Çka përmban libri që po trondit Washingtonin?

«Zjarr dhe zemërim» – kështu titullohet libri mbi presidencën e Donald Trumpit. Autori Michael Wolff i ofron lexuesit në panoramë mbi gjendjen në Shtëpinë e Bardhë. Sharja «hajvan» duket të jetë fjala më e përzemërt e komunikimit mes presidentit të SHBA-ve dhe këshilltarëve të tij.

Donald Trump. Ilustrimi: Shutterstock



Presidenti Donald Trump është ndier i fyer nga libri «Zjarr dhe zemërim» të gazetarit Michael Wolff. Në Twitter, mediumi i preferuar i tij, Trump e ka shpallur veten jo më pak se «gjeni». Në këtë përfundim ai erdhi pasi Wolff në librin e tij e përshkroi si tërësisht të paaftë për të ushtruar funksionin e presidentit. Pasi Trump ka rrahur gjoksin se është shumë i mençur, gazeta «Washington Post» i ka bërë thirrje t’i nënshtrohet një testi të mençurisë. Presidenti nuk ka reaguar deri më tani. Sa i përket mençurisë: profesori i njohur i psikologjisë Dean Keith Simonton nga Universiteti i Kalifornisë në Davis, autori i disa libra për koeficientin e mençurisë, para disa viteve ka prezantuar një studim mbi inteligjencën e presidentëve amerikanë. Pasi në publik shpesh ishte shprehur dyshim mbi mençurinë e presidentit George W. Bush, Simonton konstatoi se koeficienti i mençurisë (IQ) i Bushit ishte mes 111,1 deri në 138,5. «Ai është përfundimisht i mençur. Dhe gjithsesi aq i shkathtë për të qenë president i SHBA-ve». Megjithatë, Bush renditet nga fundi në listën e mençurisë të presidentëve amerikanë. I pari është John Quincy Adam, i cili qeverisi mes viteve 1825-1829. Ai kishte një koeficient mençurie mes 165 dhe 175. Në vendet 2 deri 5 pasojnë Thomas Jeffersoni (145,0 deri 160), James Madison (120 deri 160), John F. Kennedy 138,9 deri 159,8) dhe Bill Clinton (135,6 deri 159,0). Presidentët Franklin D. Roosevelt dhe Abraham Lincoln, të cilët konsiderohen si presidentët më të mëdhenj amerikanë, kanë këtë koeficient mençurie: 127,4 deri 150,5 dhe 125,0 deri 150,0.

«I çmenduri Steve»

Në librin e tij prej më shumë se 300 faqesh Michael Wolff përshkruan ditët e fundit të fushatës elektorale të Trumpit dhe gjashtë, shtatë muajt e parë të presidencës. Gjatë fushatës Wolff shkroi një portret relativisht pozitiv për Trumpin dhe kështu arriti të fitojë besimin e kandidatit për president. Kur Trump hyri në Shtëpinë e Bardhë, Wolff ishte i mirëpritur aty. Nga takimet, bisedat, pritjet e shumta Wolff arriti të mësojë shumë mbi zhvillimet në Shtëpinë e Bardhë. Stephen Bannon, menaxher i fushatës elektorale dhe shef për strategji, nga kundërshtarët e tij quhej «i çmenduri Steve», i cili nuk ngurroi që një zyrtare të re ta fyejë me fjalë vulgare. Dy bijtë e Trumpit, Donald Trump Junior dhe Eric Trump, nga kritikët quheshin Udaj dhe Kusai – ashtu si djemtë e Sadam Huseinit. Jared Kushner, dhëndri i presidentit dhe burri i vajzës së madhe të tij Ivanka, quheshin «Jarvanka», një duet që merret me intriga. Shefi i mëparshëm i shtabit i Trumpit, Reince Priebus, etiketohej si «xhuxh». Dhe kështu me radhë. Duket se klima në ekipin e Trumpit nuk ka qenë fantastike ndërsa bashkëpunëtorët e tij «lavdëronin» njëri-tjetrin me këso titujsh.

Edhe më brutale është gjuha e ministrave kundër Trumpit, sipas autorit Michael Wolff. Ministri i Jashtëm Rex Tillerson citohet ta ketë quajtur Trumpin: «Hajvan të mallkuar». Ministri i Financave Steve Mnuchin për Trumpin: «Idiot». Këshilltari për çështje ekonomike Gary Cohn për Trumpin: «Budalla si muti». Këshilltari i Sigurisë H. R. McMaster për Trumpin: «I marrë». Zemërimi i presidentit duket i kuptueshëm: Wolff e përshkruan Trumpin si diletant, megaloman, egoman dhe mburravec, të painteresuar për politikën, të painteresaur të lexojë dhe të etur pas shikimit të programeve televizive. Bannon duket se ka qenë bashkëbiseduesi kryesor i gazetarit Michael Wolff. Disa bashkëbisedues të tjerë kanë përgënjeshtruar citatet. Libri që në titull përmban fjalën flakë që nga e shtuna po shitet flakë. Ky libër nuk do ta rrëzojë Trumpin, vetëm ka arritur ta nervozojë. Gjasat që ta rrëzojnë parlamentarët janë të vogla, sidomos tani që Trump është ndarë nga disa këshilltarë kundërthënës si Bannon. Fjalën e fundit për të ardhmen e tij politike e kanë zgjedhësit amerikanë. Në vitin 2020. Deri atëherë Amerika dhe bota duhet të jetojnë me këtë president gjenial. Sipas tij.
E.R.