Daçiq u ka dërguar nota proteste 44 vendeve që përkrahin Kosovën në UNESCO      




Ministri serb i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq u ka dërguar 44 nota proteste vendeve të cilat e kanë përkrahur kërkesën e Kosovës që Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s të flasë për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

 

Sipas njohurive që thotë t’i ketë gazeta e Beogradit «Veçernje Novsosti» , shefi i diplomacisë serbe në tekst «ka arsyetuar» shkaqet juridike, politike, shpirtërore e kulturore që për Beogradin janë të papranueshme që Kosova të zërë vend në Paris, në selinë e UNESCO-s, transmeton Koha.net.

Këshilli Ekzekutiv i UNNESCO-s do të mblidhet nga 7 deri më 22 tetor e kërkesa e Kosovës, propozues zyrtar i të cilës është Shqipëria, është futur në projektin e rendit të ditës. Për të do të deklarohen 58 vendet anëtare të KE-së e votimi pritet të ndodhë më 20 tetor.

Pas propozimit të Shqipërisë janë edhe 43 vende anëtare të UNESCO-s, por ,sipas gazetës së Beogradit jo të gjitha vendet anëtare në KE që e kanë njohur Kosovës e kanë përkrahur këtë iniciativë. Sipas gazetës ato janë 12 shtete, ndër të cilat Italia, Çekia , Mali i Zi, Maqedonia, Japonia, por shton gazeta, kjo nuk do të thotë se më 7 tetor, kur kërkesa të vijë në rend dite, këto shtete nuk do ta pranojnë kërkesën.

Gazeta konstaton jo me kënaqësi se nga 58 vendet anëtare të KE të UNESCO-s, 32 e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe kjo i jep pak shpresë Beogradit se Kosova nuk do të pranohet në UNESCO. Gjithë shpresën Serbia e ka në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s, që ka 195 anëtarë e cila mbahet nga 3 – 8 nëntor. Aty pritet të merret vendimi përfundimtar pasi për ose kundër, kërkohen dy të tretat e votave përfshirë edhe të përmbajturat.

Serbia, edhe pse nuk është anëtare e KE-së, prite që të paraqesë qëndrimet e veta nëse bëhet votimi për Kosovën.