CSGD-ja kërkon hetimin e dhunës ndaj 2 pjesëtarëve të komunitetit LGBT në Ferizaj

Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) nëpërmjet një komunikate për media ka kërkuar nga institucionet shtetërore dhe të drejtorisë të marrin hapat e nevojshëm ligjorë ndaj dy personave gej të cilët kanë qenë viktimë e një sulmi duke pësuar lëndime trupore nga persona të panjohur ,të premten, në mbrëmje në qytetin e Ferizajt.

«Dy persona gej kanë qenë viktima të një sulmi që ka ndodhur të premten në mbrëmje në Ferizaj. Si pasojë njëri nga ata ka pësuar lëndime në trup e fytyrë, me ç`rast ka kërkuar ndërhyrje mjekësore. Sulmuesit, katër burra të cilët mësohet se nuk janë njohur me viktimat, janë arrestuar nga policia. Incidenti ka filluar me ngacmime verbale pastaj edhe fizik ndaj dy personave gej në vendin e tyre të punës», thuhet në komunikatën e CSGD-së, shkruan sot «Koha Ditore». Ky institucion ka shprehur keqardhje përderisa këto sulme konfirmojnë nivelin e lartë të homofobisë dhe mungesën e tolerancës në shoqëri.

«Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore thërret institucionet të marrin hapat e nevojshëm ligjorë dhe t’u japin sulmuesve dënimin e merituar e jo të mbetet edhe një rast i pazgjidhur. Gjithashtu, shprehim keqardhje që këto sulme konfirmojnë nivelin e lartë të homofobisë dhe mungesën e tolerancës në shoqërinë tonë. Prandaj u bëjmë thirrje institucioneve shtetërore të ndërmarrin masat e nevojshme në vetëdijesimin e popullsisë për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të parandalohen rastet e tilla», thuhet në fund të kësaj komunikate.

Ndërkaq, Agim Gashi, zëdhënës i policisë në Ferizaj, ka thënë se një rast i sulmit fizik në mes dy personave ka ndodhur të premten pas një mosmarrëveshjeje verbale, ndërkaq sipas tij policia ka intervistuar të lënduarin dhe është duke i vazhduar procedurat hetimore për zbardhjen e rastit.

«Rasti është raportuar të premten në mbrëmje. I lënduari nuk ka pranuar të marrë ndihmë mjekësore përderisa lëndimi ka qenë i lehtë, ndërkaq i lënduari në deklaratën e tij ka sqaruar se nuk kishte pasur telashe më herët dhe nuk e kishte njohur asnjëherë këtë person. Policia është në konsultim me prokurorin si sulm fizik, ndërkaq jemi duke i vazhduar hetimet për ta gjetur të dyshuarin e sulmit i cili deri më tashti është i panjohur», ka thënë Gashi.