Çlirojeni Kosovën, mos lëshoni kukama!

Tash më së lehti është të thuhet: ne nuk e meritojmë të jemi shtet! Jo, e meritojmë edhe fort bile. Sepse liria jonë nuk ka çmim. Çdo vend ka politikanë të papërgjegjshëm e sharlatanë. Por, në momente kritike duhet të ketë njerëz që e ndryshojnë kursin e historisë.

Foto: Hazir Reka



Tash është shumë lehtë të jemi cinikë. Mund të tallemi me ata gazetarët që i mori pushteti në Dubai dhe të spekulojmë nëse në ndonjë sallë hoteli luksoz kanë qenë të shtyrë të vallëzojnë para ndonjë autokrati – si dikur në tendën e Muamer Al-Gadafit në Libi. Mund të themi se ne «nuk e meritojmë» të jemi shtet. Sepse gjendja në Kosovë është e tmerrshme. Dhe për këtë ka fakte. Dhoma të dëshmive të policisë të «plaçkitura» (dhe asnjë fajtor i zbuluar), zëvendësministra nën hetime, ministra me aktakuza, vrasje e «vetëvrasje» në burgje, media në shërbim të krimit të organizuar, «gazetarë» që me urdhër të politikanëve krimogjenë intervistojnë dëshmitarë të krimeve (qëllimi: frikësimi i dëshmitarëve), «vizita» nga njerëz të panjohur në dhomën e fjetjes së kryeprokurorit, vjedhja madje edhe e telefonit të kryeprokurorit, keqpërdorimi i pronës publike, nepotizmi, skandalet në gjyqësi, në dogana, në polici, në AKI.

Të gjitha këto janë të vërteta, tabloja është e errët. Por, kukama nuk është ilaçi i duhur. Tash më së lehti është të thuhet me defetizëm: s’meritojmë të jemi shtet! Jo, e meritojmë edhe fort bile. Sepse liria jonë nuk ka çmim. Çdo vend ka politikanë të papërgjegjshëm e sharlatanë. Por, në momente kritike duhet të ketë njerëz që e ndryshojnë kursin e historisë. Ndryshimi i kursit të historisë nënkupton një çlirim të Kosovës me mjete politike, me votë të lirë, me zgjedhje të reja parlamentare, por sidomos me programe konkrete të partive opozitare për atë që në Kosovë quhet «çkapje e shtetit», pra duhet t’u merret nga dora ky shtet atyre që në politikë janë futur për t’u pasuruar, vjedhur, mashtruar, për të gjetur strehë nga drejtësia, për të kërcënuar dëshmitarë dhe vrarë ndonjë, nëse i vjen rasti.

Këtë mision historik mund ta realizojnë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (VV). Por, jo ajo LDK që ngrenë dolli me eksponentë të SHIK-ut, jo ajo LDK që dallaveret e krimet e Ukë Rugovës përpiqet t’i shesë në opinioni si rugovizëm, jo ajo LDK e ngathët, pa ide, pa qëndrime, pa asgjë. Një LDK tjetër, e freskuar me kuadro të reja, e përkrahur nga rugovistët e vërtetë mund të ringjallet. Çlirimin e Kosovës nuk e bën një VV që shtetin e Kosovës e shikon si dyqan që në pranverë do të mbyllet dhe ne të gjithë, të lumtur e krenarë, do të zgjohemi të pajisur me pasaporta të Shqipërisë, të cilat do t’i lëshojë Bashkia e Prishtinës me drejtor Ksenofon Karamelin nga Kuçova. Një VV e tillë mund të bëjë zhurmë e skandale në opozitë, por pushtet nuk merr, por edhe nëse e merr, shpejt e humb. Sepse nuk mund të qeverisësh këtë vend duke u marrë me politika simbolike: flamuri, himni, stema. Për të çliruar Kosovën duhet edhe një VV që nuk fluturon, por i rendit prioritetet. Ky vend ka nevojë për t’i dhënë fund politikës së rrenave të pushtetit që lidhet me akronimet: PDK, AAK dhe AKR.

Në vitin 1951 filozofia Hannah Arendt shkruante: «Skllevërit idealë të sundimit totalitar janë njerëzit, për të cilët dallimi mes fakteve dhe fiksionit dhe mes të vërtetës dhe rrenës nuk ekziston më». Javën që shkoi plot media dhe plot qytetarë e hëngrën rrenën e pushtetit se Kosova «të martën hyn në Interpol». Slogani i partisë së George Orwellit te romani «1984» ka qenë ky: «Lufta është paqe. Liria skllavëri. Injoranca fuqi». Që fuqia e injorancës të mos e terrorizojë më tutje këtë vend, duhet të ketë rebelim civil qytetar, bashkim opozitar, zgjim të njerëzve të brengosur për të ardhmen e tyre dhe të gjeneratave të ardhshme.

Sepse Serbia nuk është aq e fuqishme sa mendohet nganjëherë në Kosovë, sidomos në çaste dëshpërimi. Edhe kjo që ndodhi sot në Dubai nuk është më shumë se fitore e Pirros për Serbinë. Është një shtet që tregon muskujt, por nuk e ka më Armatën Popullore të Jugosllavisë pas vetes, siç e kishte në fillim të viteve ’90. Popujt e tjerë të Ballkanit nuk janë më duarthatë siç ishin në vitet ’90. Kroacia, Mali i Zi dhe Shqipëria janë në NATO. Përkundër dëshpërimit të shqiptarëve me klasën mizore politike të Kosovës, Serbia nuk mund t’i dëbojë më në tenda të Stankovecit shqiptarët e Kosovës. Nëse ne kemi politikanë sharlatanë në diplomaci dhe në punë të brendshme, Serbia ka një ministër të Jashtëm që ka mbajtur lidhje me elementë të narko-rrjeteve. Por, çfarë ne nuk kemi janë politikanët që kanë dije, guxim e gjeturi për t’u ballafaquar me politikanët serbë. Mentaliteti i robit, inferioriteti, injoranca e kanë sjellë Kosovën në këtë qorrsokak. E sa i përket meritave: pse merituaka të jetë shtet Serbia, vendi që ka kryer gjenocidin e parë në Europë pas Luftës së Dytë Botërore?