Dallavere nga Delaware: Si u zu me «presh në dorë» qeveria e Tiranës duke manipuluar një tender në vlerë prej 30 milionë eurosh

Shqipëria e vitit 2018 po i ngjan gjithnjë e më shumë Shqipërisë së Gërdecit – këtë e tregon sidomos projekti misterioz për ndërtimin e mbikalimit «Shqiponja» në Unazën e Re në Tiranë. Kryeministri Edi Rama duhet të gjejë forcë të çlirohet nga oligarkët, përndryshe duhet të largohet. Kështu nuk shkon më. Një qeveri e kapur nga oligarkët nuk mund të tolerohet. Duhet të dëbohet. Por, kush do të vijë pastaj? Edhe kjo pyetje është e rëndësishme. Opozita e Tiranës me liderë që duhet të jenë në burg? Shqipërisë i duhet një parti krejtësisht e re, e bartur nga supet e rinisë studentore të revoltuar, nga diaspora që ka arritur suksese në vendet e Bashkimit Europian dhe nga njerëzit e ndershëm që duan të braktisin partitë aktuale për të ndërtuar një shtet funksional që e përgatit Shqipërinë për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Foto: Shutterstock



Ky është një rrëfim mbi Shqipërinë e vitit 2018. Mbi Shqipërinë e qeverisur nga socialistët, të cilët janë shndërruar në shërbëtorë të rrjeteve të oligarkëve që po ia zënë frymën vendit duke ia plaçkitur resurset. Ky është një rrëfim për Shqipërinë e vitit 2018, e cila i ngjan gjithnjë e më shumë Shqipërisë së Gërdecit, kur Partia Demokratike në pushtet e dridhi gjysmën e Ballkanit me një shpërthim që ishte pasojë e bizneseve të saj të pista. Nëse keni harruar: më 15 mars 2008, gati një muaj pasi Kosova shpalli pavarësinë, në Gërdec shpërtheu një magazinë municioni dhe mori jetën e 26 personave. Përgjegjësit kryesorë për këtë katastrofë kanë shpëtuar pa therë në këmbë. Siç kanë shpëtuar edhe ata eksponentë që vodhën sa mundën nga tenderi për rrugën e kombit, e cila as sot nuk ka përfunduar së ndërtuari dhe është një biçim-autostradë e rrezikshme.

Në Shqipërinë e vitit 2018 pushtetarët socialistë po përgatisin një Gërdec tjetër. Kësaj radhe do të hidhej në ajër arka e shtetit për të vjedhur disa milionë euro. Me siguri këto miliona do të ndaheshin pastaj në ndonjë nga ndejat konspirative në ndonjë vilë të Tiranës, ku i bëjnë bashkë kokat e këmbët pushtetarët me oligarkët.

Si po përgatitej Gërdeci i ri? Bëhet fjalë për projektin e ndërtimit të mbikalimit «Shqiponja» në Unazën e Re në Tiranë. Tenderin e fitoi një 26-vjeçar! Ky person, pa asnjë referencë biznesi, u paraqit te autoritetet e Tiranës si përfaqësues i një firme të regjistruar në Delaware të SHBA. Firma quhet «Dunwell Haberman». Në Shqipëri vepron si «DH Albania». Me dokumente të falsifikuara kjo firmë anonime arriti të sigurojë dy kontrata me vlerë prej rreth 30 milionë eurosh nga qeveria shqiptare. Ndërkohë, sipas hulumtimeve të «Zërit të Amerikës», ka dyshime të forta se pas kompanisë së 26-vjeçarit Avdjol Dobi fshihet një biznesmen i tipit oligark, i akuzuar për lidhje të dyshimta me biznesmenë malazezë. Ky biznesmen quhet Bashkim Ulaj. Ai është akuzuar nga aktivistët për mbrojtjen e ambientit se po e shkatërron shtratin e lumit të Valbonës duke ndërtuar një hidrocentral. Për këtë hata ambientale qeveria e Edi Ramës po hesht. Siç ka heshtur me vite ndaj skandaleve edhe qeveria e Sali Berishës. Sepse oligarku dje i shërbente Berishës, sot i shërben Edi Ramës (dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt, atij aktivistit të dikurshëm të shoqërisë civile që me kompromiset që ka bërë me të keqen e ka njollosur edhe biografinë e tij të dikurshme).

Sipas «Zërit të Amerikës «para një muaji, përfaqësuesi i firmës («DH Albania») e ka transferuar adresën e tij në kullën ABA Business Center, në pronësi të (Bashkim) Ulajt». «Zëri i Amerikës» ka mësuar se Avdjol Dobi ka lidhje familjare me biznesmenin Ulaj. Kuptohet se çdokush është juridikisht i pafajshëm derisa të dënohet me vendim të plotfuqishëm, por faktet e zbuluara tregojnë se tenderi për ndërtimin e mbikalimit «Shqiponja» në Unazën e Re në Tiranë i ngjan një pusi të madh të mbushur me qelb.

Revolta e studentëve shqiptarë dhe e shumë qytetarëve të tjerë në Shqipëri kundër tarifave të universiteteve publike është vetëm arsye sipërfaqësore. Arsyeja e vërtetë është pakënaqësia popullore ndaj një qeverie kuazi-socialiste që po bëhet e njëjtë me atë të Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Parulla e studentëve «nuk jemi të varfër, jemi të vjedhur» e përshkruan në mënyrën më therëse, më kreative, më ilustruese Shqipërinë postkomuniste. Ai që e ka shkruar këtë parullë meriton më shumë se një çmim dhe mirënjohje. Shqiptarët janë të vjedhur qe gati tri dekada «në demokraci». Të vjedhur nga demokratë të rrejshëm, socialistë mashtrues, lësëistë grabitqarë. Të gjithë këta, pa dallim të madh me njëri-tjetrin, nuk e dinë çka është të qeverisësh me devotshmëri. Shteti për ta është vetëshërbim, ku paligjshmëria është ligji i vetëm. Arroganca shenjë dalluese e komunikimit. Përbuzja ndaj njerëzve të ndershëm mënyrë e sjelljes së tyre. Shqipëria nuk i mbijeton dot këto oligarki partiake nëse nuk gjen forcë për të ndëshkuar të këqijtë e politikës. Sepse vjedhja dhe përpjekjet për vjedhje janë aq të hapura, saqë duket se Shqipëria është shtet i kapur.

Para se të siguronte dy kontrata me vlerë prej rreth 30 milionë eurosh     nga qeveria shqiptare, «Dunwell Haberman» prezantohej në adresën http://dunwellhaberman.com si alamet kompani me aktivitete në Amerikë, Australi e tregje të tjera, madje njoftonte se merret me ndërtim linjash energjetike dhe rrugësh. Nëse tani e klikoni adresën e kësaj kompanie, nuk do të gjeni asgjë. Iku, u zhduk webfaqja! Një numër telefoni mobil i paraqitur si kontakt në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Tiranë rezulton i fikur. Domethënë: kompania që fiton tender me vlerë 30 milionë euro nga qeveria socialiste, sapo të dalin në shesh informacionet se dyshohet për manipulime, e pezullon webfaqen dhe numrin e telefonit.

Kryeministri Edi Rama duhet të gjejë forcë të çlirohet nga oligarkët, përndryshe duhet të largohet. Kështu nuk shkon më. Një qeveri e kapur nga oligarkët nuk mund të tolerohet. Duhet të dëbohet. Por, kush do të vijë pastaj? Edhe kjo pyetje është e rëndësishme. Opozita e Tiranës me liderë që duhet të jenë në burg? Shqipërisë i duhet një parti krejtësisht e re, e bartur nga supet e rinisë së revoltuar, nga diaspora që ka arritur suksese në vendet e Bashkimit Europian dhe nga njerëzit e ndershëm që duan të braktisin partitë aktuale për të ndërtuar një shtet funksional që e përgatit Shqipërinë për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Se ku ka arritur kapja e shtetit, u pa në mars të vitit 2017. Bashkim Ulaj hapi një qendër tregtare në Tiranë. Dhe aty u mblodhën dhe qëndronin gatitu të gjithë bajraktarët e shqiptarisë – Edi Rama e Ilir Meta, Rexhep Qosja e deputetë të Partisë Demokratike, gazetarë të kazanit të Sali Berishës dhe gazetarë të kazanit të Edi Ramës. Mediat e Tiranës shkruan se në ceremoninë e hapjes Qosja e Rama u vunë në siklet nga vallëzimi i një balerine me veshje ngjitur për trupi dhe me format e dukshme. Lajmi me balerinën është banal. Forma e dukshme është kjo që përshkruam më lart: një 26-vjeçar misterioz, me dokumente të falsifikuara, fiton kontrata prej 30 milionë euro nga qeveria shqiptare! Shqipëria e vitit 2018 po i ngjan gjithnjë e më shumë Shqipërisë së Gërdecit.