Dashuri

Visar Zhiti.



Sa larg është nata ime
prej natës tënde!
Net të tjera ngrihen midis si male të
pakapërcyeshme.

Dërgova rrugën për ty. Dot nuk të gjeti. U lodh
dhe u kthye prapë tek unë.
Nisa kaprollin e këngës sime. Por
e qëlluan gjahtarët dhe i plagosur u kthye prapë tek unë.
Era s’di nga shkohet. E ngatërruan pyjet
dhe shpellat e dhimbjes dhe u kthye prapë tek unë.
E verbër.
Bie shi i rrëmbyer shprese.
Nesër kur të zbardhë, a ta hedh ylberin
që ty të të kërkojë? Por ai, naiv si gëzimi,
vetëm një mal mund të kapërcejë.
Vetë po nisem nëpër natë dhe vetëm.
Do të kërkoj, do të kërkoj, do të kërkoj
si dora që endet nëpër dhomë, në errësirë
për të gjetur qiririn e shuar.