisë në periferinë ballkanike të Perandorisë Osmane. Shkaqet janë të shumëllojshme: të krishterët ngaherë ishin nënshtetas të dorës së dytë, dhe kjo ishte ngulitur thellë në mentalitetin e myslimanëve. Në zonat ku ndikimi i shtetit pothuaj nuk ekzistonte situata ashpërsohej në mungesë gati të plotë të kontrollit institucional. Por edhe aty ku kontrolli ishte i pranishëm, autoritetet përbëheshin nga myslimanët, të cilët zakonisht nuk i ndëshkonin krimet ndaj të krishterëve. Dobësia e shtetit dhe toleranca e autoriteteve ndaj delikuenteve për shkak të përkatësisë së njëjtë fetare pengonin në zanafillë çdo lojalitet të të krishterëve ndaj shtetit osman. Përkrahja e ideve panislamike e ashpërsoi gjendjen edhe më shumë: gjatë krizës së madhe orientale (1875-1878) në Kosovë ndodhën trazira në formë të pogromit kundër të krishterëve. E ashtuquajtura Lidhje e Prizrenit, që sot lartësohet si protoshtet shqiptar, ishte më shumë një aleancë e parisë myslimane me tendencë armiqësore ndaj të krishterëve. Bashkime të tjera të shqiptarëve myslimanë, për shembull e ashtuquajtura Lidhje e Pejës (1899), ishin nën ndikimin e plotë të grupeve konservatore-islamike. Me ideologjinë shtetërore të islamizmit qeveria osmane e kishte ndërprerë me sukses lëvizjen kombëtare shqiptare në Kosovën e sotme dhe në Maqedoni dhe i kishte përçarë myslimanët dhe të krishterët.

Favorizimi i njëanshëm i myslimanëve prapëseprapë nuk e rriti entuziazmin e tyre për reforma. Malësia i shmangej gati plotësisht kontrollit shtetëror, në veriperëndim vazhdonin të ekzistonin trevat e lashta fisnore. Luftëtarë fisnorë myslimanë plaçkitnin rregullisht qytetet me shumicë myslimane që gjendeshin në rrafshina. Shpesh trupat osmane fortifikoheshin në kazermat e tyre. Kur në kuadër të një reforme në polici në vitin 1903 u punësuan policë serbo-ortodoksë, kjo e tërboi aq shumë popullsinë myslimane, saqë mbrojtësit e rendit qenë të detyruar të kërkojnë mbrojtje nga ushtria. Më së shumti kundër autoritetit shtetëror rebeloheshin rajonet fshatare, kur i përzinin taksambledhësit dhe zyrtarët e regjistrimit të popullsisë, kur kërcënonin personelin kryesisht të huaj të hekurudhës dhe kur i detyronin nëpunësit osmanë që me dresina («biçikleta» dërrase) të braktisnin si pa kokë pikat e tyre.

Gjendja u qetësua paksa kur qeveria osmane toleroi struktura rajonale të pushtetit, të cilat të kujtojnë rrethanat e sotme: në çdo lokalitet të madh, në Prizren, Gjakovë, Mitrovicë, Prishtinë kishin zënë vend pushtetmbajtës lokalë, shpeshherë dy fraksione konkurruese, prijësit e të cilave me qejf pranonin nga Sulltani dhe nga fuqitë e huaja para, ndere dhe armë, ishin të implikuar në kontrabandë dhe aktivitete kriminale (siç ishte detyrimi i tregtarëve të krishterë për të paguar haraç) dhe përdornin numrin e madh të akterëve ndërkombëtarë të stacionuar në vend për të zgjeruar fushëveprimin e tyre politik. Pothuaj nuk kishte një politikan shqiptar mysliman që nuk mori para dhe armë nga Serbia dhe Mali i Zi, natyrisht pa u bërë ithtar i tyre. Ata ruajtën lojalitetin ndaj Sulltan-kalifit të largët, por nuk i pranonin përfaqësuesit e tij në vend.

Distanca ndaj shtetit është element thelbësor i trashëgimisë osmane. Bilanci i vitit 1912 është i rëndë: diskriminimi strukturor i të krishterëve e shpjegon etjen e tyre për hakmarrje dhe dhunë kundër myslimanëve në luftërat ballkanike. Mungonte çdo përvojë e participimit politik, arsimi dhe kujdesi shëndetësor pothuaj nuk ekzistonin. Mungonin tërësisht kushtet paraprake për kalim nga shoqëria agrare paramoderne në rrethanat e shekullit të 20-të europian. Dështimi i shtetit osman edhe sot është një barrë e rëndë në rajonet e Ballkanit të brendshëm.

Prof. Dr. Oliver Jens Schmitt ligjëron historinë e Europës Juglindore në Universitetin e Vjenës. Edicioni prej pesë vëllimesh i raporteve të konsujve austrohungarez nga Vilajeti i Kosovës udhëhiqet prej tij dhe mbështetet nga Fondi Austriak për Përkrahjen e Hulumtimeve Shkencore. Kjo trajtesë është botuar në gazetën zvicerane «Neue Zürcher Zeitung».

Nga gjermanishtja: Enver ROBELLI

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU