Çka e pret botën pas fitores së Donald Trumpit?

Donald Trump do t’i jetësojë kërcënimet e tij. Por atij rrugën ai zë Kushtetuta.

D.T., president i zgjedhur i Amerikes.

Zgjedhja e Donald Trumpit nuk është lëvizje normale e tektonikës, por një tërmet i shkallës 8,5 – i cili do të dridh Amerikën dhe mbarë botën. Kur Trump shpalli kandidaturën në verën e vitit 2015, dukej se ky ishte vetëm fillimi i një shou televiziv grotesk. Por ndërkohë Trumpatori i ka hedhur anash së pari 16 rivalë republikanë në zgjedhjet paraprake (Primaries), pastaj Hillary Clintonin, trashëgimtaren e caktuar të Barack Obamës, të cilës vetëm dy herë arriti t’i afrohej në anketa. Më 20 janar seria fillon edicionin e dytë. Ajo quhet: «Shteti jam unë». Sërish anketat dështuan, sepse deri në çastin e fundit kishin mashtruar se Clinton gëzon epërsi, ndonëse të ngushtë. Ashtu si në rastin e Brexitit, ku një ditë para referendumit besnikët e BE-së ishin në epërsi me tri pikë përqindjeje. Pastaj fituan armiqtë e Europës. Triumfi i pakuptueshëm i Trumpit tregon se shumë të anketuar nuk kanë guxim që në telefon të pranojnë se janë jokorrektë. Në të ardhmen anketat duhet të shikohen si lojë zbavitëse, jo si parashikim që duhet marrë seriozisht. Për fat të keq Trump qëlloi në cak kur shigjetat e tij me helm i gjuajti në drejtim të hulumtuesve elektoralë.

Asgjë s’bën punë: përballë shkatërrimit duhet ta zbukurojmë dridhjen, ndonëse për këtë duhet shumë fantazi. Sepse ky njeri, i cili e ka kapur Partinë Republikane, e mendon atë që e thotë. Rrjedhimisht, ai në Shtëpinë e Bardhë mbase mund të bëjë atë që i kishte premtuar popullit elektoral. Nëse bëjmë një përmbledhje të thjeshtë, atëherë ai ka paralajmëruar se do të suspendojë ndarjen e pushteteve, do t’i nënshtrojë mediat dhe do ta bëjë copë e grimë politikën e jashtme, e cila e ka ngritur Amerikën në fuqi që përcakton rendin. Ky njeri është një dytëshor i Mussolinit, por fatmirësisht pa trupa sulmuese me këmisha të zeza. Si do ta jetësojë ai kthesën e madhe – duke anashkaluar Kongresin dhe gjyqet? Ekipi i tranzicionit i Trumpit po bën potere duke thënë se ka përgatitur 25 dekrete presidenciale. Thuhet se ai do t’i nënshkruajë ato menjëherë pas inaugurimit më 20 janar 2017 për të «fshirë nga faqja e dheut presidencën e Obamës». Këso vendimesh nuk janë diçka e pazakontë në histori. Vetë Obama ka shpallur 252 dekrete, paraardhësi i tij George W. Bush 292. Përveç kësaj, këto dekrete nuk hapin rrugën për pushtet të pandashëm. Vendimi i kontestuar i Obamës për t’iu premtuar amnisti pesë milionë emigrantëve ilegalë është anuluar nga një gjykata federale.

Një fusnotë politikë: në dy mandatet e tij Obama ka emëruar mjaft gjykatës federalë, të cilët vështirë se e kanë për zemër trumpizmin. Fundja, asnjë institucion amerikan nuk gëzon më shumë respekt se Supreme Court, një shkëmb i ndarjes së pushteteve. Shkëmbi i dytë është Kongresi, i cili me xhelozi mbikëqyrë të drejta e tij kushtetuese, pa marrë parasysh nëse të dy dhomat e parlamentit sundohen nga partia e presidentit. Meqë Trump në mënyrë rutinore ka treguar përbuzjen e tij ndaj krerëve të partisë së tij, republikanët e Kongresit kanë disa llogari të hapura me këtë grabitës. Përveç kësaj instinkti i mbijetesës i detyron ata të evitojnë më të keqen, në mënyrë që më 2020 të kenë një shans me një bajraktar të ri. E saktë: secili president mund të vijë në Washington me ekipin e tij, por 1200 pozitat e rëndësishme duhet të konfirmohen nga Senati: nga ministri deri te ambasadori. Edhe këtu Trump do të ndeshet me pengesa në rrugë, ashtu si në rastin e emërimit të gjykatësve federalë, ku janë të lira dy deri tri vende. Planet e tij për buxhetin po ashtu duhet të bekohen nga Kongresi. Për shembull muri në kufi me Meksikën. Llogaritet se do të kushtojë 25 miliardë dollarë, të cilat Trump duhet t’i marrë nga parlamenti.

Njëmbëdhjetë milionë emigrantë ilegalë, të cilët dëshiron t’i dëbojë? Për këtë atij i duhen 90 mijë policë, gjashtë herë më shumë se ç’ka tani agjentë FBI. Një institut konservator hulumtimesh nga Washingtoni e ka llogaritur koston e tërë këtij aksioni: 600 miliardë dollarë. Por për çfarë Trump mund të vendosë kokë më vete është mjaft e keqe. Ai mund t’i tërheq trupat amerikane nga Europa, si komandant suprem mund të urdhërojë intervenimin e ushtrisë, pa qenë i detyruar të pyesë Kongresin. Natyrisht financimi është kompetencë e përfaqësuesve të popullit. Ai mund të përmbysë Zonën e Lirë Tregtare të Amerikës Veriore. Mund të aplikojë tarifa ndëshkuese ndaj Kinës. Lajmi deri-diku i mirë: këshilltarët e tij i shohin kërcënimet e tilla si krekosje tipike në lojë pokeri për të frikësuar kundërshtarët.

Tani lajmet pafund të këqija: ky president tani duhet të besojë se mund të ecë mbi ujë, pasi ka ndëshkuar çdo kundërshtar, i ka rezistuar shpotisë dhe përbuzjes, pasi ka poshtëruar «elitat». Ai përjetoi një mrekulli pas tjetrës. Për këtë arsye ky president mund të ndihet i sigurt se e ka zotin në anën e tij. Kush e ndjen dorën e bekuar të Fuqiplotit mbi kreshtën e vet, nuk bën pazare – as në shtëpi, as në diplomaci. Trumpatori e di po ashtu se çfarë kanë paralajmëruar me zemërim njerëzit në anketat postelektorale: ata me çdo çmim duan ta heqin qafe status kuonë à la Clinton. Këto zgjedhje ishin një klithmë kumbuese, e cila vetëm do të forcojë sensin e pamëshirshëm misionar të Trumpit. Ai mund të mbështillet me një mandat – për të «tharë moçalin e Washingtonit», për të ngritur mure, për ta shndërruar vendin në «Kështjellën Amerika».

Megjithëkëtë, duhet të besojmë se Kushtetuta do t’i vë barriera të larta këtij personi që ka qejf të jetë Mussolini. Kushtetuta, sidoqoftë, qëndron qe 229 vjet. Ajo i ka bërë esëll të gjithë uzurpatorët. Kush bëhet arrogant nga pushteti që disponon deri më tani ka dështuar përherë në ndarjen e pushteteve. Edhe klouni i horrorit Trump? Mbase ai është më fleksibël se ç’tingëllon. Ndoshta nuk do të jetë Samsoni në tempull. Botës nuk i mbetet asgjë tjetër përveç se të besojë se Kushtetuta amerikane do ta tejkalojë edhe këtë krizë. Ajo e ka mbijetuar luftën civile, në të cilën Amerika ka humbur më shumë njerëz se në të gjitha luftërat së bashku. Si kurrë më parë Amerika dhe bota nuk kanë qenë të shtyrë të besojnë në formulën, e cila përfundon çdo fjalim të presidentit: «God bless America».

*Josef Joffe është editor i të përjavshmes gjermane «Die Zeit» dhe docent për politikë ndërkombëtare në München, në John Hopkins University, në Harvard dhe në Stanford.