«Ç’ndodh me atdheun që nuk është i aftë për t’i dashur as fëmijët e vet?»

Recension mbi librin me poezi «Lëngu i trëndafilave» të Xhevdet Bajrajt.

Xhevdet Bajraj.



Poeti Xhevdet Bajraj vjen së fundi para lexuesit shqiptar me vëllimin e ri poetik «Lëngu i trëndafilave» të botuar nga Shtëpia Botuese «Koha». Ky libër është rezultat i punës së poetit gjatë vitit të parë të bursës së Sistemit Kombëtar të Krijuesve Artistik të Meksikës. Poezitë e këtij vëllimi poetik sado që në aspektin tematik e motivor, në shikim të parë shfaqen si vazhdimësi e krijimtarisë së tij të deritanishme, me një lexim pak më të vëmendshëm bie në sy se kësaj radhe poeti Xhevdet Bajraj komunikon më ndryshe me lexuesin.

Shprehja e tij poetike është më e thukët dhe më e tendosur, duke krijuar kështu përshtypjen e zërit që vjen nga thellësitë e një uni poetik të sfilitur nga dhimbja, nga pesha e jetës brenda së cilës liria, paqja dhe mjerimi dalin me të njëjtën ngjyrë, duke e pamundësuar kështu dallimin e kufirit mes tyre. Refleksionet e tij mbi jetën dhe perceptimi i realitetit kaotik, shfaqen përmes imazheve dhe rrëfimeve të shkurtra, të ndërtuara me një sistem të sofistikuar figurativ, sistem ky që tanimë është kthyer në shenjë identifikuese të poetikës së tij.

Nëse kërkimin e shtegut për të arritur brenda botës poetike të Bajrajt e nisim nga titulli i librit «Lëngu i trëndafilave», atëherë do të ndodhemi përpara synimit të tij për krijimin e eliksirit të jetës, si produkt i njërit prej simboleve më të bukura të saj, trëndafilit. Për të arritur këtë synim poeti bën një rrugëtim të gjatë në kohë, duke trajtuar të tashmen përballet me domosdoshmërinë e kthimit në të kaluarën, por edhe reflektimin mbi të ardhmen. Bajraj rrugëton brenda vetes, kujtesës së tij, kujtesës kombëtare por edhe historisë njerëzore në përgjithësi. Një rrugëtim i tillë bën që në titullin e librit t’i gjejmë edhe gjurmët e nostalgjisë për fëmijërinë, periudhën më të bukur të jetuar, tek e cila poeti rikthehet sa herë që ndjehet i ngulfatur nga kontaminimi i realitetit, por edhe kur ndjen domosdoshmërinë e të vështruarit magjik të botës. Nëse ekstraktin e jetës, poeti e kërkon në konceptin e së bukurës, qoftë ajo materiale si trëndafili, apo emocionale si fëmijëria, atëherë është e kuptueshme pse poezitë e Xhevdet Bajrajt në këtë vëllim janë një kërkim përtej realitetit objektiv, ai dashuron të bukurën dhe mirësinë, prandaj edhe i kërkon ato gjithandej, në natyrë, në tokë, në qiell, në atdhe, te krijesat e tjera, e në veçanti te njeriu, në sferën shpirtërore të tij dhe në veprimet që lënë gjurmë në kohë. Nga ky këndvështrim mund të shihen edhe dy poezitë e këtij vëllimi «Gratë» me të cilën hapet libri dhe poezia përmbyllëse «Ftesa përfundimtare», në të cilat koncepti i së bukurës zgjerohet më tej, duke përfshirë femrën, si një personifikim tjetër të bukurisë.

Mund të duket paradoksale që një sistem poetik i ndërtuar mbi kërkimin e së bukurës të përfshijë poezi që përshkohen me diskurs të ngrysur, pa shpërthime himnizuese dhe glorifikim të saj. Por, për poetin që nuk i gjen dot vend të bukurës në tablonë e errët të jetës, s’ka si të jetë ndryshe. Ai përpiqet të shijojë bukurinë e natyrës, por në çdo peizazh shfaqet një derë që e çon drejt dhimbjes, dëshiron të shohë koloritin e jetës, por gjithçka është gri, vetëm vdekja që është jashtë pushtetit të njeriut i ka të gjitha ngjyrat. Poeti vihet në kërkim të njerëzve që shohin botën me zemër, por ndeshet në shikimin indiferent të tyre. Nuancat e ngrysura me të cilat peneli i Bajrajt pasqyron realitetin, zhgënjimi nga prirjet destruktive të bashkëkombësve dhe dëshpërimi nga devijimi i njerëzimit nga «njerëzorja», që i përshkojnë fund e krye poezitë e këtij libri, janë zë i protestës, artikulim i pakënaqësisë së poetit dhe klithje për ta ndryshuar rrjedhën e lëvizjes.

Gjithnjë i kursyer në fjalë, por me një dhunti të jashtëzakonshme të gjetjes së figurave poetike, dhunti kjo e pakrahasueshme me asnjë shembull tjetër në letërsinë shqipe, Xhevdet Bajraj krijon imazhet argumentuese të botës së shthurur. Ai nuk mund të ketë besim në një brez që «ndjek engjëllin e natës së pafundme», që «i prenë krahët e zogut të lirisë», që «vret flluskat e ëndrrës së fëmijës», që nuk prodhon dashuri «për ta prekur një  zemër tjetër». Poeti është kundër realitetit në të cilin «të vdekurve vazhdojnë t’u rriten thonjtë në kërkim të paqes», ku «lumi ngopet me dhimbje dhe e merr me vete tërë qytetin», ku «zogjtë zënë në thua gjatë fluturimit», ku «njerëzit e papunë, të dhjerë dhe krenarë e bjerrin ditën e lirë». Ai kërkon një brez që nuk hesht, i bindur se: «në gojën që hesht / mbinë bari», një brez nga i cili «mund ta huazojë zërin, për ta emëruar jetën e re», një brez që është i aftë ta shohë imazhin real të tij, të tronditet nga ai imazh, ta gëlltisë atë dhe të përpiqet të krijojë një imazh të denjë për t’ua lënë brezave që vijnë. Përndryshe, jeta nuk do të jetë asgjë tjetër, veçse një ekuivalent i dhimbjes dhe i vetmi qëllim i saj do të mbetet vdekja, apo siç e thotë Bajraj: «Është shumë e thjeshtë / nuk u krijuam për të jetuar jetën / por vdekjen».

Vdekja është një nga konceptet që e hasim shpesh në këtë vëllim poetik, krahas dhimbjes, zogut, fëmijës, gruas, ëndrrës, ndërsa funksionalizimi i saj brenda poezisë shfaqet në trajta të ndryshme. Ajo shfaqet si gjendje e poetit në momente të caktuara: «Kam kohë që jam i vdekur / por kam përshtypjen / se jam duke i ëndërruar këto që i shkruaj», një vdekje megjithatë e frytshme, por ajo shfaqet edhe si përmbyllje e ciklit jetësor të të gjitha qenieve, si fund i të të gjitha ndjesive, aq sa në fund shuhet edhe vet ajo apo «vdes vdekja». Por, simbolika e vdekjes në poezinë e Xhevdet Bajrajt është më e thellë, për të çdo mënyrë e të jetuarit që nuk ka si shtytje progresin, synimin e një stadi më të lartë të ekzistencës është e njëjtë me vdekjen, të jetuarit e një brezi duke qenë thjesht dëshmitarë të një shkatërrimi përmbytës, gjithashtu, nuk ka asnjë dallim nga vdekja. Portretin e njeriut të nënshtruar dhe të paaftë për të vepruar, poeti e jep në katër vargje të poezisë «Libreto»: «Gjatë gjithë dramës së jetës / në tokën e luleve që nuk lirojnë aromë / ai nuk e kishte detyrën e vështirë / e luajti rolin e një të vdekuri». Në këto vargje gjejmë një përjetim të thellë ndijor, dhimbje për tokën që ushqen qenie të kota, mllef kundër indiferencës njerëzore ndaj dramave të jetës dhe ironi për vdekjen për së gjalli. Poeti sugjeron se një apati e tillë e ka fundin e saj, vjen një çast kur gjeli paralajmëron ditën e re dhe «askush nuk zgjohet nga vdekja», duke dhënë në këtë varg të fuqishëm përmasat tronditëse të apokalipsit moral të njerëzimit.

Një nga dhimbjet shqetësuese të poetit, në poezitë e këtij vëllimi, padyshim janë edhe fëmijët si brez i së ardhmes. Poezia «Portreti i fëmijës në dritare» jep të vërtetën e hidhur të historisë njerëzore, që poeti e barazon me «blegërimën e një deleje që vrapon pas qengjit të saj në thertore» ndërkohë që fëmija është i privuar nga të kuptuarit e saj. Shtrohet këtu një dilemë e heshtur, të vazhdohet edhe më tej t’u ofrohet fëmijëve një pasqyrë iluzore e realitetit, apo të njihen me të vërtetën e tij. Përgjigjen për këtë e gjejmë në poezinë «Kukulla» ku vajza i mbyllë sytë kukullës së gjymtuar që të mos sheh shkatërrimin që lënë pas okupatorët. Ndërsa në poezinë «Buzëqeshja» babai vdes duke buzëqeshur për të krijuar te bija e tij imazhin e një fundi të lumtur. Por jo gjithmonë ia dalim të fshehim ashpërsinë e jetës nga fëmijët, sikur thotë poeti, në një poezi tjetër shohim Afrimin dy vjeç që i këputet krahu me bajonetë, ndërsa diku tjetër kufomën e foshnjës nëntëmuajshe me biberon në gojë. Kjo bëhet edhe më shqetësuese nga fakti që vrasje dhe lëndime të tilla bëhen edhe në kohë paqeje, se vrasje është edhe shkërmoqja e ëndrrave miturak dhe dëshirave të çiltra për jetë të bukur, prandaj poeti pyet: «Ç’ndodh me atdheun që nuk është i aftë për t’i dashur as fëmijët e vet?», pyetje kjo që na shpie në të vërtetën e hidhur – një vend që nuk i kursen fëmijët dhe që e lëndon botën e tyre, e shkatërron të ardhmen e tij.

Duke e ndarë hapësirën e jetës mes dy vendeve, dy kontinenteve dhe dy mendësive skajshmërisht të ndryshme, apo duke u «ngrohur në diellin e dy botëve» poeti Bajraj i përafron përjetimet e veta me përjetimet e popullit të tij, por edhe të njeriut pavarësisht etnisë që i takon, përafron gjykimin e tij ndaj ligjeve të botës reale, asaj shqiptare dhe të huaj. Në këtë mënyrë, këndvështrimi i tij mbi gjendjen aktuale të atdheut është thellësisht objektiv, të gjykuarit e tij është i zhveshur nga dehjet me heroizmat e së kaluarës, por njëkohësisht ai nuk rresht së kërkuari edhe shkëndijat më të imëta të prosperitetit tek populli i tij i shumëvuajtur. Duke qenë dëshmitar i hapave gjigantë që po bëjnë popujt e tjerë drejt ndërtimit të një të ardhme më dinjitoze, Bajraj shfaqë zhgënjimin ndaj pamundësisë së bashkëkombësve që të tejkalojnë lulëzimin e së keqes.

Në poezinë «Pranvera në B» poeti ndërthur dy situata tërësisht paradoksale, në njërën anë jepet normaliteti i jetës, përkushtimi i njerëzve ndaj çështjeve të përditshme, ndërsa në anën tjetër zhvillohet tragjedia e re e nënës në mes të Ballkanit, së cilës: «gjarpri ia thithë gjinjtë e fryrë nga qumështi i lirisë». Në këtë rast aluzioni është sa i qartë aq edhe tronditës, që merr përmasat e akuzës ndaj të gjithë atyre që sado pak mund të kontribuojnë në ndërprerjen e kësaj tragjedie. Por kjo pamundësi e veprimit të bashkëkombësve, nuk është edhe pamundësia e poetit, sepse ai krijon poezinë si antagoniste të së keqes së përbotshme, e në veçanti të së keqes shqiptare, që e bën lexuesin të besojë se megjithatë ekziston mundësia që errësira të kthehet në dritë.

Bajraj distancohet nga turmat e përjetshme të njerëzve, intelektualëve dhe poetëve që kanë zgjedhur t’u nënshtrohen ligjeve të degradimit. Dashuria e tij për të bukurën, mirësinë, humanizmin është luftë drejt progresit, drejt transformimit të realitetit, drejt transformimit të botës, nga një botë ku dominon urrejtja, në një tjetër ku njerëzit do të udhëhiqeshin nga dashuria dhe solidariteti. Poezitë e librit «Lëngu i trëndafilave» shpalosin gjeografinë e dhimbjes njerëzore, të përjetuar në trajta të ndryshme të saj, si dhimbje e të jetuarit në një botë ku gjithnjë e më tepër humben vlerat humane, si dhimbje e të jetuarit në një vend të huaj, por duke u preokupuar gjithnjë me zhvillimet në atdhe, dhimbjen për të kaluarën, «për ditët e rëna dhe diejt e humbur».

Poezia e Xhevdet Bajrajt është reaksion ndaj këtyre dhimbjeve, revoltë kundër shembjes së sistemit të vlerave dhe metaforë e përjetimeve reale. Përmes poezisë Bajraj kërkon mënyrën e shpëtimin të botës, njerëzores, atdheut dhe të ardhmes së tij, por edhe nëse nuk e arrin shpëtimin e saj, shpëtimin e vetes e gjen gjithsesi. Poeti refuzon të pranojë çfarëdo forma jo të dinjitetshme të jetës, sepse është i bindur se: «Vetëm artistët e kafshojnë jetën / kur ajo përpiqet t’i poshtërojë ata».

Ishte kjo një endje nëpër librin më të ri «Lëngu i trëndafilave» të poetit Xhevdet Bajraj, nëpër temat, motivet, idetë dhe mënyrën e artikulimit të tyre, një përpjekje për të depërtuar brenda sistemit të tij poetik, por edhe për ta vlerësuar atë. Çdo prurje e re në letërsi kërkon qasje korrekte ndaj saj dhe studim serioz që mundëson kategorizimin e saj në njërën nga kategoritë e renditura sipas hierarkisë së vlerave, si: libër i dobët, libër i zakonshëm, libër interesant, libër i mirë dhe libër i mirë e me ndikim. Nga ky këndvështrim libri «Lëngu i trëndafilave» hyn në kategorinë e librit të mirë dhe me ndikim, sepse poezia e Xhevdet Bajrajt shquhet për origjinalitetin artistik, edhe pse e mbrujtur me ndjeshmëri të lartë ajo ruan harmoninë, rregullin dhe bashkërendimin e elementeve poetike. Preciziteti i shprehësisë, mjeshtëria e krijimit të figurave, ndërtimi i imazheve, mënyra e sintetizimit të realitetit poetik mes reales e ëndrrës, janë  elemente novatore që hapin shtigje të reja rrjedhës së mëtejme të poezisë shqipe.