D.S. dhe «Kosovat» e Zürichut

Një kujtim për vitin 1999.

Image of Zurich during dramatic sunrise.



Kur e mbaron javën e punës, e premte, ora 23:19, dhe të shkon mendja të futesh në arkiv të gazetës për të cilën shkruan qe gati 20 vjet, dhe aty kërkon… çka tjetër pos teksteve për Kosovën në pranverën e vitit 1999. Dhe mes shumë teksteve e gjen edhe një nga kolegu i dashur D.S., për të cilin në redaksi luteshim të jetojë edhe 20 vjet, por më 31 dhjetor 2016 ai vdiq. Pas pak ditësh u mblodhëm në një kishë në Zürich – ateistë, katolikë ironikë dhe myslimanë që më shumë u besojnë përrallave të Vëllezërve Grimm – për t’i thënë lamtumirë D.S.

Shkrimi që gjeta në arkiv është i datës 12 prill 1999. Titulli: «Kosovat» tona. Kolegu D.S. aty shkruan se deri para pak ditësh shumë zviceranë kishin shumëçka të përbashkët me shumë serbë – të gjithë mendonin se shqiptarët janë të pacivilizuar, aspak bashkëkohorë me mendësinë e tyre të fisit, të dalldisur pas gjakmarrjes, të paparashikueshëm, jopaqësorë. Dhe çka jo tjetër. Me një fjalë: shumë zviceranë argumentonin si Vojisllav Shesheli për shqiptarët. Shkruante atëbotë kolegu D.S. Tek kur forcat serbe filluan të kryejnë krime të pamatshme ndaj shqiptarëve situata ndryshoi. Shqiptarëve në Zvicër iu kthye fytyra njerëzore. Këtë e shkruante D.S., i cili sot s’jeton më.

Gati 20 vjet pas tekstit të D.S. – ku janë shqiptarët e Zvicrës? Disa luajnë futboll, të tjerët i gjen kudo. Zgjohesh në mëngjes dhe njeriun e parë që takon është – shqiptar. Shet kafe në qoshkun e stacionit të trenit. Shqiptari tjetër kujdeset për sigurinë në tren. Shqiptari i radhës kujdeset që çdo tavolinë e karrige të jetë në vendin e duhur në redaksi. Në orën 8 të mëngjesit largohen gratë shqiptare që pastrojnë redaksinë. Përballë redaksisë është M. Nga rrethina e Gjakovës, ai që çdo vjeshtë flet për cilësinë e rakisë që e prodhon në Kosovë, aty është edhe S., të cilin e ka operuar në zemër një mjek shqiptar. Në mbrëmje në stacionin e trenit kudo ku shikon – shqiptarë, shqiptarë, shqiptarë. Njëri shet Bratwurst, suxhukun e bekuar zviceran, tjetri shet birra, verë dhe çdo gjë tjetër që të do zemra, në dyqan të përshëndet një nënë e lodhur shqiptare,  e cila gëzohet se përfundoi dita dhe pas 15 minutave mund ta përqafojë djalin e saj të vogël. Po të ishte gjallë D.S. – kjo pamje me siguri do t’i kishte pëlqyer. Kosova e Zvicrës. Larg më e mirë se imazhi i saj.