Cyrihu – qendra financiare numër 2 në Evropë

Kush është numri 1 dhe përse qëndron Cyrihu kaq mirë?

Bahnhostrasse - një ndër rrugët më reprezentative të Cyrihut. Foto: yingko / Shutterstock



Cyrihu është me rëndësi të veçantë, si për rajonin, ashtu edhe për sektorin financiar zviceran. Ky është konstatimi i një studimi të institutit ekonomik BAK nga Baseli. Cyrihu në këtë këndvështrim qëndron mirë edhe në raport ndërkombëtar. Rajoni i Cyrihut më 2015 ishte bartësi i 44 për qind të vlerës së shtuar të sektorit financiar të Zvicrës. Me këtë Cyrihu si qendër financiare, që përfshin banka, sigurime dhe shërbime të tjera financiare në kantonin e Cyrihut, Schwyzit dhe Zugut vazhdon të jetë qendra më e madhe financiare e Zvicrës.

Vlera e shtuar e sektorit financiar të Cyrihut shkonte në 26,5 miliardë franga – 45 për qind prej të cilave vinin nga bankat dhe 44 për qind nga sigurimet. Kjo përbën rreth 17 për qind të produktit të brendshëm bruto të regjionit. Për më tepër, gati çdo i dhjeti i punësuar në rajon ka punuar në sektorin financiar. Studimi konsataton se «sektori financiar mbetet agregati më i madh në rajon. Për sa i përket strukturës së sektorit financiar në rajonin e Cyrihut, pjesën më të madhe e përbëjnë bankat.

Edhe në raport ndërkombëtar Cyrihu qëndron mirë. Rritja pas krizës financiare më 2007 qëndron në mesfushë të qendrave të vëzhguara financiare – edhe pse Cyrihu që atëherë ka përjetuar një zhvillim më pak dinamik. «Rajoni vazhdon të përbëjë njërën prej qendrave më të rëndësishme financiare ndërkombëtare», thotë studimi. Global Financial Centres Index, i cili e vlerëson aftësinë konkurruese të qendrave financiare në të gjithë botën, në edicionin aktual Cyrihun e radhit në vendin e nëtë. Me këtë, brenda Evropës, Cyrihu vjen pas Londrës, në vendin e dytë.

Sektori financiar i Cyrihut momentalisht gjindet në një situatë të vështirë. Studimi për vitin 2016 niset nga një rritje margjinale prej 0,5 për qind dhe një rënie të numrit të të punësuarve. Për vitet 2017 dhe 2018 parashikimet janë më të mira. Studimi pret një dinamikë me shtytje të lehtë dhe konform kësaj një rritje prej 1,5 për qind për 2017-tën dhe 1,8 për qind për 2018-tën.

Në një pjseë të dytë, studimi merret me gjendjen e digjitalizimit dhe industrializimit të qendrës financiare. Në këtë kuadër janë intervistuar bankat dhe sigurimet në rajonin e Cyrihut. Rezultatet tregojnë që ato janë të afta të reagojnë sipas nevojave të klientëve dhe janë duke e zgjeruar ofertën e tyre me shërbime online, përkatësisht aplikative. Momentalisht bankat duket se kanë përparuar më shumë se sigurimet, të cilat janë më pak duke i shfrytëzuar mundësitë teknike për produkte inovative, por gjithsesi janë duke e planifikuar zgjerimin e ofertës së tyre. ks