Dafrunga e demarkacionit

Si u shndërrua një çështje teknike e caktimit të kufirit me Malin e Zi në dramë të rrezikshme për Kosovën? Ballafaqimi në dhe jashtë parlamentit për demarkacionin është shenjë e frikshme se Kosova nuk ka arritur të sigurojë institucione me autoritet, vendimit të të cilave i nënshtrohen të gjitha partitë. Përballë polarizimit aq të madh apeli i vetëm që mund t’u bëhet të ashtuquajturve përfaqësues të popullit është ky: votoni sipas ndërgjegjes suaj, duke pasur parasysh konsekuencat që do të ketë vota juaj.




Gjuha shqipe ka shumë fjalë që në jetën e përditshme nuk i përdorim pothuaj kurrë. Njëra ndër to është fjala dafrungë. Fjalori i Gjuhës Shqipe e jep këtë shpjegim: «Dafrungë. 1. Gosti a dasmë që bëhet me shpenzime të mëdha, me madhështi a me shumë rrëmujë; shpenzime të tepruara që bëhen për gosti, për dasmë etj.; luks i tepruar, salltanet. Dafrungë e madhe. E bënë me dafrungë. E kalonte kohën në dafrunga. 2. përd. ndajf. Me qejfe e me gosti; shumë mirë, s’ka më mirë. E ka çuar jetën dafrungë. Ia çuan (e kaluan) dafrungë».

Që nga gushti i vitit 2015 Kosova po e përjeton një dafrungë të paparë ndonjëherë. Në fund të atij muaji dokumentin për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi e nënshkruan, për palën kosovare, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Llukshiq, dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviq. Dëshmitarë të nënshkrimit ishin kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kryetari i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, si dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz.

Çfarë ishte paralajmëruar si përfundim i një procesi teknik, shumë shpejt u shndërrua në një dramë për Kosovën, në një dafrungë të rrëmujshme. Skena politike e Kosovës u nda në dy taborë. Njëri këmbëngulë se nuk është gabuar, tjetri tabor thekson se është gabuar, madje se është bërë një tradhti e madhe dhe mbi tetë mijë hektarë tokë i janë dhuruar Malit të Zi. Që nga atëherë dy krahët e politikës kanë shkëmbyer akuzat më të rënda të mundshme në adresë të njëri-tjetrit. Konflikti ka ndarë e përçarë edhe shoqërinë kosovare. Në parlament më shumë se njëherë është hedhur gaz lotsjellës nga partitë opozitare të prira nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kjo përplasje i ka «siguruar» Kosovës edhe prani të padëshirueshme në mediat ndërkombëtare. Futja e gazit lotsjellës në parlament mbetet një ndër misteret e shumta të jetës sonë politike. Si ndodhi që me muaj të tërë të dështojë krejt sistemi i sigurisë në Kuvendin e Kosovës?

Tymi i dendur në parlament dhe krejt rrëmuja e çdoditshme rreth demarkacionit është shenjë e frikshme se Kosova nuk ka arritur të sigurojë institucione me autoritet, vendimit të të cilave i nënshtrohen të gjitha partitë. Vetëm pasi shpërtheu konflikti për demarkacionin opinioni i gjerë i mori vesh se kush është anëtar i komisionit të kufirit. Shumë përpjekje për ta kaluar demarkacionin kanë dështuar në parlament. Duket se nuk është vetëm VV «kokëfortë» që hedh poshtë këtë marrëveshje. Ka deputetë edhe në parti të tjera që ngurrojnë të votojnë demarkacionin.

Konflikti ka paralizuar Kosovën. Ndërsa shtete të tjera të rajonit flasin për integrim në BE, hapin kapituj në negociatat për anëtarësim, sjellin investitorë, Kosova përpëlitet me çështjen e pazgjidhur dhe të pazgjidhshme të demarkacionit. Kush janë tradhtarët më të mëdhenj: ata që e kanë nënshkruar demarkacionin apo ata që e refuzojnë këtë marrëveshje gjoja «të drejtë» dhe, rrjedhimisht, siç thuhet, po e pamundësojnë heqjen e vizave për zonën e Schengenit? Ballafaqimi për këtë çështje qëmoti është shndërruar në dafrungë, në një rrëmujë të shoqëruar me gosti, çmimin e së cilës e paguan Kosova si shtet dhe çdo qytetar i Kosovës.

Nesër zyrtarë të lartë të BE-së do të qëndrojnë në Prishtinë në kuadër të turneut në rajon për inkurajimin e vendeve të rajonit për të vazhduar reformat në rrugën e integrimit në BE. Asnjëri nga këta zyrtarë nuk qëndroi në Prishtinë më 17 apo 18 shkurt, kur po shënohej 10-vjetori i pavarësisë. Ky ishte një mesazh: klasa politike e Kosovës e ka degraduar vendin në atë nivel, saqë nga vendet perëndimore nuk merret më fare seriozisht dhe në të shumtën e rasteve bojkotohet apo shmanget. Kur në fund të majit 2016 Mali i Zi shënonte 10-vjetorin e pavarësisë, në Podgoricë erdhi kryetari i Këshillit Europian, Donald Tusk, i cili tha se Mali i Zi është «vend i madh», pa marrë parasysh madhësinë e territorit, ndërsa malazezët «popull i madh», ndonëse nuk janë të shumtë me numër. Fjalë të tilla nga një zyrtar europian do t’i dëgjonte me qejf edhe populli i Kosovës në 10-vjetorin e mëvetësisë. Nuk pati rastin t’i dëgjojë për shkak se paaftësia e liderëve, stagnimi ekonomik, thellimi i mjerimit social e kanë shndërruar Kosovën në «dele të zezë» në mesin e vendeve të rajonit. Ky është një zhvillim dramatik: një vend që u çlirua dhe u bë i pavarur me ndihmën vendimtare të botës perëndimore, sot shikohet me mosbesim.

Edhe nëse nesër kalon demarkacioni, gjendja në Kosovë dhe pozita e Kosovës në arenën ndërkombëtare nuk do të përmirësohet shpejt, sepse menjëherë do të rritet presioni për të themeluar asociacionin e komunave serbe, hapi i parë drejt njëfarë Republike Serbe brenda Republikës së Kosovës. Diplomatët cinikë në Bruksel do të thonë se, «për fat të keq», Kosova nuk mund të përparojë në shtegun europian pa i plotësuar obligimet, të cilat i ka nënshkruar vetë. Dhe kështu do të jetë derisa do të kemi politikanë udhëheqës që interesin personal e vënë mbi interesat e vendit. Dhe kështu do të jetë derisa politikanët tanë kanë mbi qafë Shpatën e Domokleut – qoftë për shkak të kapitujve të errët të së kaluarës, qoftë për shkak të mëkateve të viteve të post-pavarësisë. Dhe kështu do të jetë derisa nuk ndëshkohen ata që Kosovën e fusin për qorrsokakë jo vetëm politik.

Në prag të përpjekjes së radhës për të miratuar demarkacionin ndoshta ndokush nga skenaristët e politikës kosovare pret që edhe gazetarët si vëzhgues të jetës publike të deklarohen «për» apo «kundër» demarkacionit. Përballë polarizimit aq të madh apeli i vetëm që mund t’u bëhet të ashtuquajturve përfaqësues të popullit është ky: votoni sipas ndërgjegjes suaj, duke pasur parasysh konsekuencat që do të ketë vota juaj. Ndoshta mund t’ju ndihmoj kjo maksimë e një mendimtari me autoritet në mbarë botën. Në pyetjen se çfarë e ka befasuar më së shumti kur bëhet fjalë për njerëzimin, Dalai Lama u përgjigj: «Njeriu». Kur e pyetën përse, ai u përgjigj kështu: «Vetëm njeriu sakrifikon shëndetin e tij për të fituar para. Pastaj sakrifikon paranë për t’u shëndoshur. Mandej është aq i shqetësuar për të ardhmen, saqë nuk e jeton të tashmen. Rezultat i tërë kësaj është se nuk jeton as në të tashmen, as në të ardhmen. Jeton sikur nuk do të vdesë kurrë, mandej vdes thua se kurrë nuk ka jetuar».

Dafrunga e demarkacionit, e gatuar nga politikanët tanë, e ilustron saktësisht thënien e Dalai Lamës. Kjo «elitë politike» e ka sakrifikuar Kosovën për ambiciet e pafrenueshme për pushtet. Tash çështja është reduktuar në mënyrë të rrezikshme: thuhet se mosmiratimi do të keqësojë raportet Kosovës me partnerët kryesorë perëndimorë. Në këso situatash pushtetarët aventurierë që prodhuan këtë krizë nuk pyesin për territor. Nuk është thënë kot se zagari i keq e sjellë ujkun në torishtë.