«Çka mbinë…?» për dramën psikologjike të dy grave

Jeta e një gruaje 30-vjeçare do të marrë kah tjetër pas disa vendimeve që merr. Për këtë ndikim të madh do të luajë një grua tjetër, qëllimet e së cilës nuk janë të mira.




Kjo do të bëjë që dy gratë të ndeshen me situata të errëta shpirtërore, nga të cilat zor se do të dalin. Kështu i bëhet përshkrimi dramës më të re të dramaturges Fjolla Hoxha, nën regji të Flurta Zymit, «Çka mbinë s’pari kur kallet bota?». Ndërsa dy gratë portretizohen nga aktoret Kumrije Hoxha dhe Alketa Sylaj, shkruan sot «Koha Ditore».

Provat për këtë shfaqje tashmë kanë nisur, ndërsa premiera e saj pritet të jepet në fillim të muajit të ardhshëm. Kjo shfaqje, njëherësh është projekt multimedial ku përfshin edhe artisin vizual Klejdi Eski nga Tirana.

Të martën, në bazë të një komunikate të lëshuar nga TKK-ja janë bërë të ditura detaje rreth kësaj shfaqjeje. Aty thuhet se «Çka mbinë…» është një projekt eksperimental i formatit të teatrit organik që është iniciuar nga Zymi dhe Hoxha me qëllim që të krijohet dhe «promovohet drama hulumtuese vendore, bazuar në problematikat aktuale që janë karakteristike për ambientin kosovar».

«Autoret e projektit kanë zgjedhur këtë format të punës me qëllim që shfaqja të realizohet gjatë një procesi të bashkëpunimit të ngushtë mes gjithë palëve të përfshira në krijimin e saj», shkruhet në komunikatë. Aty po ashtu thuhet se Hoxha bashkë me Zymin, trajtojnë marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe shkëputjen mes dëshirave dhe mundësive të realizimit të tyre. Kjo është bërë si bazë për hulumtimin e tyre rreth këtij projekti.

«Duke u nisur nga këtu, tentojmë që ta realizojmë një dramë ku cak është ndërveprimi i ndjenjave të karaktereve dhe përçimi i këtyre përjetimeve të ndërthurura tek shikuesi, si pjesëmarrës në shfaqje me energjinë dhe praninë e vet», shkruhet në komunikatë.

Situata në të cilën gjendet Kosova, është një tjetër arsye që ka bërë dy autoret që të trajtojnë një temë që shkon përtej përshtypjeve sipërfaqësore që ka krijuar shoqëria.

«Ndjenja që gjithçka jashtë nesh është më e bukur dhe vetëdijesimi për të qenit larg kësaj jete është shkatërruese, ndërkaq edhe privuese nga puna drejt pranimit të gjendjeve aktuale dhe përmirësimit të jetës këtu brenda, gjë e cila është plotësisht në duart tona», shkruhet në komunikatë. Qëllimi i tyre me këtë shfaqje është që të prekën përvojat njerëzore dhe në të njëjtën kohë të ofrohet ngushëllim mbi gjendjen e tyre emocionale. «Çka mbinë…» mëton të jep ide si të punohet me veten për të gjetur mënyra të kalimit të situatave të caktuara.

«Dëshiruam që ta sjellim në sipërfaqe një përbindësh të cilin të gjithë e fshehim në shtëpi. Si Gregory Samsa te Metamorfoza e Kafkës, ky përbindësh shndërrohet dhe rritet para syve tanë, ndërkohë që konstatimi lidhur me transformimin e tij gati se gjithnjë merr kuptim me vonesë», shkruhet në komunikatë.

«Çka mbinë s’pari kur kallet bota?» është një nga tri koncept fitueset në konkursin për skenë të vogël në Teatrin Kombëtar të Kosovës, për vitin 2015.