Çka kanë romët, ashkalinjët dhe egjiptasit të përbashkët?

Përse ylli në flamurin e Kosovës, i cili u dedikohet këtyre etnive, është i llojit të Nescafés 3në1?

Fëmijë romë në «Terzi Mahala» në Prizren.



Dëshira për t’u distancuar nga ajo që në shoqëri njihet si e ulët dhe e cila i atribuohet stigmës së njohur «maxhup» historikisht e ka përcjellë një grup të caktuar të këtij populli. E gjithë kjo dëshirë kishte (dhe ende ka) për cak kryesor asimilimin dhe mos identifikimin me «të ulëtit». Ky rang shoqëror është definuar nga vetë njerëzit që i përkasin kësaj etnie të cilët kanë krijuar strata të brendshme, e që me kalimin e kohës rezultoi në hutimin e shoqërisë së gjerë rreth asaj se kush me të vërtetë janë këta njerëz? Ky rast nuk është vetëm në Kosovë. Këtu po flasim për një tollovi të madhe europiane që aktualisht po shihet si «hallakamë» nga jashtë, por që në fakt nuk është edhe aq.

Që në fillim duhet sqaruar një gjë. Përgjatë historisë së tyre në Europë, shumë terme i janë atribuuar këtij populli, por që kryesisht nga të huajt futeshin në një kallëp. Disa nga emrat të cilët janë përdorur për t’iu adresuar janë Gipsy, Egyptians, Kibti, Zincali, Tsigane, Maxhup, Çingene, Cigani, Travellers, Zigeuner, Sinti etj. Duke i konsideruar të gjitha këto terme si përulëse, Kongresi Botëror Rom e ka rekomanduar termin «rom» si term unifikues i njerëzve që në vende të ndryshme të botës njihen si «maxhupë». Ky arsyetim është pranuar dhe që nga ajo ditë praktikohet dhe përdoret në të gjitha publikimet dhe dokumentet e institucioneve europiane. Derisa në shkrimet e përgjithshme përdoret termi «Gipsy» (përkth. maxhup) si ombrellë unifikuese për këtë grup të shumëllojshëm, çështja për ta gjetur një njeri kompetent për të folur për këtë gjë është po aq e ndërlikuar sa edhe terminologjia e emërtimit të këtij populli. Sidoqoftë, nëse përqendrohemi në gjërat të cilat i simbolizojnë këta njerëz, do bindemi që nuk janë edhe aq shumë të ndryshëm, por vetëm se janë lehtë të manipulueshëm. Fort mirë e dimë se me kë mund të manipulohet më së lehti dhe se historikisht i forti ka ushtruar dhunë dhe presion ndaj të dobëtit. Ky presion përcillet me dy kushte: ose anashkalim nga shoqëria ose asimilim. Por sa i fortë është ky popull për të cilin po bëhet fjalë që t’i bënte ballë këtyre presioneve?

Para se ta shtjelloj çështjen për të cilën kam filluar të shkruaj, fillimisht do e bëj një sqarim të terminologjisë, e që lidhet ngushtë me gjithë synimin e artikullit. Në fjalorin sociologjik të Universitetit të Oxfordit, edicioni i tretë, versioni i 2015-ës, etnia ose grupi etnik definohet kështu: «Individët që e konsiderojnë veten, apo konsiderohen nga të tjerët, që posedojnë karakteristika të përbashkëta që i dallojnë nga kolektivitetet tjera». Që nga ky përshkrim mund t’i referohemi situatës reale dhe ta arsyetojmë yllin në flamurin e Kosovës. Arsyeja përse ky yll është unifikues është se, sado që ky popull mundohet t’i numëroj dallimet në mes, përsëri nga të tjerët futet në një kallëp. Por përse ndodh kjo? Përse këto tri etni (romët, ashkalinjët dhe egjiptasit) në rastin e Kosovës shihen dhe konsiderohen si një?

Duke filluar nga fizionomia, bashkëpunimi me njëri-tjetrin ndër shekuj, mënyra e jetesës, interesat e përbashkëta (sidomos zhanri muzikor), profesionet e njëjta, këndvështrimi ndaj jetës, mentaliteti, mënyra e të folurit dhe shumë gjëra të tjera janë aspektet unifikuese të asaj që në shoqëri njihet si «maxhup». Këta njerëz haptas dallohen nga mënyra e dukjes, dhe pa asnjë problem martohen mes vete. Infrastruktura e shtëpive apo vendbanimeve ku jetojnë dallohet nga vetë konstruksioni dhe dukja e përgjithshme e lagjeve. Që të gjithë anashkalohen nga shoqëria e përgjithshme dhe kryesisht u besohen punë të rënda fizike. Shtresa pak më e arsimuar e këtyre grupeve mburret me zejen e farkëtarisë, por përsëri nuk hasin në një pajtim se e kujt me të vërtetë është kjo zeje, dhe kush e ka «vjedhur» nga kush, romët nga egjiptasit apo egjiptasit nga romët. Nëse përsëri i referohemi situatës aktuale mund të shohim se historikisht këtë zeje e ushtronin njerëzit që në shoqëri quheshin me emrin përulës «maxhup», edhe pse, në anën tjetër, ata që e ushtronin këtë zeje cilësoheshin si «esnafë». Profesioni tjetër që shumica e tyre e ushtrojnë dhe për të cilin njihen si shumë të shkathët është tregtia. Kur flasim për profesionet, domosdoshmërisht duhet cekur pëlqimi dhe prodhimi i një zhanri specifik muzikor dhe perceptimi i popullatës që nuk i përkasin këtyre tre etnive që «vetëm ata janë profesionistë për këtë zhanër». Kjo bënë të kuptojmë se përse këto tri etni në fakt kanë interesa të njëjta që i sjellin në një pikë të përbashkët.

Shumica e shkrimtarëve kur mundohen t’i sqarojnë dallimet mes këtyre tri grupeve e përmendin prejardhjen, gjuhën dhe ngjyrën e lëkurës si aspekte dalluese, por qartë, kësi lloj argumentesh e hapin një diskurs tjetër se sa me të vërtetë «prejardhja», «ngjyra e lëkurës» dhe «gjuha» perceptohen si kritere vendimtare apo edhe «objektive» për përcaktimin e kriterit e të qenmit anëtar i ndonjë grupi kur kemi të bëjmë me një popull me një vetëdije shumë të ulët kombëtare dhe historia e të cilit kryesisht (mos të them ekskluzivisht) është shkruar nga njerëzit që nuk i përkasin këtij populli dhe historia e të cilit mbetet kryesisht gojore. Një çështje tjetër që jepet si vendimtare për dallimin mes romëve, ashkalinjëve dhe egjiptasve është se ashkalinjët dhe egjiptasit nuk e flasin gjuhën rome, dhe kjo i bënë romët të veçantë. Çështjen e të folurit të gjuhës si element përcaktues i një etniteti apo jo, e diskuton shumë mirë sociolinguisti i njohur Peter Trudgil, i cili mes tjerash në librin e tij «Sociolinguistika: Hyrje në gjuhë dhe shoqërinë» për çështjen e gjuhës thotë: «Gjuha është një element i rëndësishëm, por jo edhe esencial i përcaktimit të identitetit etnik». Nga kjo mund të kuptojmë se mospërdorimi i gjuhës së njëjtë nuk do të thotë se mund të merret si element vendimtar për të vënë dallime mes një grupi të caktuar. Si arsyetim për këtë edhe vetë prof. Trudgil e jep vetëdijësimin e ulët të grupeve të vogla etnike të cilët si pasojë e mosrezistencës ndaj neglizhencës nga popullata e gjerë, e anashkalojnë gjuhën e tyre dhe mundohen t’i përshtaten shoqërisë ku jetojnë. Po ashtu, këtu rëndësinë më të madhe dhe të veçantë e ka shkollimi. Romët, edhe pse e kanë një gjuhë të tyre, ata kurrë nuk janë shkolluar në gjuhën e tyre sepse nuk arritën ta formonin atë (përveç rasteve shumë specifike dhe atë vetëm për ciklin e ulët). Ashkalinjët dhe egjiptasit kryesisht shkollohen në shqip dhe fryma me të cilën rriten i bënë që të anojnë më shumë kah popullata shqiptare. E njëjta ndodhë edhe me romët. Ata, për dallim nga ashkalinjët dhe egjiptasit arsimohen në shqip, serbisht (boshnjakisht) dhe turqisht. Nga të gjitha këto raste, me kalimin e kohës krijohet një shtresë nga ky popull i cili bëhet më serb se serbi, më turk se turku dhe më shqiptar se shqiptari. Fëmijët e këtij populli që në hapat e para të shkollimit mundohen që mos të shoqërohen me fëmijët «tipikë» të këtij populli, në mënyrë që të tjerët mos të kuptojnë se që të dytë e ndajnë një fat të njëjtë, edhe pse ata që nuk janë «tipikë» me kalimin e kohës falë ndoshta ngjyrës «jo tipike» dhe mundësisë së dhënë, arrijnë ta ndryshojnë fatin e familjes së tyre. Njëra nga arsyet përse grupet e tilla etnike shumë lehtë heqin dorë nga vetvetja është, sikurse e përmend prof. Trudgil, vetëdijesimi i ulët mbi përkatësinë. Nëse gjithë këtë e krahasojmë me vjershat dhe këngët pak më patriotike që fëmijët i mësojnë nëpër shkolla, dhe imazhi me të cilin përshkruhen «maxhupët» nëpër tekstet shkollore, atëherë mund të kuptojmë se përse me kalimin e kohës ky popull kërkon që të dallohet nga kjo shtresë e ulët shoqërore. Sidoqoftë, edhe pse një shtresë e këtij populli nuk ka dëshirë t’i kujtojë gjërat e përbashkëta, përsëri ata vetë e dinë se kush është «i joni» e kush jo. Në këtë rast i kthehemi definicionit të parë mbi etninë dhe bazuar në elementet e përbashkëta që i posedojnë që të tri etnitë mund të kuptojmë se përse shoqëria e gjerë e fut këtë popullatë, të ndarë në tre, në një thes dhe e përdor një emër të njëjtë si emër unifikues për të tretë. Po ashtu, edhe pse ky popull i numëron dallimet e brendshme, përsëri, nëse të njëjtit nga shoqëria quhen me emrin «maxhup» të gjithë do e përjetojnë nivelin e njëjtë të zemërimit qoftë edhe nëse personi i përbuzur deklarohet si rom, ashkali apo egjiptian.

Duke e lexuar librin e gjuhëtarit të njohur nga Universiteti i Manchesterit Prof. Yaron Matras «I met lucky people» (Kam takuar njerëz fatlum) kam hasur në një detaj të cilin edhe ai e sheh si më shqetësues brenda këtij populli. Ai, si një studiues i gjuhës dhe kulturës rome, rastësisht pati dëgjuar dy romë në Amerikë duke folur romisht (sipas dialektit që dëgjoi, thotë se ishte romishte e Bullgarisë). Iu afrua dhe i pyeti se në çfarë gjuhe po komunikonin. Ata, pa menduar fare, iu përgjigjen «greqisht». Ky rast dhe ky arsyetim jo rrallë përdoret nga ky popull. Kjo për të vetmen arsye që mos të identifikohen me atë çka në shoqëri njihet si e «ulët». Ngjashëm me këtë rast, etnologu nga Maqedonia prof. Rubin Zemon përmend të njëjtën «taktikë» në fletushkën e tij «History of the Balkan Egyptians» e shtypur nga Këshilli Europian. Aty thuhet se: «Duke pasur parasysh që romët ishin të anashkaluar nga shoqëria ballkanike dhe europiane edhe në atë periudhë (shekulli ‘13 dhe ‘14), disa romë dhe fise preferonin të deklarohen si <egjiptas> për prestigj më të madh në shoqëri». Më duhet përmendur se, përveç disa dyshimeve historike, në fletushkën në fjalë nuk kam gjetur asnjë argument të besueshëm që «egjiptasit» të cilët përmenden historikisht janë pikërisht këta të cilët sot jetojnë në Kosovë.

Një element tjetër i rëndësishëm të cilin e thekson prof. Yaron Matras në po të njëjtin libër që e përmenda më parë është se Perandoria Osmane e ka përdorur termin Kibti (greq. egjiptianët) të trashëguar nga Perandoria Bizantine në regjistrat e taksave. Në vitin 1668 sipas citimit të frazave në romisht nga shkrimtari Evliya Çelebi, bënë të dyshojmë se kibtit në fakt ishin romët. Por, përsëri, ky element nuk mund të merret si fakt, por si një element shtesë mbi dyshimin se a ishin këta njerëz me të vërtetë egjiptas apo romë?

Ndryshe nga ky rast që përmenda, sot, pjesëtarë të këtij populli që janë me një fizionomi më ndryshe nga ajo e «përgjithshmja» (edhe pse ka paragjykime këtu) dhe që kanë pasur fatin që t’u jepet mundësia e përparimit në shoqëri, mohojnë kategorikisht se kanë lidhje me këtë popull. Edhe nëse hiq më larg prindërit e tyre flisnin romisht, silleshin dhe jetonin si qytetarë të dinjitoz të një vendi. Kjo shtresë e këtij grupi e përsërit taktikën e njëjtë. Nga dëshira që të pranohet më mirë në shoqëri dhe ta gëzojë një prestigj më të lartë, e zgjedh asimilimin e plotë dhe kategorikisht mohon se ka diçka të përbashkët me elementet që e përbëjnë «maxhupizmin». Sipas asaj që unë kam kuptuar nga shumica e shkrimeve lidhur me këtë «tollovi», këtu është edhe përgjigja e paraqitjes së etnive të reja (para apo pas luftës së fundit në Kosovë) si dëshirë për të fituar një prestigj dhe për të anuar nga më të fortit, në rastin e fundit kah popullata shqiptare.

Ndryshe nga ata që deklarohen si ashkali apo egjiptas, njerëzit që deklarohen romë flasin romisht, kontribuojnë në shumëllojshmërinë gjuhësore duke e ruajtur këtë pasuri me shumë krenari dhe fanatizëm. Sidoqoftë, kohëve të fundit, po shfaqet një shtresë tjetër e cila nuk heziton të deklarohet si rom, por nga «modestia» dhe nga «integriteti» që kanë arritur thonë se kanë harruar ta flasin gjuhën rome, por e përmendin që paraardhësit e tyre (hiq më larg se prindërit e tyre) e flasin. Gjuha rome, edhe pse ka shumë dialekte apo varietete, po ashtu ka edhe shumë huazime nga gjuha dominante varësisht nga rajoni se ku jetojnë. Ky popull gjithashtu kontribuon në shumëllojshmërinë kulturore duke i ofruar shoqërisë pasuritë e tyre qoftë nga veshja e dalluar, muzika specifike apo edhe zejet. Sidoqoftë, për t’u fokusuar në dallimet që kryesisht përmenden vetëm përbrenda këtij populli, kemi ashkalinjët dhe egjiptasit të cilët në shumicën e rasteve (nga shembujt që kam dëgjuar vetë) pa asnjë hezitim thonë se «neve nuk na ndanë asgjë me shqiptarët. Ne flasim shqip, shkollohemi në shqip, i kemi zakonet dhe doket e njëjta dhe shumica prej nesh më parë deklaroheshin shqiptarë». Këtu lind pyetja se meqë këto dy etni deklarohen si të veçanta, atëherë çfarë veçantie dhe kontributi po i ofrojnë shoqërisë në pasurimin e shumëllojshmërisë kulturore? Çfarë u përket këtyre etnive që mund të themi janë autoktone? Në anën tjetër nëse një aspekt përmendet nga egjiptasit si autokton (shembull zeja e farkëtarisë) të njëjtën do e gjejmë edhe tek romët, por jo tek etnitë tjera jashtë këtij kallëpi. Romët e Prizrenit – përndryshe – e kanë një festë të veçantë të quajtur «Hedenebiri» apo «Dita e Bajrakut». Në këtë ditë, romët e shpalosin në publik një flamur të veçantë të cilin, sipas trashëguesve të deritanishëm, u është dhënë nga Perandoria Osmane si falënderim për bërjen e armëve mbrojtëse nga hekuri dhe si shenjë mbrojtëse nga perandoritë tjera për të dëshmuar se këta njerëz janë nën mbrojtjen e Perandorisë Osmane. Ky fakt i jep një forcë dhe arsyetim shtesë një shtrese tjetër të këtij populli që të bëhen «më turk se turku» duke folur kryesisht turqisht në shtëpi apo kudo dhe duke u munduar të futen në rrethin e «kasabalive turq». Nëse bujqësia theksohet si profesion kryesisht i ashkalinjëve, të njëjtën do e gjejmë edhe tek romët të cilët në vende të ndryshme, sidomos në Prizren, janë shquar për këtë profesion. Gjëja e fundit që duhet përmendur këtu është akuza e dyanshme mes ashkalinjëve dhe egjiptasve. Ashkalinjët thonë se egjiptasit janë ashkalinjë, ndërsa këta të fundit thonë të kundërtën, ashkalinjët janë egjiptas. Shpesh herë përdoren arsyetime nga të dyja palët se njëra apo tjetra janë prodhim i ish-regjimit në Kosovë. Që të dyja grupet e theksojnë afërsinë me të madhe me shqiptarët por historikisht kanë hasur në neglizhencë të vazhdueshme nga të fundit të cilët i fusnin në grupin e kategorisë së ulët të shoqërisë. Fakti që këto dy etni e theksojnë një afërsi më të madhe me shqiptarët tregon haptas për mundin dhe dëshirën për t’u integruar apo edhe asimiluar me popullin shqiptar. Por, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi me romët falë interesave dhe këndvështrimeve të përbashkëta mbetet evident, gjë që do ishte e papranueshme për cilëndo etni tjetër.

Elementi kyç dallues i cili përmendet nga këto tri etni është vendi nga i cili kanë migruar. Romët thonë se e kanë prejardhjen nga India (duke u bazuar në ngjashmërinë e disa fjalëve të njërës prej nën gjuhëve indiane). Egjiptasit thonë se e kanë prejardhjen nga Egjipti vetëm duke iu referuar përmendjes historike të egjiptasve nëpër dokumentet e ndryshme historike, por nuk ka asnjë referencë të drejtpërdrejt se pikërisht bëhet fjalë për egjiptasit e sotëm, ndërsa ashkalinjët thonë se e kanë prejardhjen nga Irani i sotëm. Duke e ritheksuar mangësinë e këtij populli për t’i evidentuar lëvizjet historike nga vetë dora e tyre, kjo iu ka dhënë liri shtesë të tjerëve që t’i shkruajnë dhe t’i modifikojnë dallimet sipas dëshirës që sot konsiderohen si «fakte historike». Këtu nuk dua të keqkuptohem, por vetëm po përpiqem t’i interpretoj një mori shkrimesh që kam lexuar për këto grupe dhe t’i paraqes këndvështrimet apo edhe dyshimet e mia. Gjithsesi se në kushtet e sotme, çdo grup mund të deklarohet ashtu si e sheh më të arsyeshme dhe kjo e drejtë nuk duhet t’i mohohet askujt. Çka unë po e shoh si problematike është se sa reale dhe sa kanë bazë këto ndarjet mes një populli i cili po përballet me problematikën e njëjtë të identifikimit kudo në Europë?

Çka do të ishte më e arsyeshme është që para se këto tri etni të përqendrohen në aspektet të cilët i dallojnë, do ishte shumë më e dobishme të përqendrohen ne aspektet që i bashkojnë, dhe do binden se ka shumë më shumë elemente unifikuese se sa dalluese në mes. Do ishte shumë më e arsyeshme dhe do sillte shumë më shumë dobi qoftë shoqërore, ekonomike dhe sidomos politike nëse këto tri etni do pajtoheshin për një emër të përbashkët identifikues, por jo edhe homogjenizues, dhe kështu kjo tollovi e gjerë mund të gjejë një përgjigje të arsyeshme që do rezultonte në përparimin e këtyre tri etnive të cilët historikisht por edhe ditëve të sotme, përkundër dallimeve që i cekin, përsëri shihen si një, pikërisht sikurse ylli në flamurin e Kosovës, të cilin besoj se e kam arsyetuar përse është i llojit të Nescafés 3 në 1.

(Autori është kandidat për master në programin Teaching English as a Foreign Language (TEFL) në Universitetin e Zagrebit. Ai ka qenë gazetar i Radio Kosovës, redaksia në gjuhën rome)