«Dallëndyshe» ndalet në Prishtinë me këngë mërgimi e dashurie

Në skenën siç e quan ajo «Prishtinë e bukur» duket se ndihet rehat. Siç e ka shprehi, aty shkel këmbëzbathur.




Pauzat e shkurtra mes këngëve i shfrytëzon për të ndërruar dy-tri llafe me publikun. «A jeni mirë. A keni të ftohtë», u drejtohet ajo rreth 1 mijë vetave që kishin mbushur të gjitha ulëset e amfiteatrit të «Gërmisë».

E veshur me një fustan të bardhë, ajo është qendra e vëmendjes për gati dy orë. Lëvizjet e trupit të saj, që u shkojnë për shtat melodive të instrumentistëve që e shoqërojnë gjatë performancës, koordinohen edhe me ato të reflektorëve shumëngjyrësh. Elina Duni rrëfen, këndon e vallëzon njëkohësisht, shkruan sot Koha Ditore.

«E dini se arvanitasit u nisën nga Peleponezi dhe shkuan në Itali. Arbëreshë u thonë në Itali, arvanitas në Greqi. Dhe ka ardhur koha që t’ju këndojmë këngën ‘Dallëndyshe’, e cila nuk është edhe aq e njohur sa ‘Moj e bukura More’, por e meriton të jetë po aq e njohur», rrëfen Duni para se të interpretojë këngën sipas së cilës ka marrë emrin projekti i saj i ri muzikor. «Dallëndyshe», siç shpjegon jazz këngëtarja me nam botëror, është një këngë e bukur që flet për ikjen e arbëreshëve. Titullin e albumit të ri – të cilin po e promovon me turneun që e nisi në Tiranë, e vazhdoi në Shkup dhe të premten mbrëma u ndal edhe në Prishtinë- ajo e shpjegon si metaforë të vetë jetës së saj.

«Më duket shumë e bukur dallëndyshja, sepse është një zog që emigron por edhe kthehet gjithmonë në folenë e vet. Dhe unë jam rritur në mërgim, në Zvicër, por gjithmonë kthehem në Shqipëri, në Kosovë. Kthehem tek rrënjët dhe kjo për mua është shumë e rëndësishme», ka thënë Duni pas koncertit në Prishtinë, që nisi me këngën «Unë në atë kodër, ti në këtë kodër». E për gati dy orë, nëpërmjet këngëve të vjetra shqiptare të ndërthurura me tinguj të jazzit bashkëkohor, Duni i këndoi mërgimit, dashurisë. «Fëllënza», «Bukuroshe e Lalës», «Sytë për ty i kam të njomë», etj. i interpretoi e shoqëruar nga Colin Vallon në piano, Lukas Traxel në kontrabas dhe Norbert Pfammater në bateri.

Pak para se koncertit t’i vijë fundi, Duni interpreton edhe dy këngë, siç i quan ajo, «tironse». Rikthehet në skenë mes duartrokitjesh dhe jashtë skenarit interpreton një këngë të fundit.

«Kjo këngë është kompozuar në Prishtinë dhe e ka kënduar ylli i shqiptarisë, Nexhmije Pagarusha. Dhe unë jam e lumtur kur në Evropë e prezantoj këtë këngë dhe them se është nga Prishtina», thotë Duni para se t’i jap vulë performancës në kryeqytet. «Dallëndyshe» është albumi i katërti i Elina Duni kuartet dhe i dyti i realizuar nga shtëpia diskografike e mirënjohur e jazzit «ECM». Bashkë me albumin e parafundit të Dunit, «Muza e zezë», kopje të albumit të ri janë vënë në shitje pas koncertit.

«Përzgjedhja është bërë me këngë që mua më preknin dhe mund të arrija t’i transformoja. Unë përzgjedh gjithmonë me ndjesi. Aty ku kam ndjesi, e hulumtoj atë ndjesi dhe aty del diçka», shpjegon Duni fill pasi fotografohet me adhuruesit e saj në Prishtinë dhe u jep atyre nënshkrime mbi kopertinat e albumit të ri.

Sipas saj, albumin «Dallëndyshe» e veçon fakti se në të ka vallëzim.

«Edhe pse janë këngë të trishtuara, këngë mërgimi, kemi gjetur një mënyrë që t’i këndojmë në formë më të lehtë e t’i bëjmë më të vallëzueshme. Sepse ideja përtej kësaj është që dhimbja tejkalohet përmes këngës e valles», ka thënë ajo. Në Prishtinë Duni ka ardhur pas Shkupit, derisa të shtunën mbrëma ka vazhduar për në Beograd.

«Besoj që në Prishtinë kam qenë më e çliruar. Ka shumë kohë që doja të bëja një koncert në Gërmi dhe e prisja me shumë emocion e dëshirë», ka thënë ajo.

Koncerti i Dunit në Prishtinë është organizuar nga «Republica Marketing Communications Agency» dhe është përkrahur nga Komuna e Prishtinës.

I pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, e ka quajtur koncert fenomenal performancën e Dunit.

«E patë edhe nga reagimi i publikut që ishte një ndjenjë e veçantë të jemi këtu. Do të vazhdojmë të mundohemi që për çdo muaj të organizojmë koncerte të këtij nivel. Ne e kemi mbështetur këtë koncert dhe sot publiku na tregoi se kemi pasur të drejtë dhe u mbush plot ky auditorium», ka thënë Ahmeti, tek ka shtuar se Prishtina po bëhet një qendër kulturore e shqiptarëve dhe në të po mbahen evenimentet më të mira.

Besa Luzha, pianiste, pedagoge e aktiviste e shoqërisë civile, ka thënë se nëpërmjet koncertit të Dunit ka ridëgjuar këngë të bukura nga thesari i muzikës shqiptare, të përpunuara mjeshtërisht.

«Edhe atmosfera që krijoi publiku me shumë dashuri dhe mirënjohje për këngëtaren krijoi atë magjinë që rëndom ndodh mes artistit e publikut gjatë një interpretimi ‘live’. Ky lloj interpretimi dallon nga të dëgjuarit e të njëjtave këngë në CD për shembull, sepse aty për aty përcjell emocionin e artistit/interpretuesit dhe të publikut po ashtu», ka thënë Luzha.

Sipas saj, edhe ambienti i hapur e organizimi i mirë nga ana teknika kanë mundësuar një paraqitje të kompletuar artistike.

«Thjeshtë ishte një mbrëmje e magjishme që shkoi sa hap e mbyll sytë. E përgëzoj Komunën e Prishtinës për organizime të tilla dhe është mirë që atë amfiteatër ta përdorim sa më shpesh për ngjarje të tilla artistike», ka thënë ajo.