Çrregullimi demokratik (III)

Pjesa e tretë e analizës së revistës «The Economist» mbi krizën e demokracisë.

Foto: Shutterstock



Demokracia, në brendinë e vet, po vuan probleme serioze strukturore, dhe jo vetëm telashe të izoluara periferike. Që nga fillimi i epokës demokratike moderne në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, demokracia ka ardhur në shprehje nëpërmjet shteteve-kombe dhe parlamenteve kombëtare. Qytetarët  zgjedhin përfaqësues që marrin kompetenca kombëtare për një periudhë të caktuar. Por, kjo ujdi tani po vihet në dyshim nga poshtë dhe lartë.

Prej së larti, globalizimi ka ndryshuar me themel politikën kombëtare. Politikanët kombëtarë kanë deleguar më shumë pushtet, ta zëmë kur bëhet fjalë për tregtinë dhe menaxhimin financiar në duar të drejtuesve të tregjeve botërore dhe mekanizmave mbinacionalë, dhe mbase tani e kanë kuptuar se nuk janë të zotë t’i mbajnë premtimet që ua kanë bërë votuesve të tyre. Organizatat ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Organizata Botërore e Tregtisë dhe Bashkimi Europian kanë shtrirë ndikimin e tyre. Ka njëfarë logjike në këtë punë: Si mund të merret një shtet i vetëm me ndryshimin e klimës dhe me evazionin e taksave? Krerët kombëtarë i janë kundërpërgjigjur globalizimit me kufizim të punës së tyre diskrete dhe me delegim të kompetencave teknokratëve të pazgjedhur me vota në disa fusha. Numri i shteteve me banka të pavarura qendrore, ta zëmë, është rritur nga 20 më 1980 në më shumë se 160 sosh në ditët e sotme.

Prej së poshtmi vijnë po aq sfida të fuqishme: Prej atyre që pretendojnë të shpallen shtete të reja, si katalanët dhe skocezët, apo prej shteteve indiane e deri te kryetarët e qyteteve amerikane. Të gjithë po mundohen ta rikthejnë pushtetin prej qeverive kombëtare. Ka edhe një grup të atyre që Mosises Naim nga “Carnegie Endowment for International Peace”, i ka quajtur “mikro-fuqi”, si OJQ-të dhe lobistët, që po e shpartallojnë politikën tradicionale dhe po e vështirësojnë edhe më shumë punën për krerët demokratikë dhe autokratikë. Interneti e lehtëson fort punën e organizimit dhe agjitacionit; në një botë ku njerëzit mund të marrin pjesë në votime reality në televizione çdo javë, ose përkrahin një peticion me një click me maus, makineria dhe institucionet e demokracisë parlamentare, ku zgjedhjet mbahen vetëm njëherë në katër vite, duken përherë e më shumë anakronike. Douglas Carsweel, deputet britanik, krahason politikën tradicionale me HMW-në, me një rrjet dyqanesh incizimesh muzikore që e mori tatëpjetën, në një botë ku njerëzit janë mësuar të dëgjojnë çfarëdo muzike që dëshirojnë nëpërmjet Spotify, shërbim popullor që ofron muzikë të çfarëdoshme.

Sfida më e madhe për demokracinë, sidoqoftë nuk vjen as prej së larti e as prej së poshti, por prej përbrenda – prej vetë votuesve. Shqetësimi i madh i Platonit për demokracinë se qytetarët do të «jetonin ditë për ditë, duke jetuar sipas qejfit të momentit», është vërtetuar si parashikim i saktë. Qeveritë demokratike janë mësuar me marrjen përsipër të deficiteve të shumta strukturore si pjesë e kursit politik, duke marrë hua që t’u jepej votuesve çfarëdo që donin në periudhën afatshkurtër, duke lënë pas dore investimet afatgjata. Franca dhe Italia nuk kishin baraspeshuar buxhetet e tyre për më shumë se tridhjetë vite. Kriza financiare vuri si mos më keq në pah paqëndrueshmërinë e demokracive të tilla të financuara me borxhe.

Me pakon stimuluese të pas krizës që po bëhet rrush e kumbulla, politikanët tani duhet të konfrontohen me kaosin që e shmangën gjatë kohës së rritjes dhe kredive të buta. Por, përpjekja për t’i bindur votuesit të mësohen me një periudhë të re shkurtimesh buxhetore nuk do të sjellë përkrahje popullore te kutitë e votimit. Rritja e ngadalshme ekonomike dhe buxhetet e kufizuara do të provokojnë konflikt meqë grupet e interesit do të hahen për burimet e kufizuara. Që gjërat të shkojnë edhe më keq, kjo garë po zhvillohet në kohën kur popullsitë perëndimore po plaken. Pleqtë gjithnjë kanë qenë më të suksesshëm kur ka ardhur puna te dëgjimi i zërit të tyre prej politikanëve se të rinjtë, duke dalë përgjithësisht në zgjedhje dhe duke u organizuar në grupe presioni si AARP-ja e guximshme e Amerikës. Ata do të kenë mbështetje absolute në shifra. Shumë demokraci tani përballen me luftën ndërmjet të kaluarës dhe të ardhmes, ndërmjet zotimeve të trashëguara dhe investimeve të ardhshme.

Kësaj kohe të vështirë do t’i shtohet edhe rritja e cinizmit kundrejt politikës. Anëtarësia partiake po shënon rënie anembanë botës së zhvilluar: vetëm një për qind e britanikëve janë tani anëtarë të partive politike krahasuar me 20 për qind më 1950. Edhe numri i atyre që dalin në zgjedhje po shënon rënie ; një studim i kryer në 49 demokraci ka treguar se dalja ka pësuar rënie prej 10 për qind ndërmjet viteve 1980-1984 dhe 2007-2013. Një anketim i kryer në shtatë shtete europiane më 2012 ka treguar se gjysma e votuesve «nuk i besonin qeverisë» në asnjë formë. Një anketim i kryer nga «YouGov» me votuesit britanikë në të njëjtin vit ka vënë në pah se 62 për qind e atyre që kanë dalë në zgjedhje besonin se «politikanët gënjejnë gjithë kohën».

Njëherësh, kufiri ndërmjet atyre që tallen me politikën dhe atyre që lansojnë fushata protestuese po shkrihet shumë shpejt. Më 2010, Partia më e Mirë e Islandës, duke premtuar hapur korrupsion, fitoi mjaftueshëm vota për të bashkëgaruar në zgjedhjet për këshillin bashkiak të Rejkjavikut. Dhe më 2013, çereku i italianëve votuan për partinë e themeluar prej komedianit, Beppe Grillos. I gjithë ky cinizëm politik për politikën mund të duket i hairit nëse njerëzit kërkojnë më pak prej qeverive të tyre, por vazhdojnë të kërkojnë punë si duhet. Rezultati mund të jetë fatal dhe përzierje e paqëndrueshme: varësi nga qeveria në njërën anë, dhe përçmim në anën tjetër. Varësia e detyron qeverinë të zgjerojë dhe ngarkojë veten, derisa përçmimi i plaçkit legjitimitetin. Mosfunksionimi demokratik shkon krah për krah me çrregullimin demokratik.

Problemet e demokracisë në zemër të saj ndihmojnë për të shpjeguar zmbrapsjet e saj. Demokracia ia doli fort mirë në shekullin njëzetë edhe për shkak të hegjemonisë amerikane: shtetet e tjera natyrisht se dëshironin të ndiqnin rrugën e liderit të botës. Por, me rritjen e ndikimit të Kinës, Amerika dhe Evropa nuk e kanë më rolin joshës si modele dhe as oreksin e tyre për përhapjen e demokracisë. Administrata e Obamës dukej e paralizuar prej frikës se demokracia do të prodhojë regjime të ashpra ose se do t’i fuqizonte xhihadistët. Dhe, pse vendet në zhvillim ta marrin të mirëqenë dhe ideale demokracinë për formimin e qeverive kur edhe qeveria amerikane nuk mund të miratojë buxhetin, e lëre të ketë një plan për të ardhmen? Pse autokratët të dëgjojnë ligjërata demokracie nga Europa, euro-elita shkarkon krerë të zgjedhur që ia kishin prerë rrugën ortodoksisë fiskale?

Njëherësh, demokracitë në botën në zhvillim janë përballur me të njëjtat probleme si bota e zhvilluar. Edhe ato kanë shpenzuar shumë në planin afatshkurtër dhe nuk kanë menduar për investime në planin afatgjatë. Brazili ua mundëson punëtorëve të dalin në pension në moshën 53-vjeçare, por ka bërë pak për të krijuar sistem modern aeroportesh. Sistemet politike janë kapur prej grupeve të interesit dhe po minohen prej sjelljes antidemokratike. Patrick Frenchm, historian britanik, vëren se çdo deputet i dhomës së lartë të parlamentit indian nën moshën tridhjetëvjeçare është pjesë e një dinastie politike. Madje edhe brenda elitës kapitaliste, po zbehet përkrahja për demokracinë; manjatët indianë përherë ankohen se demokracia kaotike e Indisë ndërton infrastrukturë të kalbur, derisa sistemi autoritar i Kinës ndërton autostrada, aeroporte moderne dhe trena me shpejtësi të rrufeshme.

Demokracia edhe më parë ka pasur ditët e saj të zeza. Në vitet 1920-1930, komunizmi dhe fashizmi dukeshin si gjëra që po merrnin vrullin: kur Spanja riktheu përkohësisht qeverinë e saj parlamentare më 1931, Benito Mussolini e krahasoi këtë si rikthim te llambat me gaz në kohën e elektricitetit. Në mes të shtatëdhjetave, Willy Brand, ish-kancelar gjerman, deklaroi se «Europës perëndimore i kanë mbetur vetëm 20 ose 30 vite demokraci; pastaj demokracia do të rrëshqasë, pa motor e si pa krye nën detin rrethues të diktaturës». Gjërat nuk kanë shkuar aq keq deri në ditën e sotme, por Kina përbën një kërcënim larg më të besueshëm se ndonjëherë komunizmi për idenë se demokracia është përherë superiore dhe se eventualisht përherë e tillë do të mbetet.

Prapëseprapë, përparimet e Kinës maskojnë probleme të mëdha. Elita nuk po ia prish qejfet vetes dhe po shndërrohen në klikë në shërbim të vetvetes. Pesëdhjetë anëtarët më të pasur të Kongresit Kombëtar Popullor të Kinës kanë bashkërisht pasuri në vlerë prej 94 miliardë dollarësh – gjashtëdhetëfish më shumë se pesëdhjetë kongresistët më të pasur të Amerikës. Shkalla e rritjes ekonomike të Kinës ka rënë nga 10 në 8 për qind dhe pritet të bije  edhe më shumë – një sfidë e madhe për një regjim, legjitimiteti i të cilit varet nga zotësia e tij për të mundësuar rritje të përhershme ekonomike.

Njëherësh, siç ka theksuar Alexis de Tocqueville në shekullin nëntëmbëdhjetë, demokracitë përherë duken më të brishta se sa janë në realitet: Të gjitha janë me shumë konfuzion në sipërfaqe, por kanë fuqi të madhe të fshehur. Duke qenë se mund të sjellë në pushtet liderë alternativë me ofertën e politikave alternative, demokracia e kryen punën më mirë se autokracia kur bëhet fjalë për gjetjen e zgjidhjeve kreative të problemeve dhe të kapërcimit të krizave qenësore, ani pse nganjëherë duhen bërë leqe rrugës, drejt politikave të duhura. Por, nëse duan të kenë sukses, edhe demokracitë e konsoliduara edhe të brishtat duhet të sigurohen se janë ndërtuar mbi themele të forta.

(Vazhdon nesër)