Dallga e jahtit që mund ta fundosë Shpend Ahmetin

Kryetari i Prishtinës duhet të krijojë sa më shpejt transparencë të bindshme në lidhje me fotografitë e tij në një jaht të panjohur në Mal të Zi. Nëse nuk arrin ta bëjë këtë, imazhi i tij si politikan me duar të pastra do të njolloset rëndë.

Foto: Shutterstock



Ndonëse fotografitë janë paksa të zbehta, nuk ka asnjë dilemë: kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti shihet në një jaht – me gjasë në bregdetin malazez. Më shumë nuk dihet tani për tani. Disa portale të Prishtinës njoftuan se jahti i përket të famshmëve vëllezërve Devolli, pronarë të korporatës me të njëjtin emër, e cila shihet si e afërt me të disa parti politike dhe sidomos me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Gjithnjë sipas këtij versioni jahti më parë paskësh qenë pronë e Qazim Osmani, një figurë e botës ballkanike të biznesit, i cili çdo verë furnizon portalet me lajme rozë.

Pas botimit të këtyre fotografive thashethemet, spekulimet, supozimet, por edhe akuzat kundër Shpend Ahmetit do të mbijnë si qepët në pranverë. Në betejën brutale për pushtet dhe për diskreditim të rivalit politik portalet e afërta me PDK-në nuk do të zgjedhin asnjë mjet, siç nuk kanë zgjedhur deri më tani. Dhe për një fushatë të tillë Ahmeti me apo pa dashje ka ofruar material, andaj kryetari i Prishtinës duhet të krijojë sa më shpejt transparencë të bindshme. Po qe se nuk e bën këtë, imazhi i tij si politikan me duar të pastra do të njolloset rëndë.

Askush nuk do të befasohej po të shihte fotografi të njëjta të krerëve të PDK-së. Harxhimi pa kontroll i parave të qytetarëve për qejfe private – nga gardëroba deri te hotelet e shtrenjta dhe pijet e rënda – është tashmë rregull i kësaj strukture grykësish të pacipë. Askush nuk do të befasohej po të shihte në një jaht të tillë ndonjë nga këta rugovistët e vetëshpallur, të cilët nëpër qymezet e Prishtinës merren me kurdisje tenderësh, shitje vizash dhe dallavere të tjera. Askush nuk do të befasohej po të shihte në një jaht të tillë ndonjë nga këta «yjet e gazetarisë» së Prishtinës apo Tiranës, të cilët «karrierën» e tyre e kanë ndërtuar duke i shërbyer politikanëve të korruptuar dhe oligarkëve të kriminalizuar.

Shpend Ahmeti nuk i përket kësaj kategorie. Andaj ai tani i ka një borxh të madh sidomos atyre që e kanë zgjedhur, por edhe opinionit të gjerë: duhet të sqarohet menjëherë, madje edhe nëse bëhet fjalë për një ndejë krejtësisht private. Si një nga figurat qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje ai me punët që ka kryer në komunën e Prishtinës ka ngjallur shumë shpresa. Disa e kanë parë madje edhe si kryeministër të ardhshëm. Ose së paku ministër të Ekonomisë.

Si çdo politikan edhe Shpend Ahmeti ka të drejtë të ketë miq. Ata miq të tij mund të kenë edhe jaht apo avionë privatë. Por së paku deri më tani Ahmeti nuk është shquar për një shoqëri të tillë. Po të kishte lidhje me figura të tilla siç po përmenden sonte, kjo do të merrej vesh qëmoti. Portaleve të pushtetit nuk u shpëton asgjë. Madje as kur prishet një autobus diku larg Prishtinës dhe ndoshta edhe jashtë Kosovës dhe këto portale japin lajmin se ende pa i bërë 100 metra në rrugët e kryeqytetit kosovar «u prish autobusi i Shpendit».

Lëvizja Vetëvendosje e ka propaganduar dhe aty ku e ka ushtruar pushtetin është përpjekur të demonstrojë qeverisje me duar të pastra. Në një ambient të pistë politik për askënd nuk mund të futen duart në zjarr, por një gjë mund të thuhet me siguri: në hapësirën shqiptare (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni) asnjë parti tjetër nuk është më shumë përgjegjëse ndaj financave publike se VV. Po ashtu VV dallon me një distancë të theksuar ndaj figurave të dyshimta që herë përfliten si padronë tenderësh, herë si kodoshë ballkanikë.

Shpend Ahmeti me të drejtë ka kritikuar Isa Mustafën për blerjen e një veture të shtrenjtë ndërsa ky i fundit me duar në xhepa administronte kaosin e Prishtinës. Që nga ardhja në pushtet Ahmeti përpiqet ta shes atë veturë për të kthyer në arkën e shtetit së paku një pjesë të shumës marramendëse që është shpenzuar për blerjen e saj. Tani mbi qafën e Ahmetit do të rëndojë «Afera Jahti». Edhe nëse bëhet fjalë për një takim privat, kriteret të cilave do t’u nënshtrohet Shpend Ahmeti janë larg më të ashpra se në rastin e Isa Mustafës, Hashim Thaçit, Ahmet Shalës apo Besim Beqajt. Është kështu për shkak se këta politikanë – me ndonjë përjashtim – personifikojnë të kaluarën e errët të Kosovës. Shpend Ahmeti personifikon(te) të ardhmen. Nuk duhet ta paragjykojmë, por shpjegime kemi të drejtë të kërkojmë prej tij ashtu siç ai kërkonte votat nga qytetarët. Liberal i majtë apo majtist me shampanjë? Kjo është çështja tani.