Daçiq kërcënon shqiptarët e Luginës: Mos luani me zjarr




Lideri i Partisë Socialiste të Serbisë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ua ka tërhequr vërejtjen shqiptarëve të Luginës së Preshevës të mos bëjnë paralele me Asociacionin e Komunave serbe në Kosovë duke formuar Asociacion e Komunave me shumicë shqiptare.

 

Duke komentuar paralajmërimin e liderëve shqiptarë nga Lugina për formimin e asociacionit, Daçiq në Medvegjë, ku të dielën mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale, ka thënë se shqiptarët në Serbi nuk bënë të jenë të diskriminuar, por ata duhet ta respektojnë kushtetutën e saj.

«Ua tërheq vërejtjen që të shtunën në Preshevë të mos bëjnë ndonjë paralele me AKS-në në Kosovë, ua tërheq vërejtjen që të mos luajnë me zjarr dhe të respektojnë kushtetutën dhe rendin e Republikës së Serbisë. Fakti që Serbia është për dialog nuk do të thotë se është e dobët, përkundrazi ajo është e fuqishme, më e fuqishme në 20-30 vjetët e fundit», ka thënë Daçiq, njofton agjencia serbe e lajmeve «Tanjug», transmeton koha.net.

Zëvendëskryeministri serb sot ka polemizuar edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

«Sot kam dëgjuar se kryeministri shqiptar ka deklaruar se Serbia e ka njohur pavarësinë e Kosovës me faktin se zhvillon bisedime në Bruksel. Kjo është gënjeshtër. Dua t’ju them Shqipërisë dhe shqiptarëve se Serbia dëshiron marrëdhënie të mira në rajon dhe se minoritetit kombëtar shqiptar ua garanton barazinë, por Serbia nuk do të lejojë që dikush ta nënçmojë e ta rrezikojë integritetin e saj territorial», ka shtuar Daçiq.

Sipas fjalëve të tij, AKS në Kosovë dhe nënshkrimi i marrëveshjeve në Bruksel është suksesi më i madh i koalicionit qeveritar serb.

«Serbia me të gjitha forcat e veta, edhe diplomatike e edhe me mjete të tjera do të mbrojë interesat e popullit serb në Kosovë», ka thënë ai.