Çka po kërkon Erdoani në Ballkan?

Presidenti turk po përpiqet të shtojë ndikimin në fushën e ekonomisë, por edhe të zhdukë praninë e rivalit të tij Gylen në rajon.

Karikaturë e gazetës Danas, Beograd.



Rikthimi i perandorive historike ka qenë temë e preferuar në shkrimet e ekspertëve perëndimorë të Ballkanit. Bashkimi Europian, i zhytur në krizë, ka nisur të humbë terren, kështu na thuhet, dhe se Rusia e Turqia janë turr për ta mbushur boshllëkun.

«Neoosmanizmi» zihet prej të gjithëve ngoje sidomos pas traktateve të Ahmet Davutollut të hedhura në letër në «Thellësinë strategjike», nëpërmjet të cilët shtrohet rruga për politike të jashtme provokuese të frymëzuar prej trashëgimisë perandorake të Turqisë. Kjo vepër është përkthyer në të gjitha gjuhët e Ballkanit. Nuk ka asnjë dyshim për aspiratat gjeopolitike të Ankarasë dhe fuqizimin e marrëdhënieve me bashkësitë myslimane lokale. Madje edhe diplomatët europianë kanë tërhequr vërejtjen për «ambiciet» e Turqisë në Ballkan.

Por në vizitën e presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdoani, në Serbi, është e zorshme të gjenden «ambiciet» osmane. Serbia nuk kategorizohet në mesin e aleatëve historikë, thënë troç, dhe nuk po vuan aspak prej nostalgjisë për sulltanët osmanë (popullariteti i «Shekullit të Madhërishëm», seri televizive turke për Sulejmanin e Madhërishëm, nuk mund të futet në këtë kategori).

Vizita ka qëllim larg më pragmatik. Janë nënshkruar dymbëdhjetë marrëveshje të reja me Qeverinë serbe, përfshirë rishqyrtimin e marrëveshjes për tregti të lirë që e kishin arritur vendet më 2009. Bashkë me homologun serb, Aleksandar Vuçiq, Erdoani u zotua se do t’i japë shtytjes këmbimit tregtar vjetor ndërmjet dy vendeve prej 800 milionë dollarë sa ëhstë tani në një miliard. Krahasuar me madhësinë, Serbia është tregu më i rëndësishëm i Turqisë në ish-Jugosllavi, larg përpara shteteve me lidhje më të afërta, si Bosnja e Kosova.

Kjo nuk do të thotë mohim i rolit që luajnë islami dhe e kaluara osmane. Udhëtimi i Erdoanit në rajonin me shumicë myslimane, Sanxhak, më 11 tetor, është fuqizim i rolit të tij si lider i një komuniteti që kapërcen kufijtë e republikës turke. Novi Pazari, kryeqytet i Sanxhakut të shtrirë ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi, ishte mbushur me pano të mbuluara me imazhin e presidentit turk dhe me shkronjat e mëdha të mikpritjes në turqisht, «hosgeldiniz».

«Titoja na vizitoi vetëm njëherë. Kjo është hera e dytë e Erdoanit», ka deklaruar një banor lokal i intervistuar nga «Al-Jazeera Balkans». «Nuk gjen një familje të vetme në Novi Pazar që nuk e ka një të afërm në Turqi».

Por shqetësimi kryesor pse Erdoani e vizitoi Sanxhakun është lufta e tij kundër klerikut në ekzil, Fethullah Gylen, ish-aleat të shndërruar në rival të përbetuar që akuzohet për organizimin e përpjekjes për grusht shtet në korrikun e vitit të kaluar. Rrjeti i Gylenit, tani i konsideruar terrorist prej Ankarasë, operon me një numër shkollash dhe organizatash humanitare anembanë ish-Jugosllavisë, përfshirë Novi Pazarin. Rrjeti dikur ishte gardian i fuqisë së butë turke jashtë vendit, por tani Qeveria turke kërkon shpartallimin e tij, qoftë në Bosnjë, Gjeorgji ose në Azinë Qendrore. Mesazhi i Erdoanit në Novi Pazar është i qartë: Sanxhaku është terren i imi, jo i Gylenit.

Dhe është e jashtëzakonshme se si Erdoani e ka bërë partner Vuçiqin. Presidenti i Serbisë i shtrëngonte fort dhëmbët kur fliste në Partinë Radikale ultranacionaliste në vitet nëntëdhjetë dhe kishte shërbyer si ministër Infomacioni në Qeverinë e Slobodan Milosheviqit. Por tani po mban qëndrim pragmatist: «Nuk është vitit 1389, Serbia dhe Turqia janë shtete mike», deklaroi ai, duke iu referuar vitit të Betejës së Kosovës ndërmjet forcave serbe dhe ushtrisë pushtuese osmane.

Vuçiqi tani është partizan i integrimit në BE, po i ruan raportet me NATO-në dhe Rusinë njëherësh, sjell investime nga Gjiri Persik, dhe madje ka organizuar samitin vjetor të Kinës me shtetet e Europës Lindore (e ashtuquajtura nisma 16+1). Turqia është një tjetër fije në kapelën e Vuçiqit: politika e tij e jashtme ta kujton epokën e Josip Broz Titos.

Kostoja e angazhimit të Turqisë është minimale. Nacionalistët në Serbi kënaqen me përplasjet e Erdoanit me SHBA-në dhe BE-në, dhe me lulëzimin e miqësisë me Putinin. Ata që tregojnë gishtin kah paralelet e sikletshme ndërmjet taktikave të të fuqishmit Vuçiq dhe metodave autoritare të Erdoanit, përfundojnë në kritikë të injoruar.

Turqia shihet më fort si partnere se si kërcënim për shkak se leva e saj duket të jetë hiperbolizuare. Më 2009-10, ministri i atëhershëm i Jashtëm Davutollu iu dha krah ambicieve që të bëhej ndërmjetësi kryesor i Ballkanit perëndimor, sidomos në Bosnjë. Nisma e tij me tri shtigje që po e propagandonte me ndjekësit e tij nga Beogradi dhe Sarajeva është ende gjallë, por është simbolik ndikimi i saj.

Turqia tani është përqendruar kryesisht në Siri dhe Lindje të Mesme, burimi i sfidave më të mëdha me të cilat po përballet. Ballkani në rastin më të mirë është në plan të dytë, megjithëse njerëzit e AKP-së, partisë së Erdoanit, turren në fushata zgjedhore në Maqedoni e Bullgari. Davutollu, i cili kishte qëndrim të butë për rajonin, duke u shoqëruar me ministrin e atëhershëm të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiq, dhe kaluar pushimet verore në Kosovë, është tani në pension dhe nuk ka njeri tjetër të etur për t’u marrë me lidhjet me shtetet e Ballkanit. Përderisa vizita e Erdoanit e sjell Ballkanin shkurtimisht në qendër të vëmendjes, zor se do të fuqizojë interesimin turk në planin afatgjatë.

Lidhjet më të fuqishme me Serbinë pa dyshim se janë bonus për Turqinë në kohën kur është harruar kaherë doktrina, dikur në modë, e «zero problemeve me fqinjët». Por këto lidhje nuk mund të jenë burim i ndryshimit as për Ankaranë e as për shtetet e Ballkanit në lojën e madhe politike.
(Shkrimi u botua nga «Al-Jazeera». Dimitar Beçev është anëtar i lartë jorezident i Këshillit Atlantik).