Çka mund të presin vendet e Ballkanit nga kryesimi bullgar i Bashkimit Europian?

Nga e hëna Bullgaria do të marrë drejtimin e Këshillit të Bashkimit Europian. Sofja ka premtuar integrimin e vendeve të rajonit në BE. Në maj mbahet një samit mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit. Bullgaria me gjasë do të përkrahë edhe hapjen e negociatave të BE-së me Shqipërinë. Me Maqedoninë tashmë është arritur një marrëveshje historike për marrëdhëniet bullgaro-maqedonase.

Bojko Borisov.



Bullgaria është anëtare e BE-së që nga viti 2007. Në agjendën bullgare për kryesimin e Bashkimit Europian janë disa tema: politika e BE-së ndaj refugjatëve, buxheti i BE-së nga viti 2020 dhe reforma e eurozonës. Një rëndësi të madhe Bullgaria, e cila nga e hëna ka marrë kryesimin e BE-se, duhet t’i kushtojë edhe përgatitjes së fazës së dytë të daljes së Britanisë së Madhe nga BE dhe rregullimit të raporteve tregtare mes Londrës dhe 27 vendeve të BE-së.

Bullgaria ka premtuar se do të angazhohet në integrimin e vendeve fqinje të Ballkanit në BE. Në maj Bullgaria planifikon të mbajë një samit të BE-së me vendet e Ballkanit. Në fillim të dhjetorit kryeministri bullgar Bojko Borisov ka qëndruar në Beograd bashkë me kryeministrin grek dhe atë rumun. «Ballkani është vend me plot histori, konflikte dhe gjakderdhje, por ne sot po flasim për atë se si ta përparojmë Ballkanin dhe si të jetojnë njerëzit më mirë. Ne jemi pjesë e pandashme e idesë europiane. Jam optimist se të gjitha vendet në fqinjësi do të bëhen pjesë e BE-së», tha Borisov.

Ky përkushtim i tij do të shihet gjatë pranverës kur BE duhet të vendosë për hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë. Para se të marrë kryesimin e BE-së Bullgaria ka shfrytëzuar ndikimin e saj për t’i bërë presion Shqipërisë të pranojë minoritetin bullgar. Në një postim në Facebook në tetor Borisov shkroi se «pas 104 vitesh Shqipëria e njohu bashkësinë etnike bullgare» dhe falënderoi kryeministrin shqiptar Edi Rama për mbajtjen e premtimit që të mos shkelen interesat e komuniteti bullgar në Shqipëri. Njohja e pakicës bullgare në Shqipëri është kundërshtuar nga komuniteti maqedonas.

Gjatë verës kryeministrat e Maqedonisë dhe Bullgarisë, Zoran Zaev dhe Bojko Borisov, nënshkruan në Shkup Marrëveshjen për Miqësi, Fqinjësi të mirë dhe Bashkëpunim. «Kjo marrëveshje është sukses i ndërsjellë që kontribuon për politika stabilizuese për tërë rajonin e Ballkanit. U përcaktuam të udhëheqim politika të zgjidhjeve, e jo të problemeve. Tek Bullgaria pamë partner konstruktiv me qëllime të njëjta. Kjo miqësi është shembull se si pengesat disavjeçare mund të shndërrohen në motor të zhvillimit. Kjo marrëveshje është një porosi e rëndësishme për BE-në dhe NATO-n, sepse tregon se vendet e këtij rajoni kanë udhëheqës politikë që ndërtojnë ura», tha Zaev me atë rast.

Gjatë një vizite në Sofje në qershor Zaev ishte përkulur para përmendores së Car Samoilit, të cilin të dy vendet e llogarisin si të vetin. Një përmendore e këtij personaliteti ekziston edhe në Shkup. Afrimin mes Maqedonisë dhe Bullgarisë BE e ka quajtur inspirim për rajonin. Të dy vendet kanë premtuar se nuk do të grinden më për disa çështje të identitetit, gjuhës dhe historisë. Shkupi pret të marrë përkrahjen e Sofjes për përshpejtimin e integrimeve europiane. Kryeministri Bojko Borisov angazhohet edhe për përmirësimin e marrëdhënieve me Turqinë. Me këtë shtet Bullgaria ndan një kufi të përbashkët prej 259 kilometrash.

Bullgaria pritet të shfrytëzojë kryesimin e BE-së edhe për të përmirësuar imazhin e saj. Si një ndër njollat e përhershme të vendit përmendet korrupsioni i madh. Sofia synon të anëtarësohet në zonën Schengen. Shumë shtete të BE-së janë skeptike sa i përket pranimit të Bullgarisë në zonën Schengen.

Në krahasim me vendet e tjera të Europës Lindore si Polonia, Çekia, Hungaria dhe Sllovakia, kryeministri Borisov përkrah politikën e BE-së për pranimin e përbashkët të refugjatëve. Borisov ka fituar në prill mandatin e tretë si kryeministër. Ai angazhohet për marrëdhënie «pragmatike» me Moskën, por është përkrahës besnik i NATO-s dhe BE-së.