Çorba e rrezikshme juridike e Ministrisë së Padrejtësisë

E ashtuquajtura Ministri e Drejtësisë e Kosovës po përpiqet të mbrojë kthimin e deliktit verbal jugosllav, duke iu referuar Kodit Penal të Gjermanisë. Një lojë perfide kundër së cilës duhet të rezistojnë qytetarët e Kosovës.

Foto: Shutterstock



Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka njoftuar opinionin se i është referuar Kodit Penal të Gjermanisë, kur ka propozuar «draftin fillestar të Projektligjit për ndryshim plotësimin e Kodit Penal» dhe sidomos pjesën sa i përket fyerjes të bartësve të funksioneve të larta shtetërore. Edhe ne si Gjermania! Sa mirë! Po të mos ishte mashtrim.

Neni 90 i Kodit Penal të Gjermanisë vërtet thotë se kush e fyen presidentin federal publikisht, në tubime apo duke shpërndarë shkrime, dënohet me burg prej tre muaj deri në pesë vjet. Për të ndjekur dikë që mund të ketë fyer presidentin ligji gjerman kërkon që për këtë duhet të japë autorizim vetë presidenti. Në versionin kosovar kjo s’kërkohet.

Secili vend ka specifikat e veta dhe shpeshherë çka është e mirë për Gjermaninë, nuk është detyrimisht e mirë për Kosovën apo ndonjë vend tjetër. Secili vend ka historinë e vet, përvojat e veta historike, barrën e fajit apo të vuajtjes gjatë historisë, andaj kopjimi i ligjeve nuk llogaritet si punë fisnike e juristëve seriozë.

Për ta thënë edhe më qartë: dallimi mes Kosovës dhe Gjermanisë është se në Gjermani që nga Lufta e Dytë Botërore në funksionet më të larta të shtetit nuk kanë arritur të zgjidhen të dyshuarit për krime serioze, siç është rasti me bartës të funksioneve të larta në Kosovë. Kur ta arrijë demokracia e Kosovës cilësinë e demokracisë gjermane, kur drejtësia kosovare nuk do të jetë e kapur, por e pavarur, kur të ketë Kosova një president, të cilit nuk i rri mbi kokë si çengel drejtësia ndërkombëtare, atëherë parlamenti, mediat dhe shoqëria civile mund të diskutojnë për nene të Kodit Penal, të cilat sanksionojnë fyerjen e bartësve të funksioneve më të larta shtetërore.

Ndërsa në Gjermani ligji e mbron vetëm presidentin nga fyerjet, Ministria e Padrejtësisë e Kosovës ka propozuar që nga fyerjet të mbrohen edhe kryeministri, kryetari i parlamentit dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Mungon vetëm edhe formulimi se ndalohet me ligj të fyhen të gjithë protagonistët e aferës «Pronto» nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ndalohet të quhet SHIK-u organizatë kriminale, ndalohet të thuhet se garazhet e ndërtuara afër selisë së PDK-së janë ilegale.

Skandali i Ministrisë së Drejtësisë nuk përfundon këtu. Duke e kopjuar ligjin gjerman në pjesën ku flitet për «Organizatat e Shpallura si Jokushtetuese» thuhet se ata që shprehen «në mënyrë të dëmshme» për respektimin e shtetit po ashtu mund të ndiqen sipas Kodit Penal të Kosovës. Një pjesë e madhe e ligjeve gjermane është shkruar duke pasur parasysh të kaluarën naziste dhe qëllimi i formulimeve të tilla është që të pengohen partitë antidemokratike për të ardhur në pushtet. Që kjo të mos ndodhë ato duhet të shpallen jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë, një instancë me autoritet të lartë juridik, ku kryetar ka qenë edhe Roman Herzogu, më vonë president i Gjermanisë. Kosova nuk e ka president Roman Herzogun, por këtë që e ka. Siç e tha saktë aktivisti i shoqërisë civile Hajrullah Çeku: «Fyerja më e madhe për institucionin e Presidentit të Kosovës quhet Hashim Thaçi».

Qëllimi i kopjimit të stërkequr të neneve të tilla është luftimi i çdo mendimi opozitar në Kosovë. Duke ditur se, për fat të keq, jo rrallë shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese kanë marrë vendime sipas direktivave politike, nuk mund të përjashtohet mundësia që juristët kryesorë të shtetit të shpallin jokushtetuese çdo grup politik që ia turbullon ujin vëllazërisë kriminale të PDK-së. Që për këso marrëzi juridike vihet në shërbim të një strukture të kriminalizuar politike edhe vetë ministrja e Drejtësisë nuk është befasi. Këtë duket se e ka marrë si obligim në ditën kur ka pranuar postin e ministres së Drejtësisë. Asaj i qoftë për nder kjo poshtërsi. Por kundër kësaj loje perfide duhet të rezistojnë qytetarët e Kosovës. Sepse janë politikanët që e kanë fyer këtë vend më shumë se çdo qytetar, të cilit i ka ardhur shpirti te hunda. Një president e ka shkelur Kushtetutën (Fatmir Sejdiu), një Kuvend e ka shkelur po ashtu Kushtetutën (kur e ka zgjedhur Behgjet Pacollin president). E tepërt të theksohet se në çfarë rrethanash është zgjedhur Thaçi president: në shtetrrethim policor, në një ambient të dhunshëm, kërcënues. Rrjedhimisht, ai s’përfaqëson as unitetin e popullit, siç e kërkon Kushtetuta e gjorë dhe nëpërkëmbur. Institucionet e themeluara pas zgjedhjeve të manipuluara (a ju kujtohet vjedhja industriale e votave?) nuk meritojnë as respekt, as mbrojtje ligjore. Këto institucione nuk janë demokratike, sepse qëndrojnë në këmbë falë grushtit dhe kallashit të kumanirave multimilionerë – kuptohet të pasuruar në mënyrë të kundërligjshme. A ju kujtohet ardhja e Sami Lushtakut në Kuvend për t’i «bindur» deputetët për të votuar për Pacollin president?

Sa i përket Gjermanisë: një nen i Kodit Penal parasheh dënimin e çdokujt që fyen organet dhe përfaqësuesit e shteteve të huaja. Viktimë e këtij neni vjet ra edhe një humorist gjerman, i cili e përqeshi presidentin turk. Meqë Rexhep Taip Erdoani zemërohet lehtë, lakenjtë e tij juridikë e paditën humoristin dhe një gjykatë gjermane ndaloi disa pjesë të një poezie që humoristi ia kishte kushtuar Erdoanit. Por juristët gjermanë, të saktë siç janë, theksuan se kritika e ashpër e humoristit kundër represionit të regjimit turk është e lejueshme – dhe për këtë represion e bart përgjegjësinë Erdoani si person përgjegjës politik. Për të përshkruar këtë represion lejohen edhe fjalë drastike në kuadër të lirisë artistike. Kancelarja Angela Merkel dha leje që drejtësia të merret ne këtë lëndë, por menjëherë paralajmëroi se Gjermania do të fshinte këtë nen nga Kodi Penal për shkak se nuk është më bashkëkohor. Fshirja ka hyrë në procedurë parlamentare dhe do të mbyllet deri në vitin 2018. Kush merr përgjegjësi publike duhet të durojë më shumë, madje edhe shpifje. Këtë e durojmë edhe ne si gazetarë – pothuaj çdo ditë.