Dasmat, aheng, festë apo «luftë»?!

Dasmat shqiptare shpesh kanë pasoja tragjike. Njerëzit nganjëherë e humbin toruan kur përjetojnë të mirën. Përshtypje njerëzish, statistika policore dhe vargjet e një poeti për finalen e tyre.

Foto: Kosova 2.0



Çdo pjesë e dasmës, që kur dy të rinj fejohen e deri në muajin e mjaltit, e mbart nga një histori në vetvete. Të gjitha elementet e saj, qofshin pjesë e trashëgimisë kulturore, apo nga prejardhja e besimi fetar, janë orientuar që dasma, si akti final i kurorëzimit të një dashurie, të mbartë në vete vetëm misionin e krijimit të një çifti të ri bashkëshortor. Me këtë orientim, martesat e hershme ishin shumë më ndryshe nga ideja e sotme e tyre.

Paraardhësit tanë primitivë qëndronin bashkë në kuptimin e bashkëshortësisë, më tepër për t’u mbrojtur dhe për të mbijetuar, sesa për të krijuar lidhje të kuptimshme. Nga momenti që me shtimin e numrit të pasardhësve ndiheshin më të sigurt, njerëzit primitivë e kuptuan se me formimin e çifteve duhej edhe t’u qëndronin atyre besnikë. Disa historianë besojnë se fillimisht martesat e para kanë ndodhur brenda grupeve, që duhej të realizoheshin detyrimisht; më vonë burrat dhe gratë filluan të qëndronin bashkë dhe t’i krijojnë familjet e veçanta.

Që nga ajo kohë, martesa ka qenë një ngjarje e lumtur dhe është kuptuar si diçka e hareshme.

Pse dasmat janë festë familjare?

Me kohën – gjithçka është shndërruar në festë familjare. Si e tillë, gjithandej nëpër trevat shqiptare ka pësuar forma nga më të ndryshmet. Në të kaluarën ato zgjatnin si festë deri në një javë, me gjithë kohën e rezervuar, si dhe paratë e shpenzuara, derisa tani ndodh që gjatësia e saj të jetë disa herë më e shkurtër, por shumëfish më e kushtueshme.

Me ardhjen e stinës së verës, kudo në viset shqiptare, numri i dasmave dhe ahengjeve tjera familjare rritet ndjeshëm. Këto gëzime, përveç riteve, dokeve e zakoneve tradicionale, shpesh festohen edhe me gjuajtje armësh, nga të cilat jorrallë ka edhe vrasje, lëndime e prishje gazmendesh. Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë tradicionale, janë të pakta ato dasma e ahengje kur nuk ka krisma armësh. Si do që të jetë, ato e kanë vetëm një emër – festë, dhe pikë!

Pse dasmat janë «luftë» familjare?

Në festa familjare sot zhvillohet një lloj lufte e vërtetë, e cila nuk ka ‹ushtri kundërshtare›. Ajo zhvillohet brenda një formacioni të vetëm ‹ushtarësh› – dasmorë, të cilët shpesh gjuajnë me armë, pa ndonjë kontroll, e për pasojë ka humbje të jetës së njerëzve.

«Urrej pastaj edhe të dielën në mëngjes, kur pas rraskapitjes së gjithë javës, gjumi më del e trembur nga boritë e makinës, që marrin ose sjellin nusen. Por, urrej edhe të shoh karvanët e nuseve, me nja shtatë ‹benza› njëri pas tjetrit, me shamitë e kuqe me fije ari të varura te dritaret dhe me xhaxhi kameramanin, me gjysmën e trupit të nxjerrë jashtë nga makina e parë, e që xhiron çdo sekondë të ecjes sikur po bën dokumentar për BBC-në», e përshkruan një autore anonime ceremoninë e dasmave, të cilat vazhdimisht janë më të zhurmshme e më moderne.

Pothuajse në secilën dasmë qytetarët shtinë me armë në mënyrë të pakontrolluar, e shpeshherë viktima të plumbave qorr janë edhe kalimtarët e rastit. Qytetarët gjuajnë madje edhe në masë e pa kujdes, pavarësisht se rreth tyre ndodh të ketë edhe fëmijë e persona të moshave të ndryshme, të cilët tmerrohen nga pamjet që i përjetojnë.

Në bazë të statistikave policore për periudhën janar – korrik 2014, 45 raste janë të hapura, ka 35 kallëzime penale, 32 persona të arrestuar, 2 persona të lënduar, janë 38 armë dhe 462 copë municion i konfiskuar.

Dyluftimi i përjetshëm…

Si epilog, duke u shndërruar shpeshherë në festë, më pas duke kaluar nëpër «luftë», vazhdon një lloj tjetër dyluftimi i përjetshëm, aq sa zgjat edhe jeta bashkëshortore, me veçantitë dhe specifikat e veta për secilin çift. Secila bashkëshortësi është një rast më vete, është ndryshe nga tjetra dhe secila i ka vetëm «rregullat dhe ligjet» e veta.

Poeti tepelenas Petrit Ruka, një emër ndoshta jo shumë i njohur, por një krijues me shije të hollë artistike, e ka kapur këtë segment shumë fuqishëm, ndoshta edhe më mirë se sociologët e psikologët, në vargjet e tij me titull:

Luftë e bekuar!

Grua, ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë, /Jemi sharë në dritë dhe jemi puthur në errësirë, /Kemi vendosur të ndahemi dhe kemi thënë; e po mirë! /Dhe prapë jemi puthur ashtu si për lamtumirë.

Kemi gënjyer njëri-tjetrin, kemi bërtitur s’të dua, /Kemi pështyrë mbi proverbin që qenkëshim mish e thua, /Kemi mburrur kontratat që bëjnë në Amerikë. /Kemi thënë njëmijë herë; u mbush kupa dhe pikë.

Pastaj jemi përqafuar; «e po unë isha në gjumë» /Jam futur në mishin tënd, siç futet në shkretëtirë një lumë, /Jemi sëmurur dhe fshehurazi i jemi lutur qiellit, /Na është holluar shpirti nga frika si fija e perit.

Dhe prapë jemi zënë sa janë tundur tepsitë /Kemi ndarë dyshekun me vijë (ah, vijë e florinjtë), /Po në errësirë kufirin e kemi shkelur si barbarë /Me dredhi ballkanike që as OKB-ja s’i ka parë.

Grua, ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë, /Ma ke pirë gjithë vrerin dhe helmin ta kam pirë, /Po ja që s’bëjmë dot pa këtë helm të mallkuar /Mos pushofsh kurrë moj luftë dhe qofsh e bekuar!