Curri: Qeveria ka dështuar në menaxhimin e riintegrimit




Riintegrimi i kosovarëve nga vendet e Bashkimit Evropian pritet të jetë problematik për shkak se Qeveria deri më tani ka dështuar në menaxhimin e krizave, ka thënë Fatmir Curri, drejtor i Programit për Integrim në KCSF.

“Qeveria në fakt ka dështuar tek sistemi i informimit dhe menaxhimit të krizave…Për më tepër, ajo është pajtuar me faktin se qytetarët po largohen dhe ndoshta ka shpresuar në solidaritetin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, se do të pajtohen me valën e fundit të migrimit duke mos e adresuar siç duhet problemin e riintegrimit”, ka thënë Fatmir Curri nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur – KCSF, në një intervistë për “Kohën Ditore”.

Ai ka theksuar se vala e fundit e refugjatëve nga trevat e luftës në Lindjen e Mesme, përkatësisht nga Iraku dhe Siria, do të ndikojë negativisht në disponimin e vendeve anëtare për të pranuar azilantë të rinj nga vendet e Ballkanit.

Curri parasheh pasoja edhe në procesin e liberalizimit të vizave, përcjell koha.net. Sipas tij, në rastin më optimist Kosovës nuk do t’i hiqen vizat para vitit 2017.